Të gjitha këto janë për të mirën tonë 

Edhe pse kanë pushuar insinuatat lidhur me një konflikt të ri, apostrofimet e të gjithë atyre që nuk mendojnë njëjtë kanë vazhduar. Në fakt, Qeveria e Serbisë, si dhe politikanët serbë nga Kosova i kanë vënë në shënjestër të gjithë ata që kanë guxuar të thonë çfarëdo kundër këtij manipulimi të çmendur. Të parët në shenjë kanë qenë, dhe ende janë, Rada Trajković dhe Sava Janjić. Që të dy, të apostrofuar nga ana e mediave dhe politikanëve proqeveritar, janë bërë armiqtë kryesorë të serbëve të Kosovës.

0
126

Të kesh bile një muaj pa fërkime dhe të jetosh një jetë normale, në veri të Kosovës, është bërë pothuajse e pamundur. Natyrisht, kështu po kalon edhe kjo verë. Fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit na priti me tregime të reja për luftë dhe ndryshim kufijsh, por pasuan edhe apostrofime politike, të cilat, ashtu si të gjitha abnormalitetet e tjera janë bërë përditshmëri. Por t’i shkojmë me radhë.

Vera në veri të Kosovës gati se kurrë nuk ka ditur të jetë e qetë. Kështu ishte edhe kësaj here. Na pritën rrëfimet për ndarjen e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, me skenare të ndryshme se ku do të jetë kufiri i ri. Pas kësaj, si shkak i përcaktimit të kufirit, dëgjuam skenarët më të rinj të luftës për të ardhur deri tek ajo ndarje e kufirit. Në tërë këtë, autoritetet lokale vendosën detyrimin e paraqitjes në punë, që nënkuptonte se punonjësit e institucioneve lokale dhe shtetërore një kohë të caktuar nuk kishin të drejtë të marrin pushim apo që të jenë jashtë Kosovës. Si arsye theksohej situata aktuale dhe mundësia e përshkallëzimit të konfliktit. Në tërë këtë, të pashmangshëm ishin politikanët. Derisa presidenti i Kosovës mohonte mundësinë e ndarjes së kufirit, ai i Serbisë u bënte thirrje serbëve për qetësi. Kontradikta më e madhe ndodhi në momentin kur drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Republikës së Serbisë deklaroi se serbët nuk do të ndërmarrin asgjë dhe u bëri thirrje atyre që të mos reagojnë ndaj provokimeve. Pra, Qeveria e Serbisë u bën thirrje serbëve të jenë të qetë e në të njëjtën kohë, përmes kontrollit mbi partinë në pushtet në veri të Kosovës, fut detyrimin e paraqitjes në punë në rast të një konflikti të ri dhe gjatë tërë kohës medialisht përvijon mundësinë e një lufte të re. Kontradiktë si është më së miri. Por, siç e thonë zakonisht politikanët, të gjitha këto janë për të mirën tonë dhe për mbijetesën tonë.

Por, natyrisht, kaosi nuk mbaroi këtu. Edhe pse kanë pushuar insinuatat lidhur me një konflikt të ri, apostrofimet e të gjithë atyre që nuk mendojnë njëjtë kanë vazhduar. Në fakt, Qeveria e Serbisë, si dhe politikanët serbë nga Kosova i kanë vënë në shënjestër të gjithë ata që kanë guxuar të thonë çfarëdo kundër këtij manipulimi të çmendur. Të parët në shenjë kanë qenë, dhe ende janë, Rada Trajković dhe Sava Janjić. Që të dy, të apostrofuar nga ana e mediave dhe politikanëve proqeveritar, janë bërë armiqtë kryesorë të serbëve të Kosovës. Le ta kujtojmë vetëm që mediat dhe politikanët bënë të njëjtën gjë edhe me Oliver Ivanović-in dhe se shtatë muaj pas vrasjes së tij nuk kemi kurrfarë përgjigjjesh se kush është fajtori. Duket që politikanët tanë, si ata lokal ashtu edhe ata shtetëror, nuk kanë as një grimë ndërgjegjje, kështu që edhe një herë, si me shprehi, vizatojnë caqe në ballin e njerëzve që kanë guximin të thonë se atë çfarë ata po bëjnë është e gabuar.  

Dhe natyrisht, saga nuk përfundon as këtu. Kryetarët serbë të komunave në Kosovë shkuan edhe një hap më të tej duke i dërguar letër mbështetjeje presidentit të Serbisë por edhe opozitës së Serbisë. Në këtë letër, kryetarët e komunave e lusin opozitën serbe që të pushojë t’i shtyejë në duart e Prishtinës. Ata, kryetarët serbë, të cilët kanë marrë ato poste sipas Kushtetutës së Kosovës, që punojnë sipas sistemit të Kosovës, që janë zgjedhur në zgjedhjet e Kosovës? Njerëzit që vitet e fundit nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi në atë që është politikë serbe në Kosovë, në këtë letër u karakterizuan si dikush që na solli në këtë situatë në të cilën gjendemi tani. Edhe një kontradiktë tjetër, edhe një lojë e politikës lokale. 

Në fund, kur i shqyrton të gjitha këto situata, e pyet veten a është kjo ndonjë lloj komedie dhe a po luan dikush me ne. Që dikush po luan me ne, kjo është tejet e qartë dhe e sigurt, mbetet vetëm frika se komedia do të shndërrohet në tragjedi, siç ka ndodhur në të kaluarën. Se politikanët, nën slloganin  “për të mirën tonë”, me qëllim apo jo, do të krijojnë edhe më shumë kaos sesa që kanë krijuar deri më tani. Na mbetet të shohim dhe të presim zhvillimet e vjeshtës. Deri atëherë edhe të shpresojmë se nuk do të bëjnë më çdo gjë “për të mirën tonë”.

comments

SHARE