Si u komentua deklarata e Kuintit në media?

0
52

Qeveritë e vendeve të Kuintit (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar), më herët këtë muaj, përmes një deklarate i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë rifillojnë menjëherë dialogun për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurtë dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse… Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës,” është thënë në deklaratë.

Dy ditë më vonë, kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh në favor të vazhdimit të dialogut me Serbinë por, sipas tij, ai duhet të jetë pa kushte. Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj tha se qeveria e Kosovës i ka prezentuar vendeve të Kuint-it dhe Bashkimit Evropian, projekt-marrëveshjen gjithëpërfshirëse ku përfshihen tema të papërfunduara për njohje të dyanshme në kufijt ekzistues. “E ritheksoj: dialog pa kushte dhe pa vonesa. TREGU për NJOHJEN (sic)”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Đurić, reagoi pas deklaratës së Quint-it. Sipas njoftimeve në media, Đurić ka thënë se “nuk mund të ketë një akt balancimi artificial, pasi nuk është e njëjtë kur dikush  mbron veten kundër anëtarësimit të paligjshëm në organizatat ndërkombëtare dhe kur dikush shkel marrëveshjen e CEFTA-s dhe traktatet ndërkombëtare”.

Duke komentuar deklaratën e Kuintit, eksperti i Evropës Juglindore, Eric Gordy, thotë se nuk mendon që Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë ndonjë hap domethënës përpara zgjedhjeve dhe se aktualisht nuk ka besim të mjaftueshëm midis Beogradit dhe Prishtinës për të punuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, profesori Gordy, i University College London (UCL), thotë se deklarata e Kuintit nuk ofroi asgjë në këmbim për palët. Unë mendoj se nuk ka ndonjë arsye të veçantë që Serbia dhe as Kosova të ndërmarrin ndonjë hap të madh, pasi asgjë nuk ofrohet në këmbim. Përmendet anëtarësimi eventual në Bashkimin Evropian (BE), por dihet mirë se kjo nuk është realiste në një afat të shkurtër.

Në anën tjetër, politologu, Ramush Tahiri, në një deklaratë dhënë Telegrafit, thekson barasvlershmërinë e thirrjes së Kuintit drejtuar Kosovës dhe Serbisë. “Dialogu është ndërprerë tash e një vit gati, dhe fajet mund të jenë të ndryshme, por ajo që është me rëndësi tek deklarata është se Kosova duhet ta suspendoj taksën dhe Serbia duhet ta ndalë propagandën kundër pavarësisë së Kosovës, dhe kundër njohjeve. Mua më duket thirrje e mirë dhe e barasvlefshme, sepse kur është vënë taksa ka qenë për shkak të politikes agresive të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Pra nëse hiqet ajo politikë agresive atëherë edhe taksa nuk ka arsye të qëndrojë, pasi që nuk ka objekt.”, ka thënë ai.

Njohësja e procesit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Jeta Krasniqi, e Institutit Demokratik të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ri-legjitimimi i skenës politike në Kosovë është parakusht për vazhdimin e dialogut. “Politikisht Kosova në skenën politike është në një situatë të tillë që duhet të ri-legjitimojë institucionet e saj në mënyrë që të shtyhet përpara qoftë procesi i dialogut, qoftë edhe proceset tjera, qoftë përmes një qeverie të re, qoftë përmes zgjedhjeve. Procesi i dialogut udhëhiqet nga kryeministri në koordinim me presidentin dhe nën mbikëqyrjen e Kuvendit dhe këto tri hallka duhet të jenë funksionale në mënyrë që të ecet përpara”, thotë Krasniqi.

kolumnen e tij të rregulltë në lajmi.net, Blerim Shala, ish-koordinator i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, aktualisht këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi, thotë se ka kohë që në politikën kosovare nuk tregohet vullnet për të kuptuar se çfarë na porositin kryeqendrat perëndimore. Sipas tij, politikën kosovare vazhdimisht e mbizotërojnë dy tendenca: në njërën anë delli për të treguar panevojshëm se Kosova është e pavarur dhe sovrane që di t’i mbrojë vetë interesat shtetërore dhe në anën tjetër pritshmëria që kryeqendrat perëndimore kurdoherë do t’i vijnë në ndihmë Kosovës për ta shpëtuar nga problemet e brendshme. Tendenca e parë, sipas Shalës, bën që “në kërkimin e meçdokushtshëm që të dëshmohemi si ‘sovran’, të shfaqet edhe në trajtë të atij interpretimi të gabuar, të paqëndrueshëm të këshillave dhe porosive të cilat i kemi marrë nga kryeqendrat perëndimore, përfshirë edhe këtë më të fundit”. Shala sugjeron se deklarata e lëshuar nga vendet e Kuintit synon që ta parandalojë temën e taksës dhe dialogut të bëhen “burim i ‘kontaminimit politik’ fushatën parazgjedhore e cila ka nisur edhe para se të shpërbëhet Kuvendi dhe të shpallet data e zgjedhjeve.”

SHARE