Takimi i tretë i ‘Shengenit Ballkanik’ pritet me protesta në Tiranë

Takimi i tretë nismës rajonale që po cilësohet si “Shengeni Ballkanik’ u mbajtë në Tiranë më 20-21 dhjetor. Këtë herë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit serb Aleksandar Vučić, dhe kryeministrit të Maqedonisë së veriut iu bashkua edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović. Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina i thanë edhe një herë jo tryezës së ‘Shengenit Ballkanik’.

0
156

“Shqipëria e ka tradhëtuar Kosovën”, këto thirrje shoqëruan fillimin në Tiranë të takimit të tretë për nismën e ‘Shengenit Ballkanik’.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, priti Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në një takim informal nën masa të larta sigurie në datën 20 dhjetor.

Pak metra larg hotelit ku u ulën së bashku liderët e Ballkanit Perëndimor, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje, dega Shqipëri, protesoi me thirrjet “UÇK”, “Gjaku nuk falet”, “Vuçiç kriminel lufte”, “Masakra në Reçak nuk harrohet”.

Nga takimi me dyer të mbyllura nuk pati asnjë reagim për shtyp, por protesta shkallëzoi në përplasje me policinë e shtetit. Aktivistët kërkuan të zhvillonin tubimin paqësisht sipas itenerarit të njoftuar, por efektivët i bllokuan me shpejtësi.

Me megafon në dorë, drejtuesi ekzekutiv i VV në Tiranë, Bojken Abazi, u shpreh se protestat nuk do të ndalen.

“Do vijë dita! Vetëvendosja nuk e përfundon këtu këtë protest. Vuçiç erdhi si mi dhe iku si mi, sepse nuk e pamë se kur u fut dhe kur doli nga hoteli. Le të shpërndahemi sot këtu, për t’u rikthyer sërish,” tha ndër të tjera Abazi.

Aktivistët e Vetëvendosjes lanë në shenjë simbolike pankartat që mbanin në duar me thirrjet e tyre.

Njëzet e katër orë më pas, në të njëjtin vend, aktivistë shqiptarë protestuan kundër ‘Shengenit Ballkanik’.

Reagimet për mini-Shengenin

Kjo ishte një panoramë prej Samitit të tretë të ‘Shengenit Ballkanik’, por refuzimi dhe kundërshtimet ndaj kësaj nisme nuk kanë munguar prej takimit të parë në Novi Sad të Serbisë.

Takimi i tretë formal i mbajtur në Tiranë më 20 – 21 dhjetor solli në tryezën për Ballkanin edhe Presidentin e Malit të Zi, Milo Đukanović. Ky shtet më herët ishte përfaqësuar në nivel ministrash. Pavarësisht afrimit të Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova i thanë edhe një herë jo tryezës së Shengenit Ballkanik.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka refuzuar ftesat e një pas njëshme për samitin, me argumentin se Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Më parë, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, deklaroi se Kosova nuk duhet ta pranojë idenë e ‘mini-Shengenit’ ballkanik. Haradinaj tha se mini-Shengeni është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan. 

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se projekti i nisur nga Edi Rama dhe Aleksandar Vučić ka për qëllim të izolojë edhe më shumë Kosovën, ta defaktorizojë ekonomikisht dhe ta dobësojë në marrëveshjen finale me Serbinë.

“Udhëheqja e Kosovës përcakton vet qëndrimin e saj por në bindjen time dhe informacionin që una kam Minishengeni ballkanik është një nismë serbomadhe kryekëput kundër Kosovës dhe synon rrethimin e saj nga Serbia por tashmë njëlloj si në vitin 1946 edhe nga Shqipëria”, ka thënë Berisha, për Express.

Po ashtu edhe përfaqësuesë të opozitës shqiptare  kanë dalë kundër nismës së ‘Shengenit Ballkanik’ duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po i bën presion Bashkimit Europian pas refuzimit që dhanë për negociatat.

Redaktori i Deutche Welle-s në shqip, Bahri Cani, deklaroi për Syri Tv se ‘Shengeni Ballkanik’ është një justifikim për dështimet e kryeministrit Edi Rama në rrugën e integrimit Europian.

