Spanja, Kosova, Katalonia dhe Serbia

Qasja e Spanjës është një faktor shtesë që e bën të domosdoshme një zgjidhje përfundimtare të konfliktit Kosovë-Serbi. Derisa Spanja dhe 4 vende tjera të BE-së nuk e njohin Kosovën shtet, e ardhmja evropiane e Kosovës do të mbetet e bllokuar. Një marrëveshje Kosovë-Serbi do të mënjanonte çdo argument kundër shtetësisë së Kosovës.

0
316

Spanja është një nga 5 shtetet e BE-së që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Ajo refuzon ta pranojë pavarësinë e Kosovës sepse e sheh Kosovën si precedent të rrezikshëm jo vetëm për territorin e vet, por edhe më gjerë.

Historikisht, ndërveprimet e Spanjës me Ballkanin kanë qenë të ulëta. Gjatë shek. XX raportet kanë qenë sporadike. Episodi i parë i relacioneve ka qenë pjesëmarrja në “Brigadat internacionale” në Luftën Qytetare në Spanjë. Në mesin e tyre kishte edhe shqiptarë nga Kosova. Episodi i dytë ishte përpjekja e rezervuar e Spanjës për t’u bërë pjesë e grupit të “Shteteve të Painkuadruara” që udhëhiqej nga Jugosllavia.

Që nga shpërthimi i konfliktit në ish-Jugosllavi më 1991, për herë të parë Spanja mori veprime proaktive me këtë pjesë të Evropës. Spanja është një shtet i decentralizuar kuazi-federal dhe kjo i është shfaqur edhe në politikën e jashtme. Ajo gjithnjë ka mbrojtur ekzistencën e shteteve me tipare të tilla.

Kjo ishte arsyeja pse më 1991, Ministri i athërshëm i Jashtëm i Spanjës, Francisco Fernandez-Ordonez, i propozoi Këshillit për Çështje të Jashtme të BE-së për të përshpejtuar procedurat e integrimit të Jugosllavisë në BE si mënyrë për të ndalur shpërbërjen e saj. 

Gjatë luftës në Kosovë, Spanja mori pjesë në bombardimet e NATO-s mbi Serbinë. Pas luftës, deri më 2009, Spanja ka qenë donatori i gjashtë më i madh në UNMIK dhe KFOR. Më pas ajo refuzoi të mbështet EULEX-in sepse konsideronte se po e ndihmon konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Kësisoj, më 2009, Spanja deklaroi tërheqjen e trupave të saj paqëruajtëse nga Kosova.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, përkundër faktit që Spanja është parë nga shumë si neutrale, ajo ka përkrahur Serbinë dhe ka kundërshtuar Kosovën. Kjo për shkak se Serbia konsiderohet si trashëgimtarja e Jugosllavisë. Kjo vijë është ndjekur nga të gjithë ministrat e jashtëm spanjollë, pavarësisht përkatësive të tyre partiake. Por kundërshtimi spanjoll i Kosovës është i bazuar edhe mbi dy elemente shtesë.

Fillimisht, pas invazionit amerikan në Irak, qeveria socialiste spanjolle u bë avokate e fortë e ligjit ndërkombëtar. Mbi këtë premisë Spanja e kishte dhënë opinionin e saj në GJND dhe kishte thënë se “Deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhunon parimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, që sipas saj ishte “i kodifikuar në rezolutën 1244”. Sipas saj, pavarësia e Kosovës është e paligjshme sepse është shpallur në mënyrë unilaterale dhe pa lejen e Serbisë.

Së dyti, frika se Katalonia dhe rajoni bask mund të ndjekin rrugën e Kosovës dhe të shpallin pavarësinë e vet e ka shtyrë Spanjën që të jetë edhe më rigoroze në kundërshtimin e saj. Më 2009, ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Jose Garcia Margallo, deklaroi se “Spanja nuk e njeh Kosovën për shkak të Katalonisë dhe rajonit bask, edhe pse nuk janë të krahasueshme”.

Kosova dhe rajonet autonome në Spanjë janë të krahasueshme, por jo të barazueshme, e rrjedhimisht as nuk mund të tërhiqet paralelja e precedentit mbi Kosovën. Problemi më i madh i Spanjës, Katalonia, mund të thotë se Kosova është precedent për të, por realiteti është krejt ndryshe.

Katalonia dhe Kosova nuk kanë gati asgjë të përbashkët. Katalonia e pa vendimin e GJND-së si akt që legalizon edhe pavarësimin e saj, por opinioni i GJND-së thotë që “Deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkelë Kornizën Kushtetuese të Kosovës,” ndërkohë që Kushtetuta e Spanjës në mënyrë të qartë e ndalon pavarësimin.

Tutje, Katalonia kërkon pavarësi në një situatë kur ajo ka njërën nga autonomitë më të gjera në Evropë, ku nuk ka diskriminim kulturor dhe etnik dhe ku gëzon një standard të lartë jetësor. Katalonia nuk kishte nevojë për një intervenim ushtarak dhe protektorat ndërkombëtar që do ta ruante popullsinë e saj nga regjimi spanjoll.

Kjo dallon radikalisht nga situata ku Kosova e shpalli pavarësinë. Në Kosovë për një dekadë Serbia kishte anuluar autonominë dhe të drejtën e arsimimit të shqiptarëve. Kosova kishte rënë në apartheid dhe shqiptarët ishin segreguar. Ekonomikisht, Kosova ishte rajoni më i varfër në Evropë.

Pasi nisi lufta, Serbia nisi një kampanjë gjenocidale mbi shqiptarët dhe kreu spastrim etnik, duke dëbuar rreth 1.5 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre. U desht intervenimi i NATO-s që një gjë e tillë të përfundonte. Pas luftës, Kosova për 9 vite ishte nën protektorat ndërkombëtar. Kosova kishte argumete të fuqishme për pavarësi, ndërkohë që Katalonia nuk ka.

Shkurt, Katalonia nuk është si Kosova sepse Spanja nuk është si Serbia. Spanja, për dallim prej Serbisë, rajoneve jospanjolle u jep format më të larta të vetëvendosjes së brendshme. Prandaj këto rajone nuk mund të kërkojnë vetëvendosje të jashtme: secesionin. Kjo është arsyeja pse gati asnjë shtet nuk e përkrahë Kataloninë në ambiciet e saj për pavarësi.

Për më tepër, ishte OKB-ja ajo që propozoi pavarësinë për Kosovën, kurse rezoluta 1244 jo që nuk e ndalonte, por edhe e sugjeronte atë. GJND-ja tha që “deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244”. Po të donte OKB-ja ta ndalonte pavarësinë e Kosovës, do ta përjashtonte atë opsion sikur në rastin e Qipros, kur më 1998 Këshilli i Sigurimit betonoi karakterin “unitar të shtetit” qipriot.

OKB-ja do të mund të bënte një rezolutë që do ta zhvleftësonte deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Ashtu si kur veproi më 1992, përmes rezolutës 787 e shpalli të paligjshme pavarësinë e Republika Srpskas në Bosnjë.

Edhe pse faktet tregojnë se Katalonia dhe Kosova nuk mund të njëjtësohen, Spanja këmbëngul në mosnjohje. Madje, pas ardhjes së djathtistëve të Partisë Popullore në pushtet në vitin 2011, Spanja e ngurtësoi kundërshtimin e saj. Ish-kryeministri Mariano Rajoy ka deklaruar kohë pas kohë se ky qëndrim nuk do të ndryshojë. Spanja madje bojkotoi pjesëmarrjen në Samitin e Sofjes për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës. Ardhja e socialistëve në pushtet pas zgjedhjeve në këtë verë nuk do ta zbutë pozicionin e Spanjës kundrejt Kosovës.

Mirëpo, duhet të qartësohet fakti se Spanja është e hapur që ta pranojë Kosovën në rast të një marrëveshjeje mes saj dhe Serbisë. Spanja nuk e kundërshton krijimin e shteteve të reja në parim. Ajo ka njohur Malin e Zi në vitin 2006 dhe Sudanin Jugor më 2011. Ajo kundërshton deklaratat e njëanshme të pavarësisë.

Për këtë arsye ajo kundërshtoi edhe referendumin në Krime. Spanja është përkrahëse e dialogut Kosovë-Serbi dhe ka shumë gjasa që ajo do ta njohë Kosovën në rast se Serbia e bën një gjë të tillë. Sepse në atë rast shtetësia e Kosovës nuk do të kishte më karakter unilateral.

Qasja e Spanjës është një faktor shtesë që e bën të domosdoshme një zgjidhje përfundimtare të konfliktit Kosovë-Serbi. Derisa Spanja dhe 4 vende tjera të BE-së nuk e njohin Kosovën shtet, e ardhmja evropiane e Kosovës do të mbetet e bllokuar. Një marrëveshje Kosovë-Serbi do të mënjanonte çdo argument kundër shtetësisë së Kosovës.

SHARE