Sulmet kundër të kthyerve, porosi se nuk janë të mirëseardhur

I dyshuari për hedhjen e gurëve në drejtim të shtëpisë së familjes Mazić, në nëntor të vitit 2015 ka qenë një i mitur, për të cilin është ngritur kallëzim penal. Rasti është cilësuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Prokurori i rastit, pas shqyrtimit të shkresave ka hedhur poshtë kallëzimin penal të parashtruar nga policia.

0
1412

Një çift serb i kthyer në Klinë, Živan dhe Ruža Mazić, në nëntor të vitit 2015 kishte qenë cak i një sulmi. Sipas raportimeve, shtëpia e tyre ishte sulmuar me gurë. Pasi ka kryer hetimet policia e Kosovës në rajonin e Pejës, rasti është proceduar më tej në prokurorinë themelore të Pejës. Por, prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të parashtruar nga policia.

Çifti Mazić kishte vendosur të kthehet në Klinë në vitin 2005, sikurse edhe shumë serbë të tjerë të larguar në vitin 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 vjet që nga kthimi i tyre, ata kanë thënë se përballen me të njëjtat probleme. Shtëpia e tyre ka qenë shpesh cak i disa sulmeve me gurë. Pas sulmit të ndodhur në vitin 2015, çifti Mazić kishte shpjeguar rastin si ka ndodhur dhe si është proceduar më tej nga organet e rendit.

“Teksa shkova për të marrë dru në tarracë, papritmas filluan të hidhen gurë në drejtim timin. Për fat të mirë aty ishte një perde, e cila më mbrojti nga goditja me gurë”, kishte thënë Ruža Mazić për RTK 2.

Kurse sipas Živan Mazić-it, një patrullë e policisë ka vizituar disa herë shtëpinë e tyre për të zhvilluar hetime, por që shkelësi, siç ka thënë ai, nuk është gjetur asnjëherë.

“Ata më pyesin nëse unë e di se kush ka gjuajtur. Por mezi mund të shihja, pas hedhjes së gurëve. Ka qenë 50 metra larg dhe nuk kam mundur ta identifikojë. Këto situata po ngjallin frikë në mesin tonë”, është shprehur Mazić. 

Policia ngre kallëzim penal, prokuroria e hedh poshtë

“New Perspektiva” ka pyetur organet përgjegjëse të cilat kanë zhvilluar hetimet përkitazi me këtë rast. Sipas policisë së Kosovës, i dyshuari për hedhjen e gurëve në drejtim të shtëpisë së familjes Mazić, ka qenë një i mitur, për të cilin është ngritur kallëzim penal.

“Stacioni Policor në Klinë  është njoftuar nga familja Mazić, se disa fëmijë po e gjuajnë me gurë shtëpinë e tyre. Hetuesit kane ndërmarrë te gjitha veprimet  dhe kanë identifikuar  të dyshuarin e mitur,  i lindur në vitin 2000 për të cilin është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore  Pejë – Departamenti për  të Mitur”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun – Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës. Policia ka përjashtuar mundësinë që rasti të ketë qenë i motivuar etnikisht. “Rasti është cilësuar si ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Pasi rasti ka kaluar në prokurorinë themelore të Pejës, kjo e fundit ka hedhur poshtë kallëzimin penal.

“Lidhur me kërkesën e juaj e që ka të bëjë me rastin e ndodhur në vitin 2015 në komunën e Klinës, ju njoftoj se kjo Prokurori pas shqyrtimit të shkresave ka hedhur poshtë kallëzimin penal të parashtruar nga policia”, ka qenë deklarata e zyrës së kryeprokurorit të Pejës, duke mos dhënë më shumë sqarime përkitazi me rastin.

Për sulmin mbi familjen Mazić patën reaguar edhe përfaqësuesë të qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, në shkurt të vitit të kaluar, shtëpia e familjes Mazić përsëri ishte sulmuar me gurë bashkë me shtëpinë e një të kthyeri tjetër, Vukoje Radosavljević. Në njoftimin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim citohet ministri Dalibor Jevtić të ketë thënë se me këto sulme “të gjithë të kthyerve u dërgohet porosi se nuk janë të mirëseardhur. Po bëjmë çmos, e do të vazhdojmë të bëjmë çmos që të kthyerit në pronat e tyre t’i mbajmë, e atyre që duan të kthehen, t’u mundësojmë kthim në rrethana më të mira, dhe për këtë arsye i bëj thirrje të gjitha institucioneve në Kosovë që të na ndihmojnë në këtë.”

Kthimi i serbëve në Klinë ka filluar në vitin 2005, ku deri tani janë kthyer rreth 60 prej tyre. Sipas shifrave,  në Klinë para vitit 1999 kanë qenë rreth 400 familje serbe me rreth 2 mijë banorë serbë. Kurse sot llogaritet të jenë 30 familje serbe me rreth 60 anëtarë.