Të kthyerit

Tema e cila u nis para disa javësh dhe ende nuk po i bie intensiteti është eksodi apo largimi masiv i popullatës shqiptare nga territori i Kosovës. Autoritetet po përpiqet që të ndalin largimin e shqiptarëve, organizatat joqeveritare me muaj më parë kanë filluar të punojnë në ndaljen e emigrimit të romëve dhe egjiptasëve.

0
569

Tema e cila u nis para disa javësh dhe ende nuk po i bie intensiteti është eksodi apo largimi masiv i popullatës shqiptare nga territori i Kosovës. Autoritetet po përpiqet që të ndalin largimin e shqiptarëve, organizatat joqeveritare me muaj më parë kanë filluar të punojnë në ndaljen e emigrimit të romëve dhe egjiptasëve.

A po e përmend ndokush kthimin e serbëve? Kthimin e atyre që janë larguar nga vatrat e tyre më 1999 dhe ende jetojnë nëpër qendra kolektive. Një numër i madh i personave të zhvendosur kanë ndërtuar shtëpitë e tyre të reja dhe nuk planifikojnë t’i ekspozohen situatave stresuese dhe administratës së bezdisshme të cilën kthimi në Kosovë e bart me vete. Por ka edhe të tillë të cilëve u kujtohet toka e vet derisa e punojnë tokën e tjetërkujt në ekzil. Ka edhe të tillë që duke marrë bukë e fasule në kuzhinë popullore mendojnë për ditët e lumtura të kaluara kur fasulja mbinte nëpër bahçet e tyre. Ka edhe të tillë që do të ktheheshin në Kosovë, por si? Si, kur në mes të Pejës është rrahur i kthyeri Pavić Gojković? Si, kur është rrahur Branislav Milovanović, i kthyer në Osojan? Si, kur serbëve në fshatin Dollc u janë vjedhur 1.2 tonelata grurë të sapokorrur? Si, kur familjes Jevtić me pesë fëmijë në fshatin Zallç u është vjedhur lopa kurse Ranko Bogićević-it nga Klina i është vjedhur edhe lopa edhe viqi? Si, kur në komunën e Klinës serbëve u është vjedhur tetë herë pompa e ujit? Kryesit e këtyre veprave po bëjnë një parandalim efikas të kthimit të pjesëtarëve të zhvendosur të komunitetit serb në Kosovë dhe seriozisht po e rrezikojnë ekzistencën e të kthyerve.

Policia e Kosovës rrallëherë i gjen (nëse i gjen fare) kryesit e këtyre veprave penale. Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare ia ka dalë të sigurojë kthimin e atyre personave të zhvendosur që kanë pranuar të kthehen. U ndërtuan shtëpi mbi hirin e shtëpive të tyre të dikurshme. Iu sigurua udhëtimi i sigurt prej qendrave kolektive në Serbi deri tek vendet ku gjendet prona e tyre në Kosovë. Mirëpo, procesi i kthimit nuk mund të cilësohet si i suksesshëm. Një shumicë e madhe e personave të zhvendosur ende jeton në ekzil. Disa u janë përshtatur kushteve të reja dhe kanë ndërtuar jetë të re, të tjerët në anën tjetër i druhen kthimit kur shohin rastet e Branislav Milovanović-it, Ranko Bogićević-it, Pavić Gojković-it…

Nga rreth 1000 të kthyer që jetojnë në fshatrat e komunës së Istogut vetëm tre prej tyre janë në punë. Çfarë sistemi siguroi Qeveria e Kosovës e çfarë bashkësia ndërkombëtare për njerëzit që janë të dobësuar ekonomikisht deri në atë masë sa që vuajnë për bukë? Çfarë shembulli u dërgohet atyre që ende nuk janë kthyer? A mos është vallë qëllimi që të zhvendosurit të kthehen sepse për këtë janë të detyruar nga kushtet e vështira në të cilat jetojnë e jo pse kjo do të duhej të ishte një rrjedhë e natyrshme e ngjarjeve?

Situatën e të kthyerve do ta shpjegoja në shembullin e thjeshtë të “shtëpisë së sigurt”. Nëse viktimës së dhunës i siguroni vendosje në shtëpinë e sigurt e pastaj e lëshoni jashtë pa mbrojtje dhe pa punësim, a i keni bërë ndonjë shërbim? E pikërisht ashtu të kthyerve u është siguruar ikja nga qendrat kolektive dhe vendosja në shtëpitë e reja e pastaj ata i lihen vetvetes dhe sulmuesve të cilët nuk heqin dorë nga gjuajtja me gurë, vjedhjet, rrahjet.

Kthimi nuk është rruga prej qendrës kolektive deri tek shtëpia e re e sapomontuar. Kthimi ka të bëjë me pranimin, punësimin, fuqizimin, ndihmën, pavarësimin, sigurinë, sigurimin. Të kthyerit nuk pranohen, janë të papunë, të dobët dhe të pafuqishëm para personave të dhunshëm, janë të varur nga njerëz humanitarë që japin apo nuk japin ndonjë lëmoshë, janë të lënë pas dore nga sistemi, pa siguri personale. Në pajtim me këtë, pozita e kërcënuar e të kthyerve është një prej pengesave për normalizimin e marrëdhënieve midis komuniteteve dhe shkëmb midis gurëve në të cilët merret në thua në rrugën drejt pajtimit.

SHARE