Si duhet t’i qaset qeveria e re e Kosovës dialogut Beograd-Prishtinë

Për dallim nga Hashim Thaçi ose Ramush Haradinaj, karrierat politike të të cilëve janë shpalosur nën një vel dyshimi, të shënuara me pjesëmarrjen në luftë në Kosovë, Albin Kurti nuk ka pse të mbajë të njëjtën barrë. Prandaj, ai mund të nisë të angazhohet me komunitetin serb në Kosovë nga fillimi. Kjo gjithashtu përfshin një agazhim në dialogun Beograd-Prishtinë, pasi që shumë marrëveshje kanë të bëjnë me jetën e përditshme të këtij komuniteti.

0
605

Studimi i konflikteve na tregon se konflikti etnik rishfaqet kur palët nuk flasin më me njëra-tjetrën dhe i kthehen antagonizimit të palës tjetër. Prandaj, ajo që është në veçanti me rëndësi në shoqëritë pas konfliki është të vazhdojnë dialogun me të gjitha grupet etnike. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ky dialog nuk ka të bëjë vetëm me serbët dhe shqiptarët në Kosovë, por ka të bëjë me një dialog të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë si entitete të veçanta.

Kur partia e Albin Kurtit, Vetëvendosje, fitoi zgjedhjet më të fundit, padyshim një ndjenje ekzaltimi u përhap jo vetëm tek shqiptarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, por edhe tek të gjithë ata që e mbajnë mend luftën në Kosovë dhe që u desht të përballen me faktin se të njëjtit njerëz që udhëhoqën luftën udhëhoqën Kosovën pas lufte. Elementë të tillë politikë të rrënjosur nuk janë të pazakonshëm në shoqëritë pas konfliktit dhe situatë të ngjashme mund të shohim edhe në pjesët e tjera të Ballkanit. Fitorja e Vetëvendosjes është momenti i parë i një ndryshimi të pushtetit prandaj nuk ështe çudi që gjeneron emocione por edhe ankth. Problemi me ndryshimin e pushtetit është se ende nuk e dimë se si do t’i qaset qeveria e re çështjeve të ndryshme, si p.sh. marrëdhënieve me ish-palët në konflikt ose si do të ndërtojë ajo një dialog ndërkomunitar. Kjo neglizhohet lehtë kur një qeveri e re përpiqet të përqendrohet në luftimin e korrupsionit, rritjen e sigurisë sociale e ekonomike dhe stabilitetit etj. gjëra që mund ti shohim edhe në platformën zgjedhore të Vetëvendosjes.

Pas fitores së Vetëvendosjes, e dëgjuam z. Kurti kur tha se dialogu Beograd-Prishtinë nuk është lart në agjendën e qeverisë së re. Por kjo deklaratë ka implikime më të mëdha për rrugën e integrimit të Kosovës në BE, meqë kjo është sikur të thuash se integrimi në BE nuk është lart në agjendë. Sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Kosovës me BE-në, dialogu Beograd-Prishtinë dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është kusht për anëtarësim në BE, gjë që vlen edhe për Serbinë. Rrugët e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit në BE janë të lidhura ngusht, fakt ky të cilin politikanëve në rajon u pëlqen ta neglizhojnë dhe shpeshherë i kthehen retorikës antagonizuese. Prandaj, para se të dyja palët t’i ndëpresin krejt  bisedimet me njëra-tjetrën, do të ishte e dobishme të mendojnë përsëri se si mund të ngjallet një dialog i suksesshëm midis tyre pas formimit të një qeverie nga z. Kurti.

Aspekti i parë të cilit duhet kushtuar vëmendje është antagonizimi, siç e përmenda edhe më parë. Duke pasur parasysh të kaluarën e Vetëvendosjes si një lëvizje protestuese, nëse ajo do të kalojë në fushën e politikës së institucionalizuar, protestat dhe konfrontimet nuk janë përgjigje. Për një kohë të gjatë identiteti i Vetëvendosjes është përkufizuar kundër nacionalizmit serb, shtypjes, ekspansionizmit etj. dhe mund ta vërejmë në retorikën e z. Kurti, ku është i theksuar artikulimi i Serbisë si agresor. Sidoqoftë, ajo që kjo retorikë bën është njëjtësim i shtetit me autorë individualë nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, me popullatën më të gjerë serbe që jeton përtej kufijve. Një retorikë antagoniste mund të vërehet gjithashtu kur flitet për Listën Srpska (LS), partinë më të madhe serbe në Kosovë. Edhe pse nuk është sekret që LS është e mbështetur nga Beogradi dhe është pjesërisht një vegël për margjinalizimin e opsioneve të tjera politike për serbët në Kosovë, ajo megjithatë është një parti e zgjedhur që përfaqëson interesat e komunitetit serb. Ajo nuk është veç një vegël e Beogradit dhe shumë serbë mbështesin politikën e LS-së. Sidoqoftë, qeveria e re e udhëhequr nga z. Kurti duhet të jetë e kujdesshme për të mos homogjenizuar komunitetin serb në Kosovë, meqë ata shpesh nuk kanë zgjedhje se kë mbështesin politikisht a jo. Duke pasur parasysh faktin se jetesa e shumë vetëve varet nga institucionet e financuara nga Serbia, një zgjedhje midis LS-së dhe cilësdo partie tjetër nuk është zgjedhje në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Qeveria e re duhet të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të biseduar edhe me LS-në edhe me Qeverinë serbe – të paktën për hir të serbëve të Kosovës, të cilët ata duhet t’i konsiderojnë qytetarë të tyre.

