Unitet pa të menduar uniform

Pra, nga uniteti/të menduarit uniform parazgjedhor i serbëve të Kosovës nuk ka asgjë; pas shumë viteve serbët do të kenë të drejtën që vërtetë të zgjedhin përfaqësuesit e vet, por a do të kenë mundësi që vërtetë ta bëjnë këtë, e kjo edhe nuk varet bash prej tyre. Shpresoj që këto zgjedhje do të kalojnë pa ato skenat tragjike që kemi pasur rastin t’i shohim në ciklet e mëparshme zgjedhore në Kosovë. 

0
60

Siç e dimë mbase të gjithë, pas dorëheqjes së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, në Kosovës pasojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Pas mjaft zvarritjeve dhe përpjekjeve që nën presion të bashkësisë ndërkombëtare eventualisht të shmangen zgjedhjet parlamentare dhe që sa më parë të vazhdohet dialogu me Serbinë e të shpejtohet procesi i arritjes së “një marrëveshjeje gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme,” më 26.08. presidenti Thaçi më në fund i shpalli zgjedhjet për datën 6 tetor 2019.

Sa i përket partive politike shqiptare në Kosovë, pjesëmarrja në këto zgjedhje nuk është e kontestueshme; të gjitha partitë janë në hovin e garës zgjedhore, kështu që disa prej tyre tashmë kanë lidhur koalicione parazgjedhore, disa i kanë nominuar kandidatët e tyre për kryeministër, ku për herë të parë në Kosovë do të kemi një grua për kandidate për këtë pozitë nga LDK-ja, kurse disa deputetë të njohur edhe i kanë lëshuar partitë ku kanë qenë deri më tani për shkak të koalicioneve potenciale me partitë e tyre të mëparshme. Në fund të fundit, është diçka dinamike.

Por çka po ndodh me partitë politike serbe në këto zgjedhje? Paj as aty nuk është e kontestueshme pjesëmarrja në zgjedhje, edhe pse përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë që vendimin do ta marrin vetëm pas konsultimeve me presidentin e Serbisë, kurse pjesëmarrjen edhe e konfirmuan pas dritës së gjelbërt nga Vučić-i. OK, kjo është pjesë e folklorit të tyre, diçka që shërben që edhe një herë të theksojë dhe t’i japë rëndësi presidentit Vučić, por pjesëmarrja e këtij grupacioni politik në zgjedhje nuk është e kontestueshme. Nuk është e kontestueshme aq më parë kur tashmë kanë nisur një luftë verbale me të gjitha opsionet tjera politike serbe që nuk e ndajnë mendimin e tyre. Kjo retorikë është e ngjashme si edhe shumë herë më parë dhe bën thirrje për “unitet” të popullit serb në Kosovë dhe për paraqitje të përbashkët, por, natyrisht, nën patronatin e tyre dhe me kushtet paraprakisht të pranuara që i dikton kjo parti politike. E tash, a është kjo thirrje për unitet apo për të menduar uniform, po ua lë secilit prej jush që të vlerësoni dhe kuptoni ashtu siç u pëlqen më shumë. 

Asi lloj “uniteti” siç e kupton Lista Serbe dhe Aleksandar Vučić nuk do të ketë. Në fakt, të gjitha opsionet e tjera politike të serbëve të Kosovës tashmë janë deklaruar që nuk duan paraqitje të përbashkët me Listën Serbe, kështu që edhe Slobodan Petrović, me Partinë e tij të Pavarur Liberale, dhe Nenad Rašić, me Partinë e tij Progresive Demokratike, i regjistruan listat për zgjedhje dhe i mblodhën individët e organizatat që janë të gatshme t’u bashkëngjiten në këtë cikël (e mund të jetë edhe cirk) zgjedhor.

Mirëpo, Lidhja opozitare për Serbinë, e cila para pak kohe formoi përfaqësinë e saj në Kosovë, ku janë bashkuar faktorë të caktuar politik të cilët i kundërvihen politikës së Listës Serbe dhe Aleksandar Vučić-it, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, gjë që është në përputhje me vendimin e Lidhjes për Serbinë për bojkotimin e zgjedhjeve në Serbi për shkak të parregullsive dhe kushteve të pabarabarta zgjedhore. 

Pra, nga uniteti/të menduarit uniform parazgjedhor i serbëve të Kosovës nuk ka asgjë; pas shumë viteve serbët do të kenë të drejtën që vërtetë të zgjedhin përfaqësuesit e vet, por a do të kenë mundësi që vërtetë ta bëjnë këtë, e kjo edhe nuk varet bash prej tyre. Shpresoj që këto zgjedhje do të kalojnë pa ato skenat tragjike që kemi pasur rastin t’i shohim në ciklet e mëparshme zgjedhore në Kosovë. 

E pas zgjedhjeve? Paj sipas të gjitha gjasave çdo gjë sillet prapë në rreth.

SHARE