Tahiri u takua me Eichhorst në Shërbimin e Jashtëm të BE-së

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është takuar të mërkurën në Bruksel me znj. Angelina Eichhorst, drejtore për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian.

0
800

Në këtë takim ministrja për Dialog ka diskutuar për bllokadat që Serbia po ia bënë zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, për nisjen e punës së KOSTT-it si sistem i pavarur i transmisionit të energjisë si dhe vonesat e dukshme për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e Urës mbi lumin Ibër të Mitrovicës. Ajo po ashtu ka folur për angazhimet e Kosovës për të zbatuar marrëveshjet e Brukselit, duke thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet zbatuese dhe do të vazhdoj të jetë e përkushtuar, mirëpo pa u hequr bllokadat që Serbia po ia bënë këtij procesi nuk mund të ketë progres në zbatimin e marrëveshjeve. Ajo në veçanti theksoi se Kosova pa e marrë kodin telefonik shtetëror dhe pa filluar KOSTT të veproj e pavarur, nuk do të ndërmarrim asnjë veprim zbatues në lidhje me Asociacionin, dhe se kusht për Asociacionin është shuarja e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë.

Ministrja Tahiri në takim ka theksuar po ashtu se dialogu i Brukselit ka ndihmuar për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe BE-së dhe rekomandimin e BE-së për liberalizimin e vizave duke falënderuar BE-në për angazhimet në dialogun e Brukselit që po i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon dhe fqinjësisë së mire.

Ministrja Tahiri edhe një herë ka përsëritur qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që dialogu i Brukselit duhet të përmbyllet me njohjen reciproke mes dy shteteve para se secila të anëtarësohet në BE.

Ministrja Tahiri foli gjerësisht për arritjet e Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve duke përfshirë marrëveshjen për drejtësi me të cilën Kosova po shtrinë sistemin e vet unitar të drejtësisë në veri të vendit të munguar një kohë të gjatë, për shuarjen e të ashtuquajturës ‘mbrojtja civile’ dhe integrimin e ish personelit në sistemin e Kosovës, etj.

Në veçanti, ministrja Tahiri ngriti shqetësimet për ngecjet në heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit për të cilin tha se nuk është duke u vërejtur progres i dukshëm për shkak të pengesave të Serbisë. Serbia po arrin që madje ta pengoj edhe BE-në përkatësisht zyrën e BE-së në Kosovë e cila është e autorizuar që të realizoj heqjen e barrikadës dhe ta revitalizoj urën e Ibrit për të krijuar kushtet e lëvizjes së lirë për të gjithë. Ministrja Tahiri theksoi se Serbia po vazhdon me obstruksione duke mos e lejuar kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës që ta nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor me të cilin konfirmohet se linja administrative në mes të komunës jugore dhe asaj veriore të Mitrovicës janë në përputhje me hartat dhe zonat kadastrale të definuara sipas planit të Ahtisarit.

Ndërkaq për regjistrimin e popullsisë në katër komunat veriore të cilat nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2011, që është paraparë të mbahet regjistrimi i popullsisë për muajin tetor 2016, ministrja Tahiri kërkoi nga BE që të sigurojë mos ndërhyrjen e Serbisë në pengimin e këtij procesi për të cilin Qeveria ishte dakorduar me kryetarët e komunave të veriut në fillim të vitit 2014 në takim të përbashkët ku kanë marrë pjesë edhe ambasada amerikane dhe zyra e BE-së në Kosovë.

Drejtoresh e BE-së, Angeline Eichhorst nga ana e saj theksoi se Bashkimi Evropian po përcjellë me vëmendje zhvillimet në procesin e dialogut të Brukselit si dhe është e ndërgjegjshme për pengesat dhe sfidat e këtij procesi sidomos ato të periudhës së fundit. Ajo tha më tej se për arsye të zhbllokimit të procesit të zbatimit ka qëndruar në një vizitë në Beograd me ç’rast me autoritetet e Serbisë ka diskutuar për të gjitha çështjet si dhe ka kërkuar angazhime nga Serbia për të zbatuar obligimet nga dialogu i Brukselit. Zonja Eichhorst siguroi ministren Tahiri se Bashkimi Evropian do të vazhdoj të këmbëngul në zbatimin e Marrëveshjeve duke potencuar se Bashkimi Evropian e sheh dialogun mes Kosovës dhe Serbisë jo vetëm në interesin e fqinjësisë mes vendeve por edhe në dobi të paqes dhe stabilitetin në rajon dhe të integrimeve evropiane për të dyja shtetet. Ajo shprehu bindjen se proceset zbatuese do të vazhdojnë duke paralajmëruar takime të radhës që nga java e ardhshme.

Ministrja Edita Tahiri shoqërohej nga Dren Zeka, këshilltar kryesor dhe Arjeta Rexhaj, këshilltare politike.

(kryeministri-ks.net, 08/06/2016)