Vendkalime administrative apo kufitare?

A është Kosova Serbi, nëse qytetarëve të Serbisë nuk u duhet pasaportë për të hyrë në atë territor? A janë vendkalimet midis Serbisë dhe Kosovës administrative apo kufitare? Gjykuar sipas vendimit që e kanë marrë zyrtarët e Prishtinës, këto vendkalime janë administrative.

0
70

Evropa, shekulli 21-të, e një shtet i cili po përpiqet që të jetë i pavarur po zbaton lëvizje paksa të krisura. Mbase në këtë mënyrë po e tregon pavarësinë e tij. Përveç taksave të vendosura nga ana e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, autoritetet e Prishtinës vendosën të ndërmarrin një hap të ri, interesant. Tani i erdhi radha ndalimit të hyrjes në Kosovë me pasaporta të Serbisë. Për çfarë arsye? Kujt në Prishtinë i pengojnë pasaportat serbe? Me këto pasaporta udhëtohet normalisht nëpër vendet evropiane, por jo edhe në/nëpër Kosovë. Çka dëshiron Prishtina të arrijë me këto masa të reja të drejtuara kah Serbia dhe qytetarët e saj? A qëndron edhe pas këtij vendimi për ndalesën e pasaportave të Serbisë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, meqenëse vendosja e taksës ndaj Serbisë i ka sjellë mjaft poena politik? Ndoshta dëshiron të mbledhë edhe ndonjë poen para zgjedhjeve, për të përforcuar pozitën e tij. 

Hyrja në Kosovë për qytetarët e Serbisë është e mundur vetëm me letërnjoftim apo çertifikatë të lindjes me fotografi, kështu që duket që kjo masë e drejtuar kah Serbia edhe nuk është aq e tmerrshme, por pse vendoset diçka e tillë? A është Kosova Serbi, nëse qytetarëve të Serbisë nuk u duhet pasaportë për të hyrë në atë territor? A janë vendkalimet midis Serbisë dhe Kosovës administrative apo kufitare? Gjykuar sipas vendimit që e kanë marrë zyrtarët e Prishtinës, këto vendkalime janë administrative. 

Prishtina me këtë vendim vetëm sa po i maltreton qytetarët që dëshirojnë Kosovën ta shfrytëzojnë si tranzit apo edhe ndoshta që Kosova të jetë destinacioni i tyre i fundit. Këta hapa anticivilizues dhe frustrues nuk i cenojnë vetëm serbët, por edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë. Ata shqiptarë më shpesh shkojnë në Kosovë se sa në Serbinë qendrore, e shfrytëzojnë aeroportin e Prishtinës, blejnë mallra në Kosovë, kështu që në një mënyrë Kosova i ka futur vetes “një therrë në këmbë të shëndoshë”.

Autoritetet e Kosovës në këtë mënyrë po e shuajnë idenë për të cilën po luftojnë me vite, e kjo është shteti, pavarësia. Për hyrje në një shtet është e nevojshme pasaporta, gjë që është e kuptueshme, kurse Prishtina u ka kushtëzuar qytetarëve të Serbisë hyrjen vetëm me letërnjoftim, gjë që mund të nënkuptohet se Kosova është pjesë e Serbisë sepse kudo që të udhëtojnë nëpër Serbi, qytetarët e asaj Serbie duhet të kenë me vete letërnjoftimin. Kjo më duke se është diçka që Prishtina nuk e dëshiron, nuk dëshiron të jetë pjesë e Serbisë. Kështu, kjo masë tregon atë se vendkalimet midis Serbisë dhe Kosovës janë administrative, e jo kufitare. 

Këto ditë është paraqitur edhe një problem në po ato vendkalime ku doganierët kosovarë e kërkojnë dokumentacionin e lartpërmendur për të hyrë në territorin e Kosovës. Janë krijuar kolona të stërgjata, për faktin se mërgimtarët nga Kosova i shfrytëzojnë këto ditë për pushime, kështu që procesi i hyrjes dhe daljes nga Kosova zgjatë shumë. Pritet me orë të tëra, kurse me mërgimtarët në kolona po presin edhe banorët që jetojnë aty në afërsi të këtyre vendkalimeve dhe që i përdorin ato çdo ditë. Në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian ekziston një korsi e veçantë për qytetarët e vet që kanë prioritet kalimi në situata të këtilla, por kjo nuk është kështu në vendkalimet midis Serbisë dhe Kosovës. Pasi që këtu nuk ka prioritete, imponohet pyetja a janë këto vendkalime kufitare apo administrative?

Prishtina po ia hedhë fajin doganierëve serbë për shkak të tollovive në vendkalime, ndonëse përvoja ime nuk është pikërisht e tillë. Koha e kaluar si tek zyrtarët serbë ashtu edhe tek ata shqiptarë është e ngjashme. Sa kam mundur të vërej kjo vlen edhe për mërgimtarët. Vetëm që numri i automjeteve që vijnë është i madh, prandaj bllokimet janë të pashmangshme. Beogradi në anën tjetër e akuzon po atë Prishtinë për provokime të shpeshta. Çfarë loje, çfarë shtyrje për t’ia hedhur njëri-tjetrit – në kurriz të njerëzve të të zakonshëm. Kështu që politikanët le ta pyesin veten pse nuk po mund ta ndalin eksodin e popullatës nga këto hapësira.

SHARE