Si na përçau, përsëri, Peter Handke

Të gjitha këto zhvillime të ditëve të kaluara lanë një shije të hidhur në gojë dhe vetëm treguan se  sa pak duhet që në këto vende, kaq shumë vite pas luftës, njerëzit të përçahen. Nuk them që kjo ndarje e Nobelit Handke-s është pak, dhe mbi të gjitha e kuptoj mllefin e njerëzve në regjion, por ky është qartazi një tregues se pothuajse nuk kemi lëvizur nga vendi në procesin e pajtimit.

0
282

Që nga momenti kur në opinion doli lajmi që Peter Handke është fituesi i çmimit Nobel për letërsi këtë vit, mendimet në hapësirën e ish-Jugosllavisë ishin të ndara. Sa më shumë që afrohej ceremonia e ndarjes së çmimit, aq më shumë ngriteshin tensionet dhe përçarjet.

Në fakt, Peter Handke më 1996 shkroi pamfletin „Drejtësi për Serbinë“, i cili shkaktoi, dhe qartazi edhe më tutje po shkakton, shumë kontradikta. Handke konsiderohet si një nga mbështetësit e politikës së Slobodan Milošević-it, në favor të kësaj flet edhe vizita e tij Milošević-it në gjykatën e Hagës si dhe ardhja në funeralin e tij. Edhe pse këto ditë ai ka refuzuar të flasë apo të shprehë mendimin e tij për Milošević-in, Handke është definitivisht një nga ata persona që vazhdon të shkaktojë trazira, polemika dhe ngjallë kujtime nga ditët e luftës midis popujve të ish-Jugosllavisë.

Protestat kunduer vendimit të komitetit për ndarjen e çmimeve Nobel kanë ardhur prej anëve të ndryshme, në veçanti nga regjioni. Në ditën e ndarjes së çmimit, një numër i madh i shtetasve të Bosnjës e Hercegovinës u mblodhën në Stokholm, si ata që jetojnë në Suedi, ashtu edhe ata që kanë udhëtuar nga Bosnja, për të shprehur pakënaqësinë e tyre me këtë vendim dhe me nobelistin e ri. Ndërkohë, kantoni i Sarajevës dhe Kosova e shpallën Handken persona non-grata, më saktësisht person të padëshirueshëm në këto hapësira. Përveç kësaj, disa shtete po ashtu vendosën që të bojkotojnë ndarjen e çmimit Nobel për vitin 2019. Përfaqësuesit e Shqipërisë, Bosnjes e Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë vendosën të anulojnë pjesëmarrjen e tyre në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel. 

Përkundër të gjitha këtyre, më 10 dhjetor, në ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve, çmimi Nobel për letërsi iu nda Peter Handke-s.

Ndërsa ndodhte e tërë kjo, natyrisht ekzistonte edhe ana tjetër. Përfaqësuesit dhe shoqatat e serbëve në Stokholm organizuan një kundër protestë në mbështetje të Handke-s. Për këtë, natyrisht as Qeveria e Serbisë nuk qëndroi indiferente, duke thënë se ai i vetmi ka thënë të vërtetën për serbët. Derisa shumë ministra e përgëzonin Handke-n, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, duke ia uruar, shtoi që serbët, përveç Ivo Andrić-it,  tani kanë edhe një nobelist.

Të gjitha këto zhvillime të ditëve të kaluara lanë një shije të hidhur në gojë dhe vetëm treguan se  sa pak duhet që në këto vende, kaq shumë vite pas luftës, njerëzit të përçahen. Nuk them që kjo ndarje e Nobelit Handke-s është pak, dhe mbi të gjitha e kuptoj mllefin e njerëzve në regjion, por ky është qartazi një tregues se pothuajse nuk kemi lëvizur nga vendi në procesin e pajtimit. Edhe më tutje diskutojmë se kush ka pasur të drejtë, kush ka pësuar më shumë, kush ka qenë fajtor, kush është dashur të mbështetet… Duke harruar gjatë tërë kohës atë më të rëndësishmen: njerëzit, kanë pësuar njerëzit e pafajshëm. Duhet të kujtojmë dhe të mos harrojmë kurrë, që mos ta përsërisim.

Siç e tha sikush, duket që Peter Handke e ktheu fantazmën e Slobodan Milošević-it midis nesh. Na kujtoi tmerret dhe politikën luftënxitëse të viteve nëntëdhjetë. Qoftë ai Handke apo kushdo tjetër, një gjë mbeti e sigurt: na duhet ende punë për pajtim, mirëkuptim dhe falje. Ende na duhet  angazhim dhe punë për të kapërcyer dhimbjen dhe për të jetuar në paqe. Sepse qartazi është vetëm çështje kohe kur ndonjë fantazmë nga e kaluara, sikur Handke, do të na kujtojë ku kemi qenë dhe çka kemi përjetuar në fund të shekullit të kaluar. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE