‘Stikerat’ zgjidhin përkohësisht krizën rreth targave

Pas një tensionimi 10 ditor, situata në dy pika kufitare në veri të Kosovës filloi të shtendoset me arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës e Beogradit, me lehtësimin e BE-së dhe mbështetjen amerikane në këtë proces. Marrëveshja solli një zgjidhje të përkohshme por ofron një afat prej gjashtë muajsh për gjetjen e një zgjidhje të përhershme për përdorimin e targave respektive.

0
26

I lehtësuar nga Bashkimi Evropian, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, që synon gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, u duk se po rrëshqiste drejt një qorrsokaku muajin e kaluar. Ndonëse i nisur në vitin 2011 si dialog teknik, vetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajčak, thotë se në këtë dialog asgjë nuk është teknike, gjithçka është tejet politike.

Më 20 shtator, Policia e Kosovës filloi të zbatojë një masë reciprociteti, duke lëshuar tabela të përkohshme për të gjitha automjetet me regjistrim të Serbisë që hyjnë në Kosovë, ashtu siç ka vepruar Serbia me vite tëra me tabelat “prova” për automjetet me regjistrim të Kosovës. Sipas njoftimeve zyrtare, në periudhën 20 – 26 shtator, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), respektivisht Agjencia për Regjistrim Civil (ARC), ka administruar gjithsej 10110 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

Për të siguruar zbatimin e këtyre masave në vendkalimet kufitare Jarinjë e Bërnjak, në veri të vendit, autoritetet kosovare dërguan pjesëtarë të njësisë speciale, ROSU. Në shkurt të vitit 2008, këto dy pika ishin sulmuar dhe u ishte vënë zjarri nga pjesëtarë të komunitetit serb të zemëruar me shpalljen e pavarësisë nga Kosova. Këtë herë, pjesëtarë të komunitetit serb bllokuan rrugët me kamionë e vetura.

Qeveria e Kosovës e arsyetoi vendimin duke e ndërlidhur me skadimin e afatit të marrëveshjes së arritur në mes dy vendeve në vitin 2016 në Bruksel. Kryeministri, Albin Kurti, theksoi se “veprimet e ndërmarra… nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi… nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshjeje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”.

Subjekti më i madh politik që përfaqëson komunitetin serb të Kosovës, Lista serbe, e konsideroi këtë veprim si provokim. “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve tanë të jenë të përmbajtur dhe të mos bien pre e provokimeve, sepse ky është një provokim i Prishtinës; ne supozojmë se serbët do të kufizoheshin në lirinë e tyre të lëvizjes duke ua konfiskuar targat nga Serbia”, deklaroi Igor Simić, ndërsa bashkëpartiaku i tij, Goran Rakić, ministër për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, i bëri thirrje presidentit serb, Aleksandar Vučić, që të reagojë. Presidenti Vučić thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth situatës, duke e konsideruar vendimin e Prishtinës të padrejtë dhe të papranueshëm për serbët. 

Në Zubin potok u dogj Qendra e regjistrimit të automjeteve, e cila ndodhet në ndërtesën e komunës, ndërsa në Zveçan, policia dyshoi se ishte vendosur një mjet shpërthyes në Qendrën e Regjistrimit Civil. Serbia tha se njësi të saj ishin në shkallë të lartë të gatishmërisë luftarake, nxori tankset nga kazerma e qytetit të Rashkës ndërsa helikopterë ushtarak e avionë luftarakë të ushtrisë serbe fluturuan në afërsi të kufirit.

BE, SHBA dhe NATO u bënë thirrje palëve që të përmbaheshin nga veprimet e njëanshme dhe të bisedonin për zgjidhjen e çështjes. Pas dy ditë bisedimesh, më 30 shtator në Bruksel u njoftua arritja e marrëveshjes për shtensionim të situatës dhe përdorimin e letrave ngjitëse, stikerave, si zgjidhje të përkohshme për të mbuluar simbolet shtetërore respektive. Marrëveshja parasheh krijimin e një Grupi të punës të përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Ky grup, brenda gjashtë pritet t’i paraqesë gjetjet e tij  për një zgjidhje të përhershme formatit të nivelit të lartë të Dialogut.   

SHARE