“Më shumë mendoj se është justifikim për dështimet e veta, sesa presion ndaj Europës. Me rëndësi është momenti, pse tani fillon kjo nismë e tillë. Zoti Rama duhet të ketë kujdes që ta trajtojë Kosovën si partner, jo të sillet në mënyrë paternale ndaj Kosovës,” tha Cani.

Duke folur për këtë nismë rajonale, kreu i qeverisë  shqiptare Rama ka thënë se këtë nuk e ka kërkuar për të mirën e Serbisë, por për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.

“Unë nuk e dua paqen, nuk e dua Shengenin Rajonal dhe nuk e dua transformimin historik për të mirën e Serbisë, unë e dua për Shqipërinë për Kosovën dhe shqiptarët”, ka thënë Rama në Klan Kosova.

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka deklaruar se nisma ka për qëllim heqjen e barrierave kufitare dhe burokracive për të rritur kapacitetet e tregut ekonomik.

“Ideja ka qenë thellimi i bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në shërbim të integrimit në BE. Këtu nuk ka asnjë lidhje me krijimin e një Jugosllavie të re dhe as me zëvendësimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Cakaj.

Çfarë premtoi ‘Shengeni Ballkanik’?

Axhenda dyditore në Tiranë u përmbyll me deklaratat e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor – një draft zyrtar i marrëveshjeve të dakorduara nuk u publikua me argumentin se do të ketë ndryshime edhe në takimin e radhës.

Shqiptarja.com raporton disa nga pikat e dakorduara në 21 dhjetor. Në artikull thuhet se do të ketë një strukturë rajonale për t’iu përgjigjur emergjencave civile

Kryeministri i Shqipërisë, Presidenti i Serbisë, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Presidenti i Malit të zi u zotuan se do të punohet më tepër për lëvizjen e lirë të mallrave, lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. Fokusi do të jetë, sipas këtij artikulli, tek integrimi europian, dhe Axhenda e Blertë e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Edi Rama, në përfundim të takimit të tretë, saktësoi se pritet që edhe në takimin e radhës të ketë ndryshime në pikat kryesore të marrëveshjes, pasi delegacionet e shteteve të Ballkanit po punojnë me draftin final.

Pritshmëritë për ‘Shengenin Ballkanik’

Ekspertët e ekonomisë kanë argumentuar se zotimet e katër shteteve janë të paplotësueshme nëse Kosova e Bosnjë-Hercegovina nuk do të jenë pjesë e marrëveshjes.

Eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko, beson se marrëveshja CEFTA garanton disa nga objektivat kryesore të shkruara në letër të Shengenit Ballkanik, prandaj një marrëveshje tjetër dublon të parën.

“Liritë themelore brenda rajonit tonë trajtohen më së miri nga Marrëveshja CEFTA, në të cilën të tre vendet nismëtare të mini Shengenit bëjnë pjesë. Mendoj se rruga e duhur për arritjen e lirive nis së pari nga ndërtimi i tyre brenda vetë vendeve, e më pas brenda rajonit përmes zbatimit të CEFTA-s, për të cilën të gjitha vendet kanë rënë dakord,” tha Ciko për DW.

Të tjerë njohës të diplomacisë evidentojnë tjetër rrezik nga ‘Shengeni Ballkanik’. Ish-diplomati, Shaban Murati, e konsideron një sfidë ndaj Unionit Europian.

“Realisht projekti serb është krijimi i një miniblloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian. Presidenti serb e shprehu hapur këtë pas refuzimit të BE-së për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, kur tha se ‘refuzimi i BE-së tregon se sa të drejtë kemi ne që jemi lidhur me Rusinë dhe me Kinën,’ u shpreh Murati për DW.

Pas Durrësit, takimi i radhës për Shengenin Ballkanik mund të mbahet në Beograd të Serbisë në Janar të 2020. Mbetet për t’u parë nëse liderët e dakordësuar për këtë marrëveshje do të ndryshojnë kursin e deklaratave publike dhe nismat e të ardhmes.

E nëse e gjithë kjo nuk është një lojë politike e momentit, do të shohim më pas si do të reflektohet në marrëdhënien Kosovë – Shqipëri.