Së dyti, ajo që qeveria e re mund të shfrytëzojë në favor të saj, veçanërisht në marrëdhëniet me komunitetin serb, është fakti që Vetëvendosje dhe z. Kurti nuk mund të lidhen me luftën në Kosovë. Për dallim nga Hashim Thaqi ose Ramush Haradinaj, karrierat politike të të cilëve janë shpalosur nën një vel dyshimi, Albin Kurti nuk ka pse të mbajë të njëjtën barrë. Prandaj, ai mund të nisë të angazhohet me komunitetin serb në Kosovë nga fillimi. Kjo përfshin edhe një agazhim në dialogun Beograd-Prishtinë, pasi që shumë marrëveshje kanë të bëjnë me jetën e përditshme të këtij komuniteti.Për këtë qëllim, polarizimi i mëtejshëm i debateve politike rreth bashkimit me Shqipërinë duhet të ndalet, pasi që nuk i sjellë dobi askujt nëse kryeministri i ardhshëm vë në dyshim Kushtetutën e Kosovës. Nëse nuk është prioritet angazhimi në marrëdhëniet me Serbinë, me të cilën Kosova ka të paktën një numër çështjesh të hapura, pse duhet të jetë prioritet angazhimi në marrëdhëniet me Shqipërinë?

Aspekti i tretë ka të bëjë me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Duke pasur parasysh faktin që Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, fusha e lojës ndërkombëtare ndryshon në favor të Kosovës. Kjo gjithashtu përfshin dialogun me Serbinë, pasi që një nga gjërat e para që administrata e Biden-it i ka komunikuar Serbisë, hiç më pak se në ditën e shtetësisë së Serbisë, është pritshmëria e tyre nga Serbia për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën që do të rezultonte në njohje reciproke. Ka të ngjarë që përsëri do të ndodhë një përafrim mes BE-së dhe SHBA-së përsa i përket dialogut Beograd-Prishtinë dhe mund të pritet që të ndalet praktika e administratës Trump e cila favorizonte “zgjidhje të shpejta” (si psh. mbështetja e idesë së ndarjes). Mund të pritet se Serbia do të përballet me presion ndërkombëtar gjithnjë në rritje për të njohur Kosovën dhe në një konstelacion të tillë, Kosova nuk ka nevojë t’i fryjë zjarrit duke vendosur të mos bisedojë me Serbinë.

Nëse Kosova dëshiron të mbajë BE-në si partnere (dhe si rrjedhojë edhe SHBA-në), dialogu në Bruksel do të duhet të vazhdojë. Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe stabilizimi i rajonit është prioritet për BE-në dhe së këndejmi duhet të jetë prioritet për Kosovën. Pë këtë qëllim, durimi është çelësi. Ndërtimi i një qeverie të qëndrueshme në Kosovë nuk mund të realizohet me frymë revolucionare dhe politikë protestash. Derisa fryma e Vetëvendosjes është për admirim, veçanërisht thirrja e saj për drejtësi sociale dhe masa anti-korrupsion, duhet të kemi parasysh se kur një parti e protestës institucionalizohet, ajo duhet të navigojë kontekstin e ri me mjetet që tashmë janë në dispozicion. Z. Kurti do të duhet të angazhohet me strukturat e rrënjosura që edhe më tej ekzistojnë në Kosovë dhe heqja e tyre nuk do të jetë detyrë e lehtë. Për të udhëhequr një qeveri me sukses, nuk mjafton vetëm të jesh kundër diçkaje. Prandaj, as qëndrimi konfrontues me Serbinë nuk është mënyra e duhur, dhe zgjedhja kreative e fjalëve si gjithmonë do të luajë një rol të madh në dialogun Beograd-Prishtinë. Siç thotë thënia e famshme, “fjalët krijojnë botëra”, pra nuk duhet nënvlerësuar fuqinë e fjalëve të zgjedhura dhe gjuhën me respekt në vend të retorikës antagonizuese.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.