Të gjithë jemi të njëjtë

U njoftuam me pjesëmarrësit tjerë që na pritnin dhe me trajnerët e projektit “Respecting Diversity, Living Peacefully”. Në këtë trajnim ndeshëm mendime të ndryshme, e mësuam gjëra të reja, krijuam miqësi e paqe me njëri-tjetrin, dhe kuptuam se ishim të njëjtë. Ishim njerëz, ishim viktima të luftës së fundit në Kosovë.

0
148

Ishte hera ime e parë që kalova në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe para se të kaloja në atë pjesë disi e kisha një frikë të vogël, mirëpo, thellë në vete e dija se do të më kalonte. Kalova pjesën jugore të Mitrovicës dhe u përshëndeta me katër pjesëmarrës tjerë, që i përkisnin nacionalitetit serb. Nuk ishte hera e parë që takoja serbë.

Pasi kaluam nëpër Mitrovicën veriore, u drejtuam rrugës për Leposaviq me një minibus të verdhë – shqiptarë e serbë. Rrrugës për në Leposaviq më kapi një frikë, kjo më shqetësonte. Flamujt e shtetit serb ishin në çdo shtëpi, dhe për mua ishte hera e parë që kaloja fizikisht në këtë pjesë, e cila kishte një pamje të jashtëzakonshme. Malet dhe kodrat e bukura, dhe lumi rreth rrugës e hekurudha po ashtu, ma hoqën mendjen dhe frikën, e fillova të qetësohem në vete.

Arritëm te destinacioni, në një hapësirë jo të madhe në objektin e televizionit lokal të komunës së Leposaviqit. Afër ishte edhe objekti i UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës, fillova te ndihem më rehat. U njoftuam me pjesëmarrësit tjerë që na pritnin dhe me trajnerët e projektit “Respecting Diversity, Living Peacefully”.

Në këtë trajnim ndeshëm mendime të ndryshme, e mësuam gjëra të reja, krijuam miqësi e paqe me njëri-tjetrin, dhe kuptuam se ishim të njëjtë. Ishim njerëz, ishim viktima të luftës së fundit në Kosovë.

Them se jemi të njëjtë, pasi dëgjuam historitë e njëri-tjetrit, të cilat në thelb ishin të njëjta, ishin me vuajtje e me frikë, ishin histori lufte. Jemi të njëjtë sepse ishim aty për një gjë, të krijonim paqe, dhe këtë e arritëm.

Dëgjoja historitë e pjesëmarrësve të tjerë, dhe kuptoja se edhe ata kishin pasur një lloj frike kur ishin për herë të parë pas luftës në vendet ku shumicë janë shqiptarët, dhe kuptoja se jemi të gjithë viktima, jemi të njëjtë, e jemi pre e njerëzve të ligë, ku punët e fëlliqura të tyre sot enden nëpër lumenjtë e rrugët e kësaj toke si fantazmë, dhe krijojnë frikë në zemrat e mendjet tona. Krijojnë kufij artificial.

Përshtypje më la edhe ushqimi – nuk arrita të gjejë ndonjë dallim nga ushqimet e restoranteve në vendin ku jetoj.

Kuptoja vazhdimisht se secili njeri ka të drejtën për të pasë një jetë të lumtur, pa brenga e pa frikë, dhe se assesi nuk duhet të jetë pengesë raca, nacionaliteti, besimi, orientimi seksual e çdo gjë tjetër që konsiderohet personale nga secili individ.

Komunikimi, vizitat, dialogjet, dëgjimi dhe tregimi i historive tona do të jenë veglat më të fuqishme për të krijuar urat lidhëse, e për të krijuar paqen e miqësinë mes nesh. Vetëm kështu mendoj se do të arrijmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, e ta respektojmë vlerën e secilit, duke mos paragjykuar e gjykuar askënd. Procesi i krijimit të paqes mund të jetë i ngadaltë e i vështirë, por patjetër do të jetë i lezetshëm në fund.

SHARE