Të drejta apo privilegje?

Nuk po them se serbët nuk duhet të kenë shumë të drejta, pasi jam luftëtar i paepur për të drejta të pakufizuara për secilin, mirëpo dua të them se ‘të drejtat si privilegj’ është dashur të qëndrojnë në pika simbolike, dhe jo në çështje edhe të mëdha shtetërore.

0
506

Jo pak njerëz hezitojnë të flasin rreth privilegjeve të komunitetit serb, nga frika se do të ngadalësohej pajtimi shqiptaro-serb, a në fakt pajtimi nuk duket në horizont. Madje, po ndikon ndryshe.

Lexova polemika e përplasje, debate e kundërshti të ashpra në të, mirëpo e gjitha në aspektin moral të çështjes. Asnjëherë nuk pashë që të flitet kush po e sfidon ligjin, e kështu po e thellon hendekun që qëndron mes shqiptarëve dhe serbëve. Unë dua ta vë theksin pikërisht aty.

Është thënë e stërthënë nga shumëkush se serbët janë të privilegjuar, mirëpo të tjerë thonë se e gjitha qëndron në aspektin e të drejtave fundamentale dhe për qëllime simbolike. Kam dashur ta besoj këtë të dytën, mirëpo duket se pala e parë kishin të drejtë. Nuk po them se serbët nuk duhet të kenë shumë të drejta, pasi jam luftëtar i pandalshëm rreth të drejtave të pakufizuara për secilin, mirëpo dua të them se të ‘drejtat si privilegj’ është dashur të qëndrojnë në pika simbolike, dhe jo në çështje edhe të mëdha shtetërore.

Pajtohem që serbëve duhet t’u krijohen kushte më të favorshme për të pranuar të integrohen dhe të jetojnë në Kosovë e të mos ndikohen nga Beogradi. Pajtohem se deri në një fazë ata s’duhet të paguajnë energjinë as ujin, e madje të kenë edhe të drejta të tjera qoftë mbi ligjin. Mirëpo, s’mund të pajtohem që një reagim i çfarëdo instance që ka konotacion etnik të pezullojë një projekt të madh shtetëror.

Besoj se tani nëpër mend po u sillen projektet politike si, ku ta di, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe apo marrëveshja përfundimtare e dialogut. Jo, jo, është më e thjeshtë. Bëhet fjalë për rrugën Deçan-Plavë e që kalon rreth Manastirit të Deçanit.

Ky manastir dhe asnjë person tjetër në Kosovë, qoftë shqiptar, serb apo zyrtar i misioneve ndërkombëtare, nuk mund të bllokojë një proces që ligji thotë se është në rregull.

Ju mund të pyesni: Ç’ka ky xhanëm? Cili ligj, thotë, kur ai prek territorin e mbrojtur? Eh po, ja këtu qëndron çështja. Projekti i rrugës Deçan-Plavë nuk e prekë fare atë territor. E po, edhe s’ka si ta bënte, pasi projekti as nuk mund të niste pa një plan në përputhje me ligjin.

Por jo vetëm kaq. I njëjti projekt ishte bllokuar edhe para 4 viteve, mirëpo u zhbllokua para disa vitesh në një takim me atëbotë kryeministrin Hashim Thaçi, kryetarin e atëhershëm të Deçanit Rasim Selmanaj, shefin e BE-së për Kosovë, Samuel Žbogar, dhe ish-ambasadorin amerikan Christopher Dell. E si mund të zhbllokonin diçka të kundërligjshme këta përfaqësuesë të organeve më të larta qeverisëse dhe diplomatike?

Bile, edhe para më shumë se një muaji, kur edhe u bë aktual problemi, Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj e konfirmoi se toka e mbrojtur rreth Manastirit nuk preket. Mirëpo, projekti akoma i pezulluar. Dhe pse? Për hatër…

Kështu po qëndron akoma edhe sot kur po shkruhen këta rreshta, ani pse ligji thotë diçka tjetër. Dhe kështu, duke u bllokuar diçka ligjore vetëm pse u reagua nga një institucion që udhëhiqet nga komuniteti serb, si Manastiri, unë mendoj se i kontribuon vazhdimit të traditës për ta shkelur ligjin, e rrjedhimisht edhe cenimit të procesit të normalizimit pasi, në një mënyrë apo në një tjetër, serbët nuk janë sikur të gjithë shtetasit e Kosovës.

Së këndejmi, unë dyshoj se bashkëpunimi shqiptaro-serb do të rritej duke u shkelur ligji, nga cilado palë qoftë. Por, nëse dikush beson, le ta thotë. Do të jetë interesant justifikimi i mosrespektimit të ligjit, çfarëdo qoftë ai.

comments

SHARE