Ura e Ibrit lëshohet në qershor

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka shprehur optimizëm se deri në muajin qershor ura mbi lumin Ibër do të jetë në funksion të qytetarëve të jugut dhe të veriut.

0
1004

Ai ka thënë të enjten për “Epokën e re” se tashmë është shpallur tenderi dhe në muajin mars kompania fituese do t’i nisë punimet për renovimin e urës mbi lumin Ibër, ashtu siç është paraparë me marrëveshjen e Brukselit. “Shpresoj se marrëveshja, të cilën e kemi nënshkruar, do të realizohet sepse nuk ka kuptim dhe arsye të mos zbatohet. Të gjithë parametrat çojnë në atë se gjithçka do të përfundojë ashtu siç është paraparë. Tashmë është shpallur tenderi dhe pritet të përzgjidhet një kompani për ta realizuar projektin për renovimin e urës mbi lumin Ibër. Kam biseduar me përfaqësuesit e BE-së, prej të cilëve kam kërkuar të përzgjidhet një kompani serioze që t’i kryejë punët seriozisht. Prandaj, punimet do të nisin në muajin mars dhe në muajin qershor do të bëhet hapja e urës”, ka deklaruar Bahtiri.

Ai ka thënë se renovimi i urës nuk ka asnjë lidhje me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sepse, sipas Bahtirit, Asociacioni është çështje politike, kurse ura është çështje praktike, e cila lidh qytetarët e jugut me të veriut. “Me lirimin e urës ka siguri më të madhe, sepse serbët vazhdimisht kanë thënë se ‘në mungesë të sigurisë në mes tyre dhe shqiptarëve kanë qenë të detyruar ta vendosin barrikadën’, por kjo nuk ka qenë e vërtetë. Prej se kam ardhur në krye të komunës nuk ka pasur asnjë incident dhe asnjë problem në atë drejtim”, është shprehur Bahtiri, duke shtuar se gjatë këtyre dy vjetëve të qeverisjes ai ka treguar se është për të gjithë qytetarët, pavarësisht se cilit nacionalitet i takojnë. “Kam ardhur nga biznesi dhe njerëzit e biznesit nuk njohin kufi, nacionalitet, aq më pak barrikada. Mesazhin tim e kanë kuptuar edhe serbët dhe tani jemi në procedurën e kthimit të shqiptarëve në pjesën veriore, duke themeluar një këshill të përbashkët, ku janë të kyçur dy ministrat serbë, dy kryetarët e komunave si dhe nga dy përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe atij serb. Njëkohësisht, kemi bërë listën e parë se kush do të kthehet dhe në mars do të fillojë puna atje dhe ne dy kryetarët e komunave do ta vëmë gurë themelin e shtëpive të para që do të ndërtohen në pjesën veriore”, ka treguar Bahtiri. Ai ka thënë se, edhe pse pak me vonesë, gjërat janë duke shkuar në rrugë të mbarë dhe në hapa të sigurt, pa asnjë problem dhe tension. “Kjo është arritje e madhe, sepse qytetarëve do t’u hiqen stresi dhe frika dhe Mitrovica do të jetë një qytet i bashkuar”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa analisti politik Nexhmedin Spahiu ka thënë të enjten se bashkimi i Komunës së Mitrovicës ka marrë fund me projektin e ish-kryetarit të saj, Bajram Rexhepi. “Bashkimi i Mitrovicës ka marrë fund që nga plani i Bajram Rexhepit në vitin 2007, kur ai ka propozuar që Mitrovica të ndahet në dy komuna. Më nuk bëhet fjalë për bashkim të Mitrovicës, por bëhet fjalë për një urë ose një psikologji ndarje në mes të Kosovës dhe veriut të saj. Mitrovica veçse është ndarë në çdo kuptim, por çështja është se, a po ndahet Kosova dhe deri në çfarë mase po ndahet”, ka thënë Spahiu për “Epokën e re”. Sipas tij, qëllimi i marrëveshjes së Brukselit nuk ka qenë lirimi i urës, por bllokimi i mëtutjeshëm i saj. “Mendoj se marrëveshja e Brukselit për urën e Ibrit është marrëveshje e keqe, e cila ka pasur për synim jo zhbllokimin e urës, por bllokimin e saj. Këtë e dëshmon fakti se pas asaj marrëveshjeje në Bruksel ura është mbyllur pothuajse tërësisht në emër të rivitalizimit, edhe pse nuk ka pasur nevojë për rivitalizim, sepse ka mjaftuar një buldozer dhe brenda gjysmë ore të largohej barrikada ekzistuese, meqë nuk ka pasur ndonjë telashe dhe ura është ndërtuar rishtazi nga Qeveria franceze”, ka deklaruar Spahiu, duke shtuar se ura është bllokuar deri në qershor me qëllim që të shumëfishohet barriera psikologjike në mes të veriut dhe jugut. “Qëllimi i saj ka qenë që xhamia, e cila ka ekzistuar për qindra vite në cepin veriore të urës së Ibrit, të mos figurojë më duke u thirrur në një marrëveshje të Brukselit. Kjo xhami ka qenë më e vjetra e qytetit, e cila është djegur në prill të vitit 1999. Mirëpo, nëse kjo urë do të lëshohet ose jo në qershor ne nuk e dimë, sepse aktualisht nuk po kryhen kurrfarë punimesh, edhe pse nuk ka çfarë të kryhet”, ka vlerësuar Spahiu.

(Epoka e re, 08/01/2016)