Veriperëndimi i Kosovës dhe ‘Ahtisaari Minