Thank you USA

Po fitohet përshtypja se politika e Beogradit zyrtar përnjëherë po ashpërsohet, po devijon nga kursi i Lindjes dhe po ecën rrufeshëm drejt kursit të Perëndimit, me destinacionin përfundimtar në Uashington. Për ndonjë arsye, muajin e fundit, shpresa të mëdha janë varur tek Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe një shpresë po ngjallet se pikërisht ai është njeriu që, me forcën e autoritetit të tij, mund t'i vë pikë zgjidhjes përfundimtare të problemit të Kosovës.

0
582

Më duket se kemi filluar të vrapojmë në një garë për të cilën jemi vonuar paksa por për të cilën nuk është kurrë vonë që të nisim vrapin. Ky shteg është mjaft i gjatë dhe lirisht mund të thuhet që ky është një vrapim maratonik por kam drojën se pjesëmarrësit tjerë janë tashmë larg para nesh. A do t’ia dalim që të vrapojmë deri në fund meqenëse jemi të fundit që e kemi filluar, këtë do ta tregojë koha, por besoj që do të vrapojmë deri në atomin e fundit të forcës sepse kjo tani për momentin na duket që është i vetmi qëllim për të cilin paraprakisht nuk na ka rënë flamuri.  

Me qëllim fillova ta shkruaj këtë tekst në këtë mënyrë figurative ashtu që lexuesve më së lehti t’ua përshkruajë situatën e re në të cilën u gjetëm pas takimit të famshëm të fillimit të shtatorit në Uashington. Po fitohet përshtypja se politika e Beogradit zyrtar përnjëherë po ashpërsohet, po devijon nga kursi i Lindjes dhe po ecën rrufeshëm drejt kursit të Perëndimit, me destinacionin përfundimtar në Uashington. Për ndonjë arsye, muajin e fundit, shpresa të mëdha janë varur tek Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe një shpresë po ngjallet se pikërisht ai është njeriu që, me forcën e autoritetit të tij, mund t’i vë pikë zgjidhjes përfundimtare të problemit të Kosovës.

Argumentet që shkojnë në  favor të kësaj janë edhe lëshimet që Beogradi tashmë i ka bërë dhe i ka ndërmarrë, e kanë të bëjnë me përmbushjen e kërkesave nga marrëveshja që u nënshkrua më 4 shtator në Uashington. Madje shkohet deri atje sa që në pendën dhe urën e liqenit të Ujmanit u ngrit një mbishkrim i madh me emrin Liqeni Trump, gjë të cilën zyrtarët amerikanë, në krye me Richard Grenellin, e përshëndetën përzemërsisht. Për më tepër, rastësisht kjo përkoi me përvjetorin e operacionit “Halyard”, i cili shënon aksionin më të madh të shpëtimit të pilotëve të aeroplanëve të rrëzuar amerikanë dhe aleatë, përvjetor i cili u shënua kah fundi i muajit shtator në fshatin Pranjani, afër Gornji Millanovcit, në Serbi, ku morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, kryeministrja, Ana Brnabić, si dhe ambasadori amerikan, Anthony Godfrey, i cili këtë lajm në të njëjtën mënyrë e postoi në rrjetet sociale siç bëri edhe Richard Grenell. Në vendin e aksionit të shpëtimit u vendos pllaka si dhe shtizat me flamurin serb dhe atë amerikan, me rastin e shënimit të 76-vjetorit të këtij operacioni.

Dhe ndërsa diplomacia serbe është në ngritje, në Kosovë po shfaqet një tablo krejt tjetër. Hetuesit e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe pjesëtarët e misionit EULEX arrestuan presidentin e “Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së”, Hysni Gucatin, si dhe nënkryetarin e kësaj shoqate, Nasim Haradinajn. Prokuroria Speciale në Hagë menjëherë konfirmoi arrestimin e Gucatit, që është transferuar në Hagë, e mandej në një komunikatë të re edhe që po ngarkohet me vepra penale kundër gjyqësorit, gjegjësisht, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurave. Kohëve të fundit, Kosova është tronditur nga afera për rrjedhje të pretenduar të mijëra faqeve të dosjeve që pretendohet se janë të Prokurorisë Speciale nga Haga, kështu që këto dosje në tri raste u sollën në selinë e “Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së”, derisa për përmbajtjen e të njëjtave pjesëtarët e kësaj shoqate e kanë lajmëruar opinionin publik. Janë simptomatike këto ngjarje në Kosovë kohët e fundit nëse e marrim parasysh që Prishtina zyrtare tashmë një kohë po shmang përmbushjen e obligimeve të veta që i ka në përputhje me marrëveshjet e ndryshme që i ka nënshkruar me Beogradin, e në veçanti njohjen e Asociacionit të komunave serbe, e cila po iu qëndron si kockë në fyt sa herë që kjo temë vendoset në tryezën politike. Momentalisht krijohet përshtypja që Amerika ka simpati ndaj Serbisë dhe që Serbisë po i pëlqen një gjë e tillë. Natyrisht, çdo gjë është më e bukur dhe tingëllon shumë më mirë se sa të presësh dhe të rrish ulur një orë e gjysëm në një karrige para kabinetit të njërit prej njerëzve më të fuqishëm në botë në Sheshin e kuq.  

Sido që të jetë, ekziston vetëm një rregull në botën e diplomacisë: nuk ka drekë falas. Kam frikë se dikujt prej nesh darka do t’i kushtojë shumë më tepër se sa që kemi kursyer për drekë. Unë vetëm shpresoj që e tëra të mos mbetet vetëm në fjalë dhe rrahje miqësore supeve, derisa të ketë interes për diçka të tillë. Mos harroni se edhe njerëzit në Kosovë para më shumë se dhjetë vitesh bënë gjithçka për t’i bërë për vete zyrtarët amerikanë në mënyra të ndryshme. Ata madje shkuan aq larg sa ngritën monumente, shkruan këngë, etj. Kur veç po flasim për këtë, sapo e dëgjova këngën “Thank you USA” nga Armendo Miftari MENDI. Vërtet më intereson nëse e njëjta këngë, pas kaq vitesh, do të shkruhej dhe këndohej përsëri me kaq zell?

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës