Taksa nuk duhet të dëmtojë progresin në raportin Kosovë-Serbi

Fakti që Serbia ka një bilanc tregtar dukshëm pozitiv në raport me Kosovën duket se deri diku e arsyeton nevojën e shtetit të Kosovës që të ndërmarrë masa për të rritur përfitimet. Ndonëse Serbia ka pësuar një lloj humbje në mënyrë relative me Kosovën, ajo ende duhet që të tentojë ta ruajë statusin e të qenit eksportues shumë i rëndësishëm për Kosovën, edhe nëse kjo përfshin dialog mbi ndryshimin eventual të taksës. Pra, në këtë kontekst, shteti i Serbisë nuk do të duhej të sakrifikonte këtë status për humbje të cilat janë relativisht minore në raport me përfitimet që ka nga bashkëpunimi ekonomik me shtetin e Kosovës.

0
283

Aktualiteti i fundit në raportin Kosovë – Serbi është vendosja e taksës prej 100% në produktet serbe nga ana e qeverisë së Kosovës. Ndonëse kjo taksë është përcjellë me shumë bujë në opinionin publik dhe ka hasur në mendime nga më të ndryshmet, konsideroj se nuk duhet të bëhet shkak për prishjen e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia dhe Kosova ballafaqohen me sfida nga më të ndryshmet të cilat shoqërojnë politikat e tyre ditore dhe kanë nevojë që në vazhdimësi ta kenë parasysh që duhet të jenë të vëmendshme për interesat e tyre afatgjatë. Në këtë kontekst, edhe pse ky vendim është mjaft i debatueshëm, duhet që të mos ndikojë në progresin e deritanishëm të shteteve.

Së pari, nga një këndvështrim realist politik, shtetet gëzojnë sovranitet të plotë mbi territorin e tyre dhe, po ashtu, pavarësisht ekzistencës si entitete në marrëdhënie ndërkombëtare, ato kanë interesat e veta personale që ndërlidhen me përmirësimin e situatës së brendshme. Në rastin e Kosovës, është praktikë e njohur dhe deri në një masë legjitime që një shtet të vendosë taksa të caktuara ndaj shteteve duke konsideruar që kjo ndikon në rritjen e të hyrave në atë shtet – duke përmirësuar situatën ekonomike të atij vendi. Ne kemi parë së fundmi se si shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, shpeshherë ka vepruar me politika të tilla proteksioniste. Për më tepër, fakti që Serbia ka një bilanc tregtar dukshëm pozitiv në raport me Kosovën duket se deri diku e arsyeton nevojën e shtetit të Kosovës që të ndërmarrë masa për të rritur përfitimet. Ndonëse Serbia ka pësuar një lloj humbje në mënyrë relative me Kosovën, ajo ende duhet që të tentojë ta ruajë statusin e të qenit eksportues shumë i rëndësishëm për Kosovën, edhe nëse kjo përfshin dialog mbi ndryshimin eventual të taksës. Pra, në këtë kontekst, shteti i Serbisë nuk do të duhej të sakrifikonte këtë status për humbje të cilat janë relativisht minore në raport me përfitimet që ka nga bashkëpunimi ekonomik me shtetin e Kosovës.

Një arsye që do të duhej të konsiderohej për mosprishje të raportit mes Kosovës dhe Serbisë është edhe fakti që të dy shtetet kanë edhe shumë synime të përbashkëta. Pra, synimet e Kosovës dhe Serbisë hasin në shumë pika të përbashkëta që kanë një nevojë shumë të menjëhershme për realizim. Realizimi i shumë prej këtyre pikave ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e brendshëm socio-ekonomik të dy shteteve dhe rrjedhimisht në plotësimin e kritereve prioritare për synimin kryesor të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë: integrimin ne strukturat euro-atlantike. Pra, duke mos dashur të minimizoj rëndësinë e çështjes së vënies së taksës, e ardhmja e dy vendeve nuk duhet kompromentuar për mospajtime të tilla.

Një argument tjetër lidhur me mosprishjen e raportit mes Kosovës dhe Serbisë është se kjo lloj takse mund të konsiderohet si diçka e përkohshme. E përkohshme në kuptimin se qeveritë gjithmonë kanë tendencë të ndryshojnë dhe në këtë mënyrë ndryshojnë edhe vendimet e ndryshme që merren. Në këtë kontekst, përveç që është mjaft e vështirë që shkëmbimi ekonomik mes shteteve të ndalet, duhet të konsiderohet se ky shkëmbim gjithmonë ka mundësi që të evoluojë dhe që shtetet do vazhdojnë të ruajnë ritmin e bashkëpunimit. Për më tepër, si shtete fqinj, Kosova dhe Serbia pritet që pashmangshmërisht të mbajnë një raport të afërt.

Kosova dhe Serbia si dy shtete të afërta gjeografikisht dhe historikisht kanë një raport i cili është detyrimisht i afërt. Megjithatë, problemet  në raportet mes shteteve kanë ekzistuar dhe ekzistojnë. Vënia e taksës për produktet serbe përbën krisjen më të re në raportin mes shteteve. Duke patur parasysh raportin e afërt mes shteteve, Kosova dhe Serbia nuk duhet të kompromentojnë të ardhmen e tyre për një çështje të tillë. Të dy shtetet kanë nevojë që të vazhdojnë bashkëpunimin me idenë se përfitimet nga bashkëpunimi janë shumë me vlerë për të ardhmen e tyre.

SHARE