Shuhet “Mbrojtja Civile”

Qeveria e Republikës së Kosovës njofton se sot është shuar e ashtuquajtura "Mbrojtje civile" në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit për këtë çështje të datës 26 mars 2015.

0
953

Ish-pjesëtarët e kësaj strukture gjithsejtë 483 janë integruar në institucione qendrore të shtetit të Kosovës, në bazë të ligjit për shërbimin civil, pas një procesi të rekrutimit ligjor. Sot kanë nënshkruar kontratat e punës me institucionet qendrore të Kosovës gjithsejtë 378 ish pjesëtarë të “Mbrojtjes civile” ndërsa më herët në tetor të vitit të kaluar 105 të tjerë.

Me këtë rast ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ka deklaruar se shuarja e të ashtuquajturës “Mbrojtje civile” e cila ka ndodhur sot, shënon një hap shumë të rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit, e cila u mundësua duke iu falënderuar Dialogut të Brukselit dhe Marrëveshjes për shuarjen e mbrojtjes civile. Sot janë integruar 378 ish pjesëtarë të mbrojtjes civile në institucionet qendrore të Kosovës duke e kompletuar numrin prej 483 personave të integruar, duke qenë se më herët ishin integruar 105 persona. Integrimi i këtyre personave në sistemin e Kosovës, të cilët nënshkruan kontratat e punës me institucionet e Kosovës, është një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të objektivave të Qeverisë së Kosovës për konsolidimin e sovranitetit dhe normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit dhe integrimin e serbëve të kësaj pjese jetën publike dhe shoqërore.

Ne, si Qeveri e Kosovës, konsiderojmë që progresi në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit është i një rëndësie strategjike, duke marrë parasysh se që nga fundi i luftës jemi ballafaquar me këtë sfidë dhe të cilën ne si Qeveri po e zgjidhim në mënyrë sistematike dhe hap pas hapi. Dialogu i Brukselit po tregohet një instrument i rëndësishëm që po ndihmon Kosovën për forcimin e sovranitetit shtetëror në çdo cep të vendit, ku roli i BE-së, SHBA-ve, Gjermanisë është vendimtar, theksoi Tahiri.

Ministrja, Edita Tahiri, po ashtu bëri me dije Ministria për Dialog kishte bërë të gjitha përgatitjet dhe koordinimet e nevojshme me të gjitha institucionet qendrore si dhe me BE-në, e cila rezultoi me sukses dhe ceremonia e nënshkrimit të kontratave të përfundoi me dinamikat e parapara.

Ceremonia është zhvilluar nën koordinimin e zyrtarëve të qeverisë, Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm i MAPL dhe Dren Zeka, këshilltar kryesor i ministres për Dialog si dhe është mbajtur në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore. Po ashtu, vlerësojmë bashkëpunimin dhe gatishmërinë për integrim të ish-pjesëtarëve të kësaj strukture nën koordinimin e Milenko Milentijevic dhe EULEX-in.

Në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, 378 personat që nënshkruan sot kontratat e punës me institucionet e Kosovës do të jenë të përfshirë në listën e pagave të buxhetit të Kosovës që nga 1 janari 2016, ka thekuar ministrja Tahiri.

Tahiri po ashtu potencoi se Kosova me përkushtim e përmbushi këtë Marrëveshje të Brukselit si edhe të gjitha të tjerat. Tash është radha te Serbia që t’i ndal pagat për këta pjesëtarë dhe të shfuqizoj ligjërisht këtë strukturë ilegale si dhe të bëhet dorëzimi i objekteve tek institucionet e Kosovës. Ne do të presim konfirmimin e BE-së që Serbia do t’i kryen këto obligime. Vlen të theksohet se pjesa e marrëveshjes për mbylljen e pikave të vëzhgimit në veri, të depove dhe dorëzimi i pajisjeve dhe ndalja e përdorimit të uniformave është kryer tashmë.

(Faqja zyrtare e kryeministrisë, 11/01/2016)