Simbolet shtetërore të Kosovës në Kllokot, Lista Serbe i quan provokim

0
90

Partia parlamentare dhe qeveritare në Kosovë, Lista Serbe, përmes një kumtese për medie ka reaguar kundër vendosjes së simboleve shtetërore të Kosovës në komunën e saj Kllokot.

Ajo ka thënë se simbolet e Republikës së Kosovës “i shqetësojnë serbët e Anamoravës”, transmeton Koha.net.

“Me qëllim të qartë që serbët frikësohen edhe më shumë e ta braktisin Kosovën, po shtohet në çdo mënyrë presioni ndaj popullit serb dhe ndaj përfaqësuesve të tyre legalë e legjitimë – që nga vringëllima me armë, vjedhjet e shpeshtuara, aktakuzat e montuara e tash edhe provokime të tilla”, thotë kumtesa e Listës Serbe e publikuar në medie të Beogradit .

Theksohet se as kryetari i komunës, as këshilltarët e Listës Serbe që e bëjnë shumicën në Kllokot, nuk kanë qenë të njoftuar se “kush e ka bërë dhe kush e ka vendosur këtë tabelë si vezë qyqeje në komunës serbe Kllokot”.

Sipas kumtesës, “ndërtesa është ndërtuar me mjete të Bashkimit Evropian, i cili zyrtarisht është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe nga Lista Serbe pret nga BE që “ t’i urdhërojë ata që e kanë vendosur simbolet t’i largojnë ato”.

(koha.net, 04/03/2019)

SHARE