Sulmet e pandriçuara kundër serbëve në Kosovë

Ndriçimi i krimeve që mund të jenë ndëretnike vazhdon të mbetet sfidë e madhe për autoritetet në Kosovë. Organet ndjekëse deri më tani kanë dështuar t’i zbulojnë motivet e disa sulmeve kundër qytetarëve serbë që kanë ndodhur vitet e kaluara dhe t’i vënë para drejtësisë autorët e tyre. Megjithëse ka rënje të numrit të incidenteve ndëretnike, çdo sulm i tillë konsiderohet se minon besimin në sigurinë dhe marrëdhëniet e përgjithshme mes komuniteteve.

0
417

Ndriçimi i krimeve që mund të jenë ndëretnike vazhdon të mbetet sfidë e madhe për autoritetet në Kosovë. Organet ndjekëse deri më tani kanë dështuar t’i zbulojnë motivet e disa sulmeve kundër qytetarëve serbë që kanë ndodhur vitet e kaluara dhe t’i vënë para drejtësisë autorët e tyre. Megjithëse ka rënje të numrit të incidenteve ndëretnike, çdo sulm i tillë konsiderohet se minon besimin në sigurinë dhe marrëdhëniet e përgjithshme mes komuniteteve.

Fshati Gorazhdec, i Pejës, i cili sot ka rreth 700 banorë të përkatësisë serbe – një e treta e numrit të atyre që kanë jetuar aty para vitit 1999 – ka qenë cak i disa sulmeve që deri më tani kanë ngelur të pandriçuara.

Në mesnatën ndërmjet së dielës dhe të hënës së 9 dhjetorit të vitit 2015 në këtë fshat janë dëgjuar shkrepje armësh. Nga të shtënat ishte dëmtuar një shtëpi private si dhe ishte dëmtuar me forcë një përmendore në atë fshat, që ishte ngritur për të përkujtuar, siç thuhet, viktimat e sulmeve të NATO-s. Njësitë e policisë kishin gjetur një makinë të djegur, ndërsa një shtëpi banimi është qëlluar me katër plumba. Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës kishte iniciuar hetimet por ato ende nuk kanë përfunduar. Zyrtarë të policisë së Kosovës kanë konfirmuar për “New Perspektiva” se rasti vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve DRP (Drejtoria Rajonale e Policisë) – Pejë:

“Rasti është duke u hetuar në vazhdimësi, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit, dhe në lidhje me progresin e hetimeve do të njoftoheni me kohë, meqë grupet hetimore të caktuara për këto raste nuk kanë përfunduar ende me hetim”, thuhet në përgjigjen e departamentit për informim të Policisë së Kosovës.

Edhe Prokuroria e shtetit ka thënë se është duke u marrë me rastin:

“Ju njoftojmë se hetimet rajonale në Pejë kanë njoftuar këtë prokurori lidhur me rastin dhe që nga dhjetori i vitit 2015, janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të zbulimit të kryesit apo të kryerësve të kësaj vepre penale. Kallëzimi penal është ushtruar kundër kryerësve të panjohur dhe hetimet nga ana e Policisë së Kosovës, janë duke u ndërmarrë në bashkëpunim me zyrtarët e EULEX-it”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ekrem Lutfiu.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, kishte dënuar incidentin me të shtëna në fshatin Gorazhdec në Komunën e Pejës. Sipas tij, incidentet e tilla janë ndjerë nga i gjithë komuniteti serb i Kosovës dhe si të tilla rrezikojnë të minojnë besimin në sigurinë dhe marrëdhëniet e përgjithshme mes komuniteteve.
Vrasja e dy të rinjve në Gorazhdec – krim i pandëshkuar

Po në Gorazhdec, në gusht të vitit 2003 ka ndodhur një nga krimet më të rënda të pasluftës kundër popullatës serbe në Kosovë. Dy të rinj serbë ishin vrarë dhe katër të tjerë ishin plagosur derisa po laheshin në lum. Ivan Jovović (19) dhe Pantelija Dakić (12), u vranë më 13 gusht të vitit 2003, kur persona të panjohur hapën zjarr me armë automatike mbi ta ndërsa po laheshin në lumin Bistrica. Me atë rast u plagosën rëndë Đorđe Ugrenović (20), Bogdan Bukumirović (14), Marko Bogićević (12) dhe Dragana Srbljak (13).

