Ujmani (Vučić e Thaçi show)

Kjo është një zonë shumë e ndjeshme dhe nuk është gjë e mençur të luhet me jetën e njerëzve. Këtu është lehtë të lëvizësh masën, është lehtë t'i shtysh njerëzit të vdesin, thuajse jeta është aq e lirë këtu. Unë vetëm shpresoj që populli nuk do të mashtrohet me retorikën nxitëse të Beogradit dhe Prishtinës dhe se me kalimin e kohës tensionet do të ulen, e që me këtë do të jetë më i fuqishëm bashkëpunimi ekonomik midis serbëve dhe shqiptarëve, me qëllim që të përmirësohet cilësia e jetës.

0
434

Muaji shtator ishte tejet i stuhishëm për serbët e veriut të Kosovës. Ardhja e Hashim Thaçit në veri të Kosovës, më saktësisht në Liqenin e Ujmanit, në fakt është një pasqyrë reale se ku gjendet shoqëria kosovare. Me këtë inkursion në veri me pjesëtarët e shërbimit të Kosovës, të armatosur deri në dhëmbë, ai shkaktoi huti në mesin e popullatës lokale. Reagimi i Bashkimit Evropian mungoi, ndërsa këto marrëveshje të arritura në Bruksel qartazi po interpretohen në mënyra të ndryshme në Beograd dhe në Prishtinë. Në të vërtetë, secili bën ashtu siç i konvenon. Çfarë porosie është dërguar me këtë ndërhyrje me persona eskluzivisht të nacionalitetit shqiptar, të cilët e përcollën me tyta të gjata? A është ky kontrolli i kësaj pjese të territorit, provokim apo për t’i treguar Vučić-it se është e mundur edhe ardhja e politikanëve shqiptar në veri të Kosovës? Edhe një shfaqje për popullin, vetëm gjatë një muaji dy përfaqësuesë të popullit e vizituan këtë liqe. Është e qartë se ky liqe është strategjikisht i rëndësishëm, por ardhjen në këtë vend qartazi edhe Thaçi edhe Vučić-i e shohin si një akt heroik. Presidenti Vučić ia dëshmoi popullit të vet se do të vijë në Kosovë dhe do të vizitojë Ujmanin, megjithëse me sugjerimin që evropianët ia bënë autoriteteve në Prishtinë të cilët për shkak të rrethanave u desh të lejonin këtë vizitë. Tani papritmas  Hashim Thaçi, me forca të mëdha të policisë speciale, e vizitoi liqenin. Prapë një akt i guximshëm dhe shfaqje për popullin e vet. Ose ndoshta kjo ardhje ishte vetëm neutralizim i mitingut kundër Thaçit që u organizua në Prishtinë po të njëjtën ditë, e të cilit mediat nuk i dhanë edhe aq shumë hapësirë. 

Intrigat që po i bëjnë liderët e lartpërmendur duken si një reality show që mund të ketë pasoja afatgjata. Shkatërrimi i shoqërisë kosovare është shkaktuar nga qasja qesharake ndaj problemeve që janë prezente këtu gjatë 20 viteve të fundit. Vučić-i dhe Thaçi po përpiqen që të imponojnë sistemin sipas modelit të fuqive të mëdha. Ata po tregojnë  patriotizëm, po i tregojnë fuqi popujve të tyre, po tregojnë disa reforma të cilat do të ndryshojnë jetën e këtyre njerëzve gati të pashpresë, po tregojnë një lloj konsistence. Të gjitha këto përfundojnë kur takohen në Bruksel, ku nënshkruhet ajo që urdhërdhënësit e kërkojnë, implementohen idetë e të mëdhenjve.

Vizitat tek liqeni i Ujmanit mund të konsiderohen si marrëveshje e atyre dyve për vjeljen e poenave politik apo ndoshta është testimi i anës tjetër, shkaktim i rrezikut në të cilin vihet kush tjetër pos populli që jeton në këtë territor. Të dërguarit si Thaçi e Vučić-i, me veprime të tilla më parë do të shkaktojnë ndonjë tragjedi a ndonjë luftë se sa që do të integrojnë këtë shoqëri në Bashkimin Evropian. Këta liderë i referoheshin demarkacionit, bashkësisë së komunave serbe, themelimin e një gjykate në Kosovë për krime lufte, të cilat pastaj të gjitha i mbuluan mirë e mirë, krijojnë nervozizëm në mesin e popullit, luajnë, krijojnë pompozitet në media. Sidoqoftë, veprimet e njëanshme si të njërit ashtu edhe të tjetrit mund të shihen si një provokim, mund të shihen si një politikë e papërgjegjshme.

Testim apo jo, veprime të tilla sigurisht nuk janë të mirëseardhura. Nëse vazhdohet me shkaktimin e problemeve, lehtë mund të vijë deri tek përshkallëzimi ku mund të ketë edhe viktima. Kjo është një zonë shumë e ndjeshme dhe nuk është gjë e mençur të luhet me jetën e njerëzve. Këtu është lehtë të lëvizësh masën, është lehtë t’i shtysh njerëzit të vdesin, thuajse jeta është aq e lirë këtu. Unë vetëm shpresoj që populli nuk do të mashtrohet me retorikën nxitëse të Beogradit dhe Prishtinës dhe se me kalimin e kohës tensionet do të ulen, e që me këtë do të jetë më i fuqishëm bashkëpunimi ekonomik midis serbëve dhe shqiptarëve, me qëllim që të përmirësohet cilësia e jetës.

SHARE