Si ia doli Vučić t’u kufizonte lirinë kosovarëve

Vendimi i Supremes i jep një fitore shumë më të madhe Vučić-it se sa thjesht një apo dy deputetë më shumë në Legjislaturën e VIII të Kuvendit të Kosovës. Thjesht, kufizimi i një të drejte elementare për të gjithë qytetarët e Kosovës përbën fitore të madhe për armikun e hapur të Pavarësisë.

0
611

Pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 14 shkurtit u mor vesh se një subjekt politik boshnjak dhe një subjekt politik rom kishin marrë shumë vota nga qytetarët serbë të Kosovës. Nuk është se serbët e Kosovës njiheshin si votues përtej vijave etnike, prandaj kjo nxori menjëherë dyshimin se subjekti boshnjak dhe ai rom kishin pasur marrëveshje të fshehtë me Listën Serbe. Por, duheshin prova. Ose… jo!

Para pak javësh, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi që përfundimisht ‘ta kallte lojën’ e Listës Serbe me pakicat joserbe në Kosovë. Kjo Gjykatë vendosi që ‘ta luftonte’ Serbinë dhe Vuçiqin duke shkelur me të dyja këmbët vetë Kushtetutën e Kosovës dhe konceptet elementare të së drejtës zgjedhore.

Surpemja vendosi t’i anulonte votat për boshnjaken Adrijana Hodžić në komunat me shumicë serbe me arsyen se nuk kishte pasur mjaftueshëm banorë boshnjakë që mund ta votonin. Pra, në mënyrë arbitrare, Supremja vendosi që t’ua ndalonte banorëve serbë të Kosovës që të votonin për përfaqësues boshnjakë, romë, apo edhe shqiptarë. Në fakt, përmes atij vendimi, Supremja ua ndaloi të gjitha komuniteteve etnike që të votonin jashtë vijave etnike. Shqiptarët duhej të votonin shqiptarë, serbët duhej të votonin serbë, boshnjakët duhej të votonin boshnjakë, romët romë e kështu me radhë. Pra, Supremja e etnicizoi edhe votimin si proces demokratik duke e marrë dhunshëm të drejtën elementare për votim të lirë nga qytetarët. Gjykata pretendoi se votat për Hodžić -in dhe Iniciativën Rome kishin qenë “të orkestruara” ani pse nuk u lodh të ofronte ndonjë provë si mbështetje për pretendimin. Madje, nuk ka asnjë njoftim për fillime të hetimeve në këtë drejtim. Jo, mjafton dyshimi që serbët nuk mund të votojnë joserbë. Mjaftojnë thashethemet.

Askush nuk reagoi për këtë vendim të turpshëm. Asnjë politikan shqiptar. As Albin Kurti. Në fakt, pashë vetëm një reagim të shkurtër të ish-këshilltarit të Kurtit, Durim Berishës, për një gazetë online:

“Për fat të keq, si duket nën ndikimin e opinioneve të dhëna në studiot televizive, kjo Gjykatë konstatoi se votat e një subjekti politik të fituara në një zonë të banuar me shumicë nga një minoritet tjetër (por jo vetëm nga pjesëtarët e atij minoriteti) janë të pavlefshme… Pavarësisht që organizimi i Listës Serbe nuk na ka pëlqyer, gjyqtari gjykon mbi bazën e akteve juridike dhe jo mbi bazën e emocioneve.”

Vendimi i Supremes i jep një fitore shumë më të madhe Vučić-it se sa thjesht një apo dy deputetë më shumë në Legjislaturën e VIII të Kuvendit të Kosovës. Thjesht, kufizimi i një të drejte elementare për të gjithë qytetarët e Kosovës përbën fitore të madhe për armikun e hapur të Pavarësisë. Ky armik i hapur i pavarësisë vazhdimisht ka dëshmuar se nuk ka trohë respekti për demokracinë. Ka cenuar vazhdimisht lirinë politike të vetë komunitetit serb, dhe tashmë aksidentalisht ia doli të cenonte lirinë politike të secilit qytetar të Kosovës. Urra për ta!

Por, është një fitore edhe për faktin se e bën Kosovën të duket si një shtet qesharak. Si një shtet në të cilin gjyqtarët kryesorë ndikohen prej opinioneve të shprehura në studio televizive e emocioneve. Si një shtet ku askush nuk i ka të përbrendësuara të drejtat dhe liritë themelore të tij. Por, përbën fitore edhe në kontekstin aktual politik duke ua kufizuar edhe me ligj qytetarëve serbë që nuk janë të kënaqur me përfaqësuesit e tyre politikë që të votojnë në baza etnike. Ky vendim solidifikon argumentin e Srpska-s dhe partive tjera nacionaliste që u kërkojnë votuesve të mos shohin përtej etnisë së tyre.

Nuk do të habitesha aspak nëse interesi i vërtetë i Vuçiqit ka qenë pikërisht të merrte një vendim të tillë nga Supremja, dhe jo thjesht një a dy deputetë të tjerë që edhe ashtu s’do t’i kryenin punë të madhe në Kuvend – e për të cilët kushedi çka do të jepte në këmbim!

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.