Të shkruash pas Srebrenicës

Duhet të dish të ballafaqohesh me dhembjen dhe të mos i përgjigjesh asaj me urrejtje, sepse kjo është rruga më e lehtë. Për një njeri, më së thjeshti është të fillojë të urrejë sepse ky është një refleks i kushtëzuar me të cilin trupi mbrohet, me të cilin ai dëshiron të mbijetojë tërë atë dhembje. Duhet të jesh më i fortë se rrethanat që të rrethojnë. Që t’ia arrish kësaj, duhet të jesh vetëm, edhe pse je pjesë e dhembjes kolektive e cila ka kontura të kozmikes në vete.

0
148

Duhet të shkruhet për Srebrenicën. Qoftë edhe nëse ai shkrim është i pavlefshëm, bile edhe nëse kurrë nuk do t’i shohë fytyrat e publikut të padukshëm. Është me rëndësi që të shkruhen të gjitha ato që ndihen, të gjitha ato që mendohen, gjithçka që qarkullon nëpër shpirtërat e njerëzve si një fluid i valë. Sepse ajo që nuk shkruhet as nuk ekziston, nuk ka ndodhur kurrë. Kot shiritat filmik, video xhirimet, nuk mund t’i  shikosh ato derisa je duke udhëtuar në tren të stërmbushur në Afrikën subsahariane (mundesh në celularë, por kjo nuk është video lojë), kurse librin mund ta mbash në dorë, ta lexosh kudo që je dhe në çdo kohë. Librin mund ta mësosh përmendësh, kurse filmin nuk mundesh. 

Është e nevojshme të dimë se si të menaxhojmë dhimbjen, të dimë se si ta formësojmë atë impuls të padukshëm (jehonë të ngjarjeve të largëta të tmerrshme), i cili të bën aq njerëzor. Duhet të dish të ballafaqohesh me dhembjen dhe të mos i përgjigjesh asaj me urrejtje, sepse kjo është rruga më e lehtë. Për një njeri, më së thjeshti është të fillojë të urrejë sepse ky është një refleks i kushtëzuar me të cilin trupi mbrohet, me të cilin ai dëshiron të mbijetojë tërë atë dhembje. Duhet të jesh më i fortë se rrethanat që të rrethojnë. Që t’ia arrish kësaj, duhet të jesh vetëm, edhe pse je pjesë e dhembjes kolektive e cila ka kontura të kozmikes në vete. Duhet të jesh vetëm dhe të mos e prostituosh dhimbjen tënde. Nga dhimbja jote mund të bësh çfarëdo forme që dëshiron, varësisht nga mjeshtëria që ke me fjalë. Ajo se si ti e përdor gjuhën nuk mund të ta shpëtojë jetën, por mund ta bëjë goxha më të lehtë.

Duhet të shkruhet për Srebrenicën, sepse asnjë poemë, asnjë rrëfim, asnjë roman, asnjë dramë (çfarë pleonazmi kulmor) për Srebrenicën kurrë nuk mund të arrijë fundin e vet. Nuk mund t’i vësh pikë një poeme për Srebrenicën, sepse një dhimbje e tillë nuk ka përfundim fizik e as metafizik. Ajo është e pafundme, ashtu siç e kam ndier vetëm disa herë në jetën time: në Buchenwald, Sachsenhausen, Erfurt, Jasenovc, Omarska, tek varrezat e qytetit në Vukovar dhe vende të tjera të trishtimit të përgjithshëm. Nuk ekziston një libër që mund të përshkruajë gurin e zi që ndodhet në Der Appelplatz (pikën e grumbullimit) në Buchenwald, megjithëse Jorge Semprun për robërinë në Buchenwald shkroi romanin kulmor “Udhëtimi i gjatë”.

Pyesja veten çka shërben ai gur i zi, me skaje të mprehta, ngjyrë që shkëlqen, i zi si gryka e natës. Pastaj na thanë se ky gur ishte aty sepse të burgosurit kishin për detyrë ta lëviznin atë nga një vend në tjetrin. Dhe kështu tërë kohën. Nuk është veprimi ai që tmerron, për mua është ngjyra e tij është ajo që të fut tmerrin, sepse guri është ende aty, i shkëlqyeshëm, me skaje të rrezikshme në të cilat mund të prehesh nëse je i pakujdesshëm. E zezë është edhe ngjyra e gomave të automobilave, mbi të cilat derdhej benzinë e që digjeshin të hedhura në rreth, e brenda atij rrethi ishin të burgosurit nga Omarska. I zi është edhe metali i krematoriumit, të cilin e prodhonin në firmën J. A. Topf und Söhne në Erfurt e me çka furnizoheshin kampet e përqëndrimit të nazistëve për nevojat e tyre.

