Të humbur në përkthim

Së fundi, gazetarët serbë janë ankuar se kur mungojnë deputetët e komunitetit të tyre në Kuvend, përkthimi në gjuhën zyrtare serbe mungon. Kjo përbën shkelje të kushtetutës nga institucioni më i rëndësishëm i vendit. Qytetarët serbë, natyrisht, mund të kenë interes t’i dëgjojnë diskutimet e deputetëve shqiptarë në Kuvend, apo mund të kenë interes të dëgjojnë për ligjet që miratohen apo refuzohen e që detyrimisht do ta ndikojnë jetën e tyre. Por, matanë interesit apo çinteresit për çështjet e Kuvendit qëndron e drejta që kërkon respektim të plotë.

0
120

Republika e Kosovës formalisht funksionon si demokraci parlamentare. Domethënë, formalisht, kuvendi ose parlamenti është institucioni më i rëndësishëm në vend. Aty emërohet e rrëzohet presidenti, emërohet e rrëzohet qeveria, ndryshohen e plotësohen ligje të rëndësishme dhe kushtetutohet [konstituohet] jeta e qytetarëve të Kosovës. Por, formalja nuk e dikton në tërësi jetën politike të vendit. Dihet gjerësisht se presidenti i vendit e ka nën kontroll një pjesë të aparatit të sigurisë në vend. Po ashtu, dihet se kryetari i kuvendit, Kadri Veseli, duke qenë kryetar i PDK-së, kontrollon një pjesë të ministrive dhe merr vendime të rëndësishme ekzekutive, siç ishte ai me vendosjen e taksës ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Dihet edhe se presidentja e mëparshme e Kosovës, Atifete Jahjaga, u zgjodh nga ambasadori amerikan Christopher Dell, dhe jo nga partitë tona parlamentare. E kështu me radhë.

Në anën tjetër, Kuvendi është i përbërë edhe nga një tufë deputetësh mediokër, që shpesh e përdorin një gjuhë tmerrësisht banale në kuvendime, dhe me raste ngujohen në përleshje të ashpra e të padobishme personale. Gjuha e disa deputetëve shqiptarë kërcen nga formaliteti mpirës në një intimitet gërditës.

Por, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e njeh vetëm shqipen si gjuhë zyrtare. Është edhe serbishtja. Së fundi, gazetarët serbë janë ankuar se kur mungojnë deputetët e komunitetit të tyre në Kuvend, përkthimi në gjuhën zyrtare serbe mungon. Kjo përbën shkelje të kushtetutës nga institucioni më i rëndësishëm i vendit. Qytetarët serbë, natyrisht, mund të kenë interes t’i dëgjojnë diskutimet e deputetëve shqiptarë në Kuvend, apo mund të kenë interes të dëgjojnë për ligjet që miratohen apo refuzohen e që detyrimisht do ta ndikojnë jetën e tyre. Por, matanë interesit apo çinteresit për çështjet e Kuvendit qëndron e drejta që kërkon respektim të plotë. E bash kjo shkelje e të drejtës po ndodh.

Ta zëmë, qytetarët serbë të vendit mund të mos kenë dëgjuar sharje e sulme mes deputetëve shqiptarë në mënyrë që të krijonin idetë e nevojshme mbi njerëzit që në një masë ua përcaktojnë fatin.

Është tepër e zorshme, në mos e pamundur, që të integrohesh në një vend, gjuhën e të cilit nuk e merr vesh. Sepse përmes gjuhës barten edhe idiotësitë e banalitetet e rëndësishme. Pra, është e pamundur të integrohesh në një vend, banalitetin e idiotësinë e të cilit nuk arrin ta gëlltisësh.

Më kujtohet që si fëmijë, derisa gjuhën angleze e flisja tepër pak, futesha në gazetat britanike në internet dhe lexoja me shumë kureshtje e shumë zor artikuj të ndryshëm që më interesonin. Nganjëherë s’e merrja vesh thuajse aspak atë se çka thuhej. E megjithatë, me ndihmën e fantazisë, e rrokja një univers tepër ekzotik e të huaj, pa banalitete, të pakufishëm e obskur. Më vonë, kur do ta përvetësoja më shumë anglishten, do të arrija të rrasesha në një dynja tjetër idiote përmes banalitetit e gjithë asaj që shpreh kufizueshmërinë e gjuhës dhe të kuptuarit.

Përveç që shkelet kushtetuta, kjo e bën përfaqësuesin politik shqiptar të duket më i huaj e më i errët në sytë e një serbi të Kosovës. 

Matanë këtij mosrespektimi të ligjit për gjuhët, kemi edhe një problem tjetër mjaft shqetësues: cilësinë e dobët të përkthimit. Edhe kjo ankesë vjen nga pjesëtarët e komunitetit serb që thonë se cilësia e dobët e përkthimeve shpesh ndikon në interpretimin dhe keqkuptimin e ligjeve, duke shkaktuar në këtë mënyrë konfuzion te qytetarët serbë. Kjo është një shkelje tjetër e rëndë e kushtetutës. Një tjetër problem banal që përkthehet në probleme reale për qytetarët e vendit tonë.

Por po ashtu, edhe kjo e tregon cektësinë e çdo përpjekjeje për pajtim e integrim dhe ushqimin e mëtejmë që i bëjmë ksenofobisë. Një ksenofob nuk kërkon të përkthejë gjuhën e tjetrit në gjuhën e tij. Për të, tjetri është i papërkthyeshëm, i huaj, thjesht një trup dhunues e vulgar. 

SHARE