Thaçi: Takimi me Vuçiqin, më i shkurti por më i vështiri

0
142

Presidenti Hashim Thaçi e ka cilësuar si shumë të vështirë takimin e tij të sotëm në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, dhe Përfaqësuesen e BE-së, Fedeica Mogherini. njofton Klan Kosova.

“Ka qenë një takim i shkurtë. Ka qenë një takim jo i lehtë. Shumë i vështirë. Më i shkurti por më i vështiri prej të gjitha takimeve që i kemi zhvilluar gjatë gjashtë vjetëve të fundit”, ka thënë Thaçi pas takimit.

“Por, përkushtimi ynë për të ardhmen tonë është serioz. Do të punojmë maksimalisht që ta arrijmë marrëveshjen përfundimtare”.

Megjithatë, i pari i vendit ka pohuar se sheh dritë në fund të tunelit, pavarësisht bindjeve të Vuçiqit mbi Kosovën.

“Ka qenë takim shumë i rëndë me zotëri Vuçiq. Ai duhet ta kuptojë se Kosova është vend sovran”.

“Mirëpo do të punojmë që të arrijmë marrëveshje përfundimtare, që do të jetë fituese dhe kredibile për Kosovën, për Serbinë por edhe për investimet e BE-së”.

“Tash do të shikojmë në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat, por theksoj, ka qenë një takim i rëndë”.

Thaçi beson në arritjen e një marrëveshjeje për të dy vende si vende sovrane, e cila lehtëson të ardhmen e të dyja vendeve, si dhe që ka perspektivë euroatlantike për Kosovën dhe fqinjin e saj.

Sidoqoftë, ai ka shtuar se nuk pret që ky proces të lehtësohet në ditët dhe javët e ardhshme, madje pret vështirësi dhe pengesa edhe më të mëdha në atë që ai e quajti maratonë të dialogut dhe negociatave të Kosovës me Serbinë.

Ai tha se mund të ishte arritur një marrëveshje, porse nuk mund ta çlirosh mentalisht njeriun, duke iu referuar Serbisë, për të cilën deklaroi se duhet të çlirohet në aspektin mendor.

(klankosova.tv, 18/07/2018)

comments

SHARE