Nata më e errët është në Donja Gradina, matanë Jasenovcit, ku gjendet fusha e gropave të varrezave, diku rreth 100-150 sosh. Aty ku ustashët bartnin të burgosurit me skele dhe atje, në anën tjetër të Savës, i vrisnin me armë të ftohta, me çekanë të drunjtë, në mënyrë që të burgosurit e tjerë të mos dëgjonin se çka po u përgatitej edhe  atyre të nesërmen. Pyjet e Donja Gradinës m’i kujtojnë pyjet fushore që rrethonin kampet e nazistëve, siç ishte ai në Belzec. Ato pyje të mrekullueshme e të thella polake dhe këto pyje të Bosnjës ku mund të ndiesh paqen dhe qetësinë qiellore. Nuk jam religjioz, por në vende të tilla duhet të kesh ndonjë formë besimi. Ajo bukuri jashtëtokësore e natyrës dhe ligësia njerëzore, që duket se nuk mund të lidhen me njëra-tjetrën, prapëseprapë, krejtësisht në mënyrë normale qëndrojnë pranë njëra-tjetrës. 

Në pyllin në Donja Gradina njeriu shumë lehtë do të mund të bëhej besimtar, por besimtar i një perëndie të ndruajtur, në miniaturë, jo të frikshme. Besimtar i ndonjë gjethi të shelgut lotues, apo i puplës së cinxamit, një religjioni në qendër të të cilit nuk është një krijesë e tmerrshme e cila dëshiron që njeriu t’i përkulet plotësisht. Sepse është e pamundur që në vende të tilla të mos thërrasësh ndonjë krijesë më të lartë se vetvetja. Atë krijesë e cila është më e fuqishme se guri i zi i Buchenwald-it, dhe shkëlqimi i së cilës shëron, sjell qetësi dhe harresë që je një krijesë drithëruese nga gjaku dhe mishi.

Prandaj duhet të shkruhet për Srebrenicën, sepse të shkruarit për të është të shkruarit edhe për Jasenovcin, Donja Gradinën ose Buchenwald-in. Tmerri nuk ka përcaktim gjeografik, pengesë gjuhësore, ngjyrë kombëtare, fe. Vendi i ekzekutimit është vend i ekzekutimit. Ashtu si ishte Sachsenhausen, kampi komandues i përqëndrimit i të gjitha kampeve të Evropës naziste, një fushë e madhe e rrethuar me plepa, në kurorat e të cilëve dëgjohen lejlekët afrikan, ata që së shpejti do të shkojnë në vende më të ngrohta. Dhe ndërsa fluturojnë, lëshojnë klithma të mbytura. Të njëjtat britma që i kanë dëgjuar hebrenjtë, romët, njerëzit me probleme mendore, homoseksualët, komunistët dhe të burgosurit e tjerë, të dërguar në kolona të heshtura, tek gropat për pushkatim. 

Natyra është e paprekshme dhe e pandjeshme ndaj problemeve njerëzore. Është si një pajisje radioje që merr sinjale, por që nuk mund t’i dërgojë ato askund jashtë vetes. Shkrimi është ajo pajisja e radios që mund t’i dërgojë të gjitha me valë kozmike kah e ardhmja. Kjo është puna e shkrimtarit, që të shkruajë për të ardhmen, aq sa edhe për të tashmen, edhe pse vendndodhja e librave të tij mund të jetë gjithmonë në të kaluarën.

Duhet të shkruhet për Srebrenicën qoftë edhe nëse ai shkrim nuk e shpëton askend përveç teje. Të besosh në shkrim është tashmë religjion i mjaftueshëm që mund të të shpaguaj, për një çast, një sekondë të kohës kozmike.


(Shënim: Ky tekst fillimisht është botuar në revistën BH Dani)

comments

SHARE