Taksa dëmtoi rëndë bizneset e shqiptarëve në Luginë të Preshevës

0
584

Taksa 100 për qind, të cilën Qeveria e Kosovës u ka vënë të gjitha importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka shuar apo i ka vënë në buzë të mbijetesës bizneset e shqiptarëve në komunat jugore të Serbisë.

Bizneset shqiptare në tri komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, që ndryshe njihen edhe si Luginë e Preshevës, u dëmtuan më së shumti nga taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Drejtuesit e bizneseve në këtë territor të Serbisë, të cilët kanë pasur Kosovën tregun kryesor, flasin për dëme të mëdha që u janë shkaktuar nga taksa. Sipas tyre, si pasojë e taksës, disa biznese janë shuar, kurse të tjerat janë duke mbijetuar me vështirësi të mëdha.

Qumështorja Doda në Preshevë është një biznes familjar që merret me prodhimin dhe përpunimin e produkteve të qumështit. Kjo qumështore i ka të kontraktuara 120 fermerë nga të cilët siguron produktin bazë për përpunimin dhe prodhimin e produkteve të qumështit.

Muamer Mehmeti, pronar i qumështores Doda, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga vendosja e taksës 100 për qind, përveç humbjeve që i pësoi biznesi i tij, të prekur janë edhe 120 fermerët me të cilët bashkëpunon ai.

“Ata (fermerët) janë njerëz që kanë pësuar më së shumti (humbje), pasi që në vend që të grumbullojnë qumështin për çdo ditë, ne e grumbullojmë qumështin 3 apo 4 ditë në javë për shkak të sasisë së limituar të shitjes së produkteve tona. Ata e kanë burim kryesor të jetës dhe janë të atakuar me këtë problem dhe janë ballafaquar me problemin e ekzistencës”, thotë Mehmeti.

Deri para vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës, qumështorja Doda, thotë Mehmeti, ka eksportuar mbi 70 për qind të produkteve në tregun e Kosovës.

Ai nuk tregon në vlerë monetare për shkallën e humbjeve të shkaktuara, por thotë se tani janë në fazën e mbijetesës. Kompania e tij ka shkurtuar edhe numrin e punëtorëve, nga 14 sa kanë qenë të punësuar, tashmë janë vetëm 8.

“Kjo është qumështore familjare. Punojmë që nga viti 1994. Prodhimet tona deri në vitin e kaluar i kemi plasur mbi 70 për qind në Kosovë. Prej ndalesës që ka ndodhur para një viti, nuk jemi prezent atje, kemi probleme të mëdha me qumështin dhe jemi duke u ballafaquar me probleme shumë të mëdha për shkak të sasisë që e kemi, ndërsa tregun e kemi humbur për momentin”, thotë Mehmeti.

Pas taksës, bizneset shqiptare në Luginën e Preshevës u subvencionuan

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, nga rreth 400 milionë euro eksport të produkteve të Serbisë në Kosovë, brenda një viti që kur është vendosur taksa, vlera e eksportit ka rënë në 4 milionë euro. Në përqindje, kjo vlerë ishte përkthyer në humbje të tregut të Kosovës për 99 për qind.

Një nga bizneset e cila e ka mbyllur veprimtarinë e saj në Komunën e Preshevës për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind është kompania “Euro Plast”, e cila merret me prodhimin e termo folive industriale për agrokulturë dhe prodhimin e qeseve të plastikës.

Përfaqësues të kësaj kompanie, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kanë mbyllur kompaninë në Preshevë dhe janë zhvendosur në Kosovë në qytetin e Gjilanit. Raste të tilla të mbylljes së bizneseve në Luginë dhe transferimit të tyre në Kosovë, raportohen disa, por përfaqësuesit e tyre hezitojnë të flasin.

Ndërkohë, Komuna e Preshevës, është përpjekur që disa nga bizneseve të cilat pësuan humbje nga taksa 100 për qind, t’u sigurojë subvencione. Kështu thotë, kryetari i kësaj komune, Shqiprim Arifi.

“Deri në momentin që taksa është ende ekzistente, bizneset tona janë të dëmtuara, kjo nuk nënkupton që ne politikisht nuk e kemi përkrahur vendimin mbi taksën pasi që ka qenë më shumë një vendim politik sesa ekonomik, por për neve nga perspektiva lokale bizneset tona janë dëmtuar, papunësia është rritur, ka pasur largim nga vendet e punës të të rinjve tanë dhe në këtë formë shpërngulja është zhvilluar”, thotë Arifi.

Lugina e Preshevës, shton Arifi, është viktimë e politikave të ndërsjella Kosovë – Serbi.

Politika në Luginën e Preshevës përkrahi taksën

Në kohën kur kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj pati vendosur taksës 100 për qind, përfaqësuesit e Komunës së Bujanocit dhe Preshevës si dhe përfaqësuesit politikë të Luginës, i patën kërkuar që nga taksa të përjashtohen bizneset shqiptare, por që kjo kërkesë nuk ishte marrë parasysh nga Haradinaj.

Arifi thotë se ka munguar përkrahja e Qeverisë së Kosovës për qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës.

“Edhe tash që jemi në planifikim të buxhetit për vitin e ardhshëm, prapë nuk është e qartë se sa Kosova mund të ndajë mjete për Luginën e Preshevës për vitin e ardhshëm, ndërsa Serbia vetëm e ka sjell një vendim që ndanë mjete për neve, që për neve është nënçmuese për arsye kur vëllezërit tanë nuk na japin para e na jep armiku, është moralisht nënçmuese. Por, shpresoj që Kosova dhe Shqipëria do të marrin hapat e duhur për të themeluar Fondin kombëtar të solidaritetit, që është një fond me para nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, e që tani merret me problemet tona”, thotë Arifi.

Pavarësisht faktit se bizneset shqiptare në territorin e Serbisë pësuan humbje të mëdha nga taksa 100 për qind, disa nga përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës thonë se masa për taksën doganore ishte e domosdoshme.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, njëherësh ish-kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa se e përkrahën si vendim taksën 100 për qind, por Qeveria e Kosovës, sipas tij, u tregua e padrejtë në raport me bizneset shqiptare pasi që nuk i liroi nga kjo taksë.

Ai tregon se taksa i dëmtoi bizneset deri edhe te shuarja e disa bizneseve të vogla dhe të mesme.

“Pa asnjë dyshim që politika shqiptare në Luginë të Preshevës, duke njohur rrethanat dhe raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe sjelljen politike të Qeverisë serbe, kemi qenë dakord që kjo taksë të aplikohet në mënyrë që përfundimisht institucionet e Beogradit të vetëdijesohen se Kosova është shtet. Reagimet tonë menjëherë në lidhje me këtë taksë kanë qenë se kemi pak biznese shqiptare që veprojnë në Preshevë dhe Bujanoc, mbase në Medvegjë asnjë, të cilat kanë plasuar produktet e tyre në tregun e Kosovës. Në këtë fushë ka sjell dëm të madh pasi që këto kompani kanë ulur prodhimin e tyre në zero, kanë lëshuar fuqinë punëtore e cila ka qenë e angazhuar”, thotë Mustafa.

Që nga vendosja e taksës, nënvizon Mustafa, ka pasur një numër të madh të të rinjve të cilët kanë mbetur pa punë, çka sipas tij, ka ndikuar që shumë prej tyre të shpërngon nga vendi.

Produktet shqiptare në Serbi bojkotohen

Bizneset shqiptare të cilat funksionojnë në Preshevë e Bujanoc, shton Mustafa, nuk mund të plasojnë mallrat e tyre në tregun më të gjerë në territorin e Serbisë, jo vetëm tani për aq koha sa është taksa në fuqi, por edhe para taksës.

“Përgjatë këtyre viteve, të them kushtimisht nga vitet 90-ta e këtej, kur ka filluar të zhvillohet biznesi privat në këto komuna, kurrë nuk kanë arritur të kenë një treg nga Komuna e Bujanocit në drejtim të Vranjës, Nishit e gjerë në Beograd apo Novi Sad, pasi që kanë qenë të bojkotuar nga vete populli (serb) nga vetë tregtarët e tjerë që marrin produktet dhe i shesin”, thotë ai.

Muamer Mehmeti, pronar i qumështores Doda, tregon se produktet e tyre blihen vetëm nga shqiptarët.

“Produktet tona kryesisht i plasojmë në Komunën e Preshevës dhe Bujanocit. Në Serbi nuk ka shans, pasi që firma jonë e ka emrin Doda dhe ekziston nacionalizëm dhe nuk mundemi t’i plasojmë askund në Serbi”, thotë Mehmeti.

Ndërkohë, produktet e Kosovës në tregun e Serbisë, si para ashtu edhe pas taksës, vazhdojnë të kenë një nivel të ulët.

Para taksës, eksporti i produkteve “Made in Kosova” gjatë një viti nuk ishte më shumë se rreth 35 milionë euro, ndërkaq pas taksës, eksporti i Kosovës në Serbi ka rënë në rreth 13 milionë euro.

Në disa nga shitore në Luginë të Preshevës tregojnë se nuk mbajnë produkte të Kosovës për shkak të procedurave burokratike. E disa të tjerë thonë se mbajnë disa produkte nga Kosova, por që janë në sasi shumë të vogla.

Sipas afaristëve në Kosovë, Serbia në vazhdimësi ka krijuar barriera tregtare për produktet e Kosovës, duke mos njohur origjinën e mallit.

Produktet të cilat mbajnë mbishkrimin “Made in Kosova” nuk arrijnë të eksportohen në Serbi.

Lire Redenica, menaxhere në një shitore në Komunën e Bujanocit, thotë se kanë disa produkte që vijnë nga Kosova, por ato janë në sasi të vogla.

“Ka produkte, si p.sh Minex, kemi pasur edhe disa produkte të Kosovës, por janë shitur. Por, nuk po lejojnë të depërtojnë. Ka pak produkte të Kosovës pasi që jemi në Serbi. Ka interesim të për të blerë produktet e Kosovës pasi që e kanë çmimin më të ulët. Është problem të sjellësh mallin e Kosovës në Serbi pasi që produktet e Serbisë nuk po lejohet të shkojnë në Kosovë”, thotë ajo.

Më 6 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria në largim e Kosovës, vendosi taksën prej 10 për qind për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kurse më 21 nëntor kjo taksë u ashpërsua në 100 për qind për të gjitha produktet dhe mallrat e importuara nga këto dy shtete.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës pezullimin apo anulimin e kësaj takse, duke e cilësuar atë në kundërshtim me parimet e Marrëveshjes së për Tregtisë të Lirë CEFTA.

Mbetet të pritet se çfarë qëndrimi në raport me taksën do të marrë Qeveria e re e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat priten të formojnë qeverinë e re, kanë paralajmëruar si mundësi zëvendësimin e taksës me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

(evropaelire.org, 04/12/2019)