Atëkohë, misioni i UNMIK-ut, i cili administronte Kosovën, kishte vënë në dispozicion një milion euro për ata që ofrojnë informata për krimin e kryer. Sipas përshkrimit që i kishte bërë UNMIK-u ngjarjes, persona të paidentifikuar nga shkurret kishin hapur zjarr me kallashnikovë mbi një grup prej rreth 50 fëmijëve, kryesisht serbë, nga Gorazhdeci. Policia e Kosovës kishte marrë në pyetje 75 dëshmitarë, duke përfshirë edhe fëmijët e plagosur si dhe ishin bastisur 100 shtëpi. Por deri më sot nuk është dhënë asnjë njoftim për ata që kryen sulmin. Të kontaktuar për rastin, zyrtarë të UNMIK-ut, nuk kanë dhënë ndonjë informatë duke sugjeruar që pyetjet të adresohen në autoritetet vendore.

EULEX ka mbyllur rastin në mungesë të provave

Pasi UNMIK-u kishte dështuar ta zbardhë rastin, i njëjti kishte kaluar më pas tek autoritetet e misionit të EULEX-it. Por, as misioni evropian për sundim të ligjit i ardhur në vitin 2008, nuk e kishte quar deri në fund çështjen. “New Perspektiva” ka pyetur autoritetet përkatëse në lidhje me hetimet e zhvilluara për këtë rast. Prokuroria e shtetit të Kosovës nuk është marrë fare me rastin, pasi, siç thonë ata, kjo ka qenë punë e EULEX-it:

“Sa i përket rastit kur janë vrarë dy të rinj në fshatin Gorazhdec, kjo lëndë ka qenë në punë tek prokurorët e EULEX-it, dhe lidhur me statusin e lëndës mund t’i drejtoheni atyre”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu.

Por në EULEX kanë treguar se rastin e kanë mbyllur për shkak se hetimet nuk kanë nxjerrë ndonjë të dyshuar të mundshëm:

“Prokurori i EULEX-it ka vendosur mbylljen e rastit për shkak se hetimet e policisë nuk kanë dhënë ndonjë rezultat në gjetjen e të dyshuarve të mundshëm”, ka theksuar për “New Perspektiva” zëdhënësja e EULEX-it, Besa Domi. Ajo ka shtuar se misioni është i gatshëm ta rihapë çështjen nëse gjenden informacione të reja përkitazi me këtë rast:

“EULEX-i do ta rihapë çështjen nëse ka informata të freskëta që mund të çojnë në zbardhjen e këtij rasti. Çdo hetim mund të rihapet zyrtarisht në çdo moment në qoftë se ka informacion të ri, i cili potencialisht mund të avancojë përpara hetimet. Prokurori është i gatshëm ta bëjë këtë”, ka theksuar Domi.
Familjarët e viktimave vazhdojnë të shprehen të zhgënjyer me mosndriçimin e rastit edhe pas 13 vjetëve. Krimi ishte dënuar nga zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe me këtë rast ishte thirrë edhe një takim urgjent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkaq zyrtarë të qeverisë së Serbisë kanë thënë se mosndriçimi i krimeve ndaj serbëve mbetet njollë e zezë për Bashkësinë ndërkombëtare.

Homazhet e Thaçit në Gorazhdec ngjallin pakënaqësi

Me rastin e 13 vjetorit të vrasjes së dy të rinjve serb, pranë memorialit të tyre në Gorazhdec për herë të parë kanë bërë homazhe edhe zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës. Ka qenë presidenti Hashim Thaçi i cili ka vendosur lule në nderim të viktimave, veprim ky që nxiti polemika të shumta. Thaçi, me këtë rast ka thënë se askush nuk do të mund të vrasë të ardhmen, lojën dhe gëzimin e fëmijëve të Kosovës, teksa ka kërkuar që të punohet për zbardhjen e rastit.

“Sot vura kurorë lulesh në këtë memorial për të përkujtuar sulmin kriminal kundër të rinjve të fshatit Gorazhdec, 13 vite më parë, në të cilin u vranë dy të rinj e u plagosën katër të tjerë. E drejta për jetë është e drejtë fundamentale për të gjithë. E tillë do të duhej të ishte edhe për rreth 400 fëmijë shqiptarë nën moshën 15 vjeç që gjatë luftës u vranë nga shteti i Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, fëmijët në Gorazhdec u vranë nga dora kriminale e jo nga shteti.

“Këta fëmijë këtu u vranë e u plagosën duke luajtur, por zotohem se nuk do të ketë forcë e as dorë kriminale që do të vrasë të ardhmen, lojën dhe gëzimin e fëmijëve të Kosovës. Prandaj, sot LUTEM dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve. Do të punojmë që çdo krim të zbardhet dhe të ndëshkohet. Krimi është krim kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer. Gjithashtu, edhe një herë insistoj që të zbardhet fati i të gjithë të zhdukurve, qofshin shqiptarë, serbë apo romë apo çfarëdo komuniteti tjetër. Të gjithë kemi përgjegjësi të punojmë në këtë drejtim”, ka theksuar presidenti Thaçi. Ai ka shtuar se duhet punuar për të ndërtuar paqe, pajtim dhe bashkëpunim në mes të popujve të rajonit. Sipas tij, pajtimi në mes shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe se kjo do të ndodhë.
Por, veprimi i Thaçi nuk është mirëpritur nga familjarët e viktimave. Nëna e Ivan Jovović-it, njërit nga fëmijët e vrarë në Bistricë afër Gorazhdecit, ia ka kthyer kurorën presidentit Hashim Thaçi.

“Më ka goditur më shumë se në atë të 13 gushtit, kur dolëm në varreza. Ai na i ka vrarë fëmijët, e tash vjen të na i ‘stolis’ ata”, citon portali i lajmeve “Sputnik” nënën e të vrarit. “Nëse donte të ishte human, atëherë duhej të vinte dhe të na thoshte se kush ështe vrasësi i fëmijëve tanë, ta sjell atë dhe të na tregojë ne prindërve.”

Siç raportojnë mediet serbe, tufën e luleve që e kishte vënë mbi varr Thaçi, ajo e kishte shkelur dhe e kishte copëtuar, ndërsa të nesërmen kishte shkuar në stacionin e policisë me qëllim që tufën e luleve t’ia kthejë Thaçit.

Vizita e Hashim Thaçit në varret e fëmijëve të vrarë në Gorazhdec nuk ishte e para në memorialet e serbëve të vrarë në Kosovë. Para kësaj vizite, ai kishte shkuar në Grackë të Vjetër për të vendosur kurorë lulesh në përmendoren e serbëve të vrarë pas lufte. Njëri prej serbëve i cili kishte dalë për t’u takuar me Thaçin është sulmuar nga bashkëkombësit e tij. Policia e Kosovës ka njoftuar se me datën 15 gusht rreth orës 23:55 në fshatin Gorazhdec, është sulmuar fizikisht shtetasi kosovar i kombësisë serbe Milosav (Milan) Pavlović.

“Menjëherë pas raportimit të këtij rasti, njësitë relevante të Policisë së Kosovës, përkatësisht të nënstacionit policor në Gorazhdec dhe Stacionit policor në Pejë, iu kanë përgjigjur vendit të ngjarjes, kanë kontaktuar viktimën Pavlović nga i cili janë njoftuar se ishte sulmuar fizikisht në tarracën e shtëpisë së tij nga dy persona të dyshuar, të cilët e kishin qëlluar me shuplakë dhe shqelma duke i shkaktuar lëndime trupore” thuhet në sqarimin policisë. “Gjatë ikjes, njëri nga të dyshuarit (sipas viktimës) iu ka drejtuar viktimës në gjuhë serbe ‘Ovo ti je za Taćija’ (Këtë e ke për Thaçin), duke ikur nga vendi i incidentit; për viktimën, të dyshuarit ishin të panjohur. Viktima ishte dërguar në Spitalin rajonal Pejë për t’i dhënë ndihmën mjekësore dhe më pas është liruar për në shtëpi”.
Policia thotë se njësitet hetimore intensivisht kanë punuar në ndriçimin e këtij rasti, të dyshuarit janë identifikuar dhe të njëjtit janë arrestuar, intervistuar në prezencën e mbrojtësit ligjor-avokatit dhe prindërve të tyre. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarve me iniciale M. (Srdjan) B. dhe I. (Nenad) B. u është caktuar masa e ndalimit policor.
Përkundër pakënaqësive në mesin e serbëve, presidenti Thaçi u përgëzua nga nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për homazhet e bëra në Gorazhdec.

“Gjithë ato plagë janë të freskëta por e vetmja mënyrë që Kosova të ecë përpara është të ketë një të ardhme të përbashkët dhe të avancojë pajtimi, që të drejtat e çdo qytetari të jenë të mbrojtura. Prandaj zotëri president ju përgëzojë që keni nderuar viktimat serbe të Kosovës. E di se disa prej këtyre mendimeve dhe vendimeve janë kundërthënëse por janë me të vërtetë dëshmi e përparimit që Kosova po arrin përmes udhëheqjes suaj”, i ka thënë zoti Biden presidentit Thaçi.

Shumë spekulime rreth motiveve të sulmeve

Mosndriçimi i dy rasteve të lartëpërmendura ka bërë që të ngritën dyshime dhe të spekulohet se sulmet mund të kenë motive etnike. Por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë në vazhdimësi ka kërkuar që incidenti i vitit të kaluar në Gorazhdec të hetohet pa e paragjykuar rastin. Sipas KMDLNJ, në të gjitha këto raste është paragjykuar edhe motivi i sulmit sikur edhe ata që e kryen sulmin pa përfunduar hetimet ,dhe të gjitha këto raste paragjykoheshin me motive etnike dhe politike. KMDLNj ka shprehur shqetësime se edhe rasti i sulmit në dhjetor të vitit të kaluar në Gorazhdec po paragjykohet, ende pa përfunduar hetimet, ndërsa udhëheqësit serbë të institucioneve serbe, të shoqëruar me politikanë të Serbisë e vizituan Gorazhdecin duke e paragjykuar rastin. Për KMDLNj është i papranueshëm dhe i pakuptueshëm fakti se ende nuk janë zbuluar autorët e vrasjes së dy të rinjve serbë dhe plagosjen e disa të tjerëve në Gorazhdec përkundër se, “këtu përveç policisë së Kosovës ka edhe policë dhe hetues të EULEX-it dhe shumë shërbime informative, të vendit dhe të huaja si dhe BIA e Serbisë, e ende nuk janë siguruar provat për motivin dhe autorët e këtij krimi”.

Vrasja në Gorazhdec në vitin 2003, llogaritet një nga krimet të rënda kundër serbëve pas përfundimit të luftës në Kosovë. Të pandëshkuar mbeten edhe vrasësit në rastin e Grackës së Vjetër, dhe autorët e sulmit afër Podujevës. Siç dihet, në korrik të vitit 1999 në Grackë të vjetër janë vrarë 14 bujq serbë, ndërsa në shkurt të vitit 2001, 12 pasagjerë serbë kishin mbetur të vdekur, kur autobusi “Niš Express” ishte hedhur në erë.

comments

SHARE