Thaçi: Marrëveshja me Serbinë do t’i dërgohet Kuvendit

0
298

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Presidenti Thaçi në një konferencë për media ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së me ndërmjetësimin e Federica Mogherinit, është folur vetëm për kornizën e marrëveshjes, ndërsa marrëveshja përfundimtare do të jetë ligjërisht obliguese për të dyja palët.

“Ky takim shënon fillimin e fazës përfundimtare të dialogut në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë fazë finale synojmë arritjen e një marrëveshje gjithë përfshirëse, ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe popujve tanë, ndërtimin e marrëdhënie fqinjësore dhe njohjen reciproke në mes të shteteve tona. Motiv për të dialoguar mbetet dëshira jonë që qytetarëve tanë t’u ndërtojmë paqe të qëndrueshme dhe të ardhme të sigurt evropiane. Ka më shumë se dy dekada që Kosova ka kërkuar dialog si mjeti i vetëm për t’i zgjidhur kontestet e hapura në konflikin në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ai shtoi se gjatë tërë këtij procesi, Kosova ka qenë konstruktive dhe e hapur për çdo takim dhe çdo iniciativë për të realizuar aspiratën e qytetarëve të Kosovës për jetë më të mirë.

Presidenti Thaçi tha se konsensuesi politik është qenësor dhe i domosdoshëm për dialogun.

“Tani për tani inicialisht është folur vetëm për kornizën e marrëveshjes, asgjë më tepër. Presim ftesën e përfaqësues së lartë Mogherini për takimin e ardhshëm që presim të ndodhë shpejt, por, ajo që është e ditur qysh tani, është se marrëveshja përfundimtare do të jetë ligjërisht, ndërkomëbatrisht obliguese për të gjitha palët. E mirëpres faktin se i tërë spektri politik në Kosovë, shoqëria civile, mediat, bota akademike, janë shprehur në favor të dialogut. Partitë politike të lokacionit qeverisës dhe ato opozitare janë duke zhvilluar një dialog të brendshëm politik, në tryezat e tyre politike që kanë zhvilluar këto ditë dhe më herët, dhe besoj se janë në fazën përfundimtare të marrjes së një vendimi apo drejtimi adekuat për mënyrën dhe modalitetet se si do të përfshihen në këtë proces me përgjegjësinë më të lartë, por edhe me marrjen e kredive për rezultatin historik që mund të ndodhë. Ã ‹shtë qenësore që konsensusi sa më i gjerë për dialog të arrihet sa më shpejt, pasi koha është duke ecur, procesi është duke ecur dhe ne nuk mund të ndalemi në këtë angazhim”, theksoi ai.

Ai tha se është i gatshëm që të jetë ky proces sa më transparent dhe do të udhëhiqet në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme.

Komponentë tjetër e këtij procesi, sipas tij, është edhe transparenca e plotë dhe marrëveshja finale të ratifikohet sa më shpejt që do të ishte e mundur në Kuvendin e Kosovës.

“Marrëveshja do të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës për të marrë vulën e miratimit nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Bisedimet në këtë fazë finale, pres ashtu edhe siç kanë filluar të jenë të rënda dhe të vështira. Është një konflikt për më tepër se një shekullor që pritet të përmbyllet me marrëveshje paqësore të normalizimit, pajtimit dhe njohjes reciproke. Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin e Evropian dhe në paktin NATO, për ta siguruar vendin e merituar të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, theksoi Thaçi.

Sipas Presidentit Thaçi, kjo është një mundësi që nuk guxon ta humb Kosova, përndryshe do të mund të mbetet në pozicionet e Palestinës apo të Qipros veriore.

Thaçi në fund ka thënë se Presidenti ka mandatin e plotë kushtetues, ligjor dhe legjitimitetin qytetarë për udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë. Po ashtu, potencoi se dialogu me Serbinë është i përkrahur nga të gjithë miqtë e Kosovës.

(rtklive.com, 28/06/2018)

SHARE