Taksa dhe Ambasadori Grenell

Gjatë muajit dhjetor, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte shkuar në Berlin. Mirëpo vizita e tij ishte bërë publike vetëm në këtë muaj. Arsyeja e këtij udhëtimi ishte takimi me Ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Në këtë takim, fillimisht sekret, thuhet të jetë diskutuar për intensifikimin e fazës së fundit të negociatave Kosovë-Serbi që synojnë të sjellin një marrëveshje që do të zgjidhte mosmarrëveshjen e vjetër mes këtyre dy vendeve. Në fokus të veçantë ishte heqja e taksës prej 100% e vendosur nga Kosova mbi produktet që vijnë nga Serbia.

0
199

Sipas Washington Post-it, në takimin në Berlin, Presidenti Thaçi ishte pajtuar  që të punonte për heqjen e taksës së vendosur nga Qeveria Haradinaj. Taksa po shihet nga amerikanët si pengesë e cila nuk lejon fillimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe si e tillë duhet të hiqet. Ky qëndrim është bërë i ditur edhe në letrën e fundit të SHBA-së dërguar Qeverisë së Kosovës. Letra ka gjithsejt 8 kushte dhe që të gjitha janë trysni për të anuluar tarifën e vendosur. Letra përshkohet me presion dhe nuanca kërcënuese që kërkojnë heqjen e menjëhershmë të taksës.

Por kush është Richard Grenell? Cili është profili i tij dhe çfarë mund të deduktohet nga përfshirja e tij në këtë proces? Profili i Grenell përshkruan mirë edhe raportet e fundit SHBA-Gjermani. Marrëdhëniet amerikano-gjermane kanë parë ditë më të mira. Ky trend i zbehjes së lidhjes mes këtyre dy shteteve ka filluar me ndërhyrjen amerikane në Irak. Ardhja e Barack Obamas në krye të SHBA-së e rienergjizoi edhe njëherë raportin pozitiv me Gjermaninë, por që nga ardhja e Donald Trump, relacionet SHBA-Gjermani kanë pësuar një goditje.

Trump ka instaluar një dyshim të fortë në raport me përkushtimet multilaterale. Këtë kulturë diplomatike po e implementon edhe në Gjermani. Këtë po e bën përmes Ambasadorit Richard Grenell. Grenell ka lidhje të ngushta me Trumpin. Ky mirëbesim ka rezultuar me emërimin e tij Ambasador në Gjermani, që është një nga shtetet më të rëndësishme në botë dhe shtet kyç në BE.

Grenell përveç që përçon politikat e Trumpit në Gjermani, ai edhe sjelljet dhe temperamentin i ka të ngjashme me të. Është i paparashikueshëm, impulsiv dhe jokonvencional. Ai di t’i tejkalojë kompetencat e tij si Ambasador. Artikulli 41 i Konventës së Vienës e ndalon interferimin e ambasadorëve në punët e brendshme të shteteve, por kjo nuk e ka penguar Grenellin që të përzihet në punët e brendshme të Gjermanisë. Në ditën e parë të punës në Gjermani ai deklaroi se “kompanitë aktive gjermane në Iran duhet të ndërpresin aktivitetin e tyre biznesor atje”. Grenell ka sulmuar edhe mediat gjermane dhe e kishte quajtur gazetën der Spiegel “anti-amerikane dhe fabrikë të lajmeve të rrejshme”.

Ky nivel i involvimit ka shtyrë Kancelaren Merkel dhe politikanë tjerë që ta izolojnë Ambasadorin Grenell. Ajo nuk ka pranuar ta takojë atë në disa raste. Arsyetimet e Merkel janë se nuk ka arsye që të takohen liderët shtetërorë me ambasadorët, por kjo nuk qëndron për shkak se Kancelarja ka mbajtur raport të ngushtë me paraardhësin e Grenellit, Peter Murphy. Der Spiegel shkruan se “politikanët gjermanë takohen me Grenell vetëm kur e kanë të pashmangshme”. Nga politikanët gjermanë, më të afërt me Grenell kanë qenë ata të krahut të djathtë. AfD dhe CSU kanë qenë të vetmet parti që kanë shfaqur afërsi me të.

Në përgjithësi, profili i Grenell përshtatet me prirjen e një skepticizmi ndaj shoqërive pluraliste dhe inkluzive. Ai kritikoi hapur shtetin gjerman për paaftësinë e tij për të zgjidhur çështjen e imigrimit. Është përkrahës i politikave të Trumpit kundër emigrantëve muslimanë e meksikanë në SHBA. Gjithashtu është një kritik i politikave tradicionale të establishmentit amerikan.

Sa i përket relevancës së tij në raport me Kosovën, profili i tij është i përshtatshëm me idetë për ndryshimin e kufijve. Kjo për tri arsye. E para, meqenëse ai nuk është një ithtar i multietnicitetit, i pranon më lehtë propozimet e fundit për korrigjimin e kufijve. E dyta, për shkak që nuk është besnik ndaj politikave tradicionale të shtetit amerikan, ai është më fleksibil kundrejt këtyre ideve. E treta dhe e fundit, ai është një person i afërt me Presidentin Trump që veç është duke bërë presion për fillimin e negociatave të fundit Kosovë-Serbi.

Takimi Grenell-Thaçi është i rëndësishëm nga kjo perspektivë. Është infuzioni amerikan i radhës për zhvillimet e fundit këndej. Fakti që kjo ka ndodhur në Gjermani e bën më ironike dhe më domethënëse sepse SHBA po avancon projekte që nuk përputhen me politikën e jashtme gjermane mu në mes të Gjermanisë. Grenell është një pikëprerje ku vlojnë tensionet SHBA-Gjermani. Takimi i Presidentit Thaçi me të tregon edhe njëherë se çështja e Kosovës është duke qëndruar lart në agjendën amerikane. Çfarë nuk dihet ende është se sa gjatë Kosova do të gëzojë këtë vëmendje. Kjo është një arsye solide që politika kosovare të tregohet e kujdesshme dhe t’u përgjigjet thirrjeve të amerikanëve për një angazhim më të madh në dialog.

comments

SHARE