Të huaj në vendlindje (pjesa 1)

Një burrë e një grua nga jugu i Mitrovicës spontanisht vendosin që të shkojnë për një sheti të shkurtër në pjesën veriore të qytetit - qytet të cilin nuk e njohin më.

0
1134

Një burrë e një grua nga jugu i Mitrovicës spontanisht vendosin që të shkojnë për një sheti të shkurtër në pjesën veriore të qytetit – qytet të cilin nuk e njohin më.

Ishte ora 8:30 e pasdites kur më mori në telefon një numër i panjohur. E kisha të vështirë të kuptoja se me kë po flisja. Me shpejtësi kalova nëpër fytyrat e katër a pesë miqve ndërkombëtarë, derisa u përqendrova dhe e dallova anglishten argjentinase dhe fjalët: “Jam Luisi, ai që vallëzon capueira”. Këto fjalë më mjaftuan që ta merrja veten dhe të kup-toj se Luis Panichelli kishte ardhur në Mitrovicë për të parën herë. Ishte i interesuar të takoheshim për ndonjë birrë. Kjo ishte edhe kërkesa ime kur ia lashë në dorë kartëvizitën gjatë takimit që e patëm para dy javësh në Prishtinë

Unë ndërkohë ndodhesha tek miqtë dhe sapo e kisha pirë një çaj të zi në gotë të madhe. Pranë meje e kisha gruan, Norën, e cila po e ushqente Mbresën 4-muajshe dhe njëherazi po diskutonte për zhvillimet kulturore e politike në vend. A nuk ishte kjo ftesa e Luisit rast i mirë për të ndërruar temë dhe për ta njohur një kulturë tjetër? E ftova Norën për të dalë me mua në takimin me Luisin. Nora u sigurua që Mbresa të mbetej nën kujdesin e nënës së saj dhe, pas një përgatitjeje të shpejtë, u nisëm.

Gjatë bisedës telefonike, Luisi më tregoi se do të më priste në lokalin “Riverside”, nën ombrellën me logon e Coca Cola. Familjarë e grupe të rinjsh kishin zënë shëtitoren dhe lokalet përskaj lumit Ibër, jo larg urës qendrore të Mitrovicës. Me të hyrë në hapësirën e “Riverside”, unë dhe Nora filluam ta kërkonim argjentinasin e vetëm në mesin e më shumë se njëqind shqiptarëve. Pasi kaluam shtatë tavolina, Luisi na bëri me dorë. Përballë e kishte mikun e tij brazilian Rafaelon. Rafaelo si duket kishte ardhur në Mitrovicë për herën të tretë, këtë herë për ta shitur veturën e tij Skoda, dy javë para se të mbaronte misionin e tij në Kosovë.

Nora e njoftoi Luisin rreth punës së saj në muze, si dhe rreth sfidave dhe synimeve tona të përbashkëta. Pas një prezantimi të shkurtër që i bëra Rafaelos rreth Festivalit GREEN dhe aktiviteteve të tjera, akoma pa e ngrënë picën e porositur, ai ma shtroi një pyetje të drejtpërdrejtë. “A mos jeni të interesuar ta pini nga një birrë në anën tjetër të qytetit”, pyeti ai. “Ne po ju ftojmë, andaj mos u brengosni. Do të doja t’i dëgjoja përshtypjet e juaja para nisjes dhe pas kthimit nga ajo anë”, shtoi Rafaelo, i cili ishte mëse i vendosur për të na e mundësuar një ecje të lirë në qytetin tonë të lindjes. Luisi më pyeti se sa herë e kisha vi-zituar pjesën veriore. I thashë se mund të kenë qenë dy vizita gjithsej përgjatë 16 viteve të fundit, dhe atë në shoqëri të miqve ndërkombëtarë. Ndërsa, për të marrë vendim përfundimtar nëse do ta kalonim urën në orën nëntë të mbrëmjes, unë e pyeta Norën nëse do ta pranonte këtë ofertë të rrallë. Për një çast Nora u shtang. Nuk ishte e sigurt nëse shkuarja në anën tjetër të qytetit do të ishte vendim i duhur. Shikuam njëri-tjetrin në sy dhe sikur u pajtuam që ta ndërmarrim këtë aventurë shumë të dëshiruar.

U pajtuam që të niseshim përmes urës kryesore dhe që, në vend se të pinim birrë, të mer-rnim akullore në ndonjërën prej ëmbëltoreve të asaj ane. Në këtë mënyrë do ta bënim një “ice cream tour” që s’do të na merrte shumë kohë. Ura me vlerë gjysmë milionëshe, e ndërtuar nga francezët dhe Komuna e Mitrovicës, tashmë ishte katandisur keq dhe nuk i ngjante një ure normale. Ndriçimi i dobët bënte që të mos dukeshin imazhet e policëve të Kosovës, apo ushtarëve të KFOR-it italian që qëndronin në urë për ta mbajtur situatën nën kontroll. I kaluam policët dhe gjysmën e urës, ndërsa lamë anash barrikadën e re të vënë nga serbët, të quajtur “Parku i paqes”. Derisa ecnim mbi urë ndiheshim çuditshëm, e si rrjedhojë edhe flisnim çuditshëm. Një e qeshur e madhe kaploi urën kur Rafaelo na tha se jemi në duar të sigurta, ngase Luisi ishte mjeshtër i sportit luftarak capoeira. E gjitha kjo sikur na bëri të ndiheshim më në humor, ani pse përvoja na kishte futur në gjendje tjetër shpirtërore, të paktën për ne të dy që po flisnim një anglishte shumë më të zëshme se ajo që e flisnim para se të kalonim urën. Me një fjalë, na duhej të futeshim në petkun e të qenit të huaj. Që në pesëdhjetë metrat e para, u ballafaquam me një seri prej dymbëdhjetë kafenesh të mbushura me të rinj që pinin dhe kalonin çaste të këndshme nën tingujt e muzikës angleze e serbe.

Frika se mund të binim në sy si shqiptarë nga pjesa e poshtme e qytetit na kaloi. Nuk e kishim ndjesinë se jemi në qytetin tonë. Gjithçka që na rrethonte na bëri që të ndiheshim më shumë si turistë sesa si vendas. Kur mbërritëm në sheshin që serbët e quajnë “Shumadia”, Nora më pyeti nëse do shkonim djathtas, andej ku babai i saj dikur e kishte pasur kafiterinë me emrin e bijës së tij “Flora”. U përcaktuam për të ecur drejtë dhe për t’i shfrytëzuar sa më shumë rrugët e ndriçuara. Rafaelo u ndal pranë një kioske për ta blerë një pako cigaresh dhe provonte të merrej vesh me tri shitëset që hasën në vështirësi për ta këmbyer valutën euro në dinarë. Këtë herë Nora më pyeti në shqip, nëse kjo rrugë çonte tek varrezat e qytetit. Për t’ia bërë më të qartë Luisit, u desh t’ia kujtonim se dikur në këtë pjesë jetonim në një qytet të vetëm, ku s’dinim se ç’ishte jugu e ç’ishte veriu. Në fund të asaj rruge ndodheshin varrezat e qytetit ku, në mesin e qindra paraardhësve tanë, prehej edhe stërgjyshi im i ndjerë.

Me t’u kthyer në anën tjetër të rrugës, na verboi ndriçimi i fortë i Kishës Ortodokse Serbe, të ndërtuar rreth vitit 2004. Meqë nuk kishte shumë njerëz përreth, ia bëra kishës një foto-grafi të shpejtë dhe më pas e vazhduam rrugën. Rafaelo vendosi të na ngacmojë. Na tha që të rrinim të qetë sepse nga prapa po na ndiqnin ca njerëz. Duke e parë hamendjen tonë, nuk u përmbajt nga të qeshurat dhe pranoi se po bënte shaka me kripë. Kjo ma kujtoi vizitën time të parë në vitin 2004. Një artist holandez vendosi të na mundësonte një shëtitje me kamionetën e tij. Kjo kamionetë e mbante një dërrasë të bardhë në të cilën shkruante “Curiosity”. Sapo u futëm thellë në pjesën veriore, artisti na pyeti nëse e dinim se çfarë kishte të shkruar në dërrasë? Ne e pritëm me kureshtje përgjigjen. Tha se në dërrasën e madhe tashmë e kishte shkruar fjalinë: “Këtu ka shqiptarë” 😛

Sërish erdhëm tek sheshi, i cili dikur ka qenë vetëm një udhëkryq, ndërsa tani është bërë rrethrrotullim. Ndërkohë që kalonim para ca grafiteve nacionaliste, u përpoqa t’u tregoja miqve tanë, por edhe Norës, se në cilën kafiteri kisha punuar njëzet vite më parë. Në lo-kalin “Te Alberto”, përveç lartësisë mbidetare që kishte mbetur e njëjtë, thuajse gjithçka tjetër kishte ndryshuar. Dalëngadalë po e zbrisnim rrugën që na çonte kah “Krashi” i dikurshëm i çokollatave kroate, që tashmë ishte shndërruar në një dyqan të zakonshëm tregtar ballkanas. Përballë m’u shfaq ballkoni i hallës, të cilin tashmë e zotëronte krejt dikush tjetër. Sidoqoftë, aty nuk dukej se jetonte dikush. S’ke se si t’u ikësh kujtimeve. Ballkoni m’i kujtoi dy djemtë e hallës të cilët gjatë luftës, ani pse të mbyllur në banesë, përmes perdeve i panë policët e paramilitarët serbë duke vrarë qytetarë civil, si dhe duke u prerë flokët me thikë grave shqiptare.

Krejt para urës, u ndeshëm me asfaltin e “prashitur” keq, nismë tjetër kjo për ta barrikaduar urën dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve. Ne po ktheheshim prapa me plot nostalgji e emocione. Ndjemë nevojë për të folur për atë që e përjetuam, prandaj edhe i ndalëm miqtë tek ëmbëltorja Ballkan për t’i ngrënë akulloret që ua kishim përmendur më herët. Si të mos i falënderonim dy miqtë tanë, që kishin ardhur nga një kontinent krejt tjetër, dhe që na mundësuan këtë vizitë në qytetin tonë, i cili mbetej dhe me gjasë do të mbetet “mollë e ndaluar”?

Miqve të rinj u shpjeguam se u deshën më shumë se njëzet vite investim për t’i ndërtuar barrikadat në mendjet e qytetarëve mitrovicas. Dhe se, edhe sikur të gjithë vullnetmirët e paqedashësit e gjithë Mitrovicës ta jepnin maksimumin e tyre, s’do të kishin ndikim më të madh se nënshkrimet e duhura të politikanëve tanë (shqiptarë dhe serbë) dhe atyre eu-ropianë. Në të kundërtën, gjërat e “ndaluara” do të jenë përherë intriguese dhe pjesë e pashmangshme e ëndrrave të ditës dhe natës.

Luisit dhe Rafaelos u premtuam se do të shkruajmë për këtë natë dhe se do ta ndajmë këtë histori edhe me miqtë tanë anekënd botës. Një ditë ne vendosëm që ta shohim pjesën tjetër të qytetit, ndërsa si ne ka edhe qindra qytetarë tjerë në të dy anët. Andaj, s’do të ishte ide e keqe, që shembullin e Rafaelos e Luisit ta ndjekin edhe misionarët e shumtë të BE-se dhe të UN-it që veprojnë në rajonin e Mitrovicës. As Serbia e as Kosova s’mund të hyjnë dhe s’kanë pse të hyjnë në BE, nëse fillimisht nuk shërohet plaga e quajtur Mitrovicë.

(Ky blog ribotohet me leje nga Sbunker (http://sbunker.net/teh/33910/te-huaj-ne-vendlindje-pjesa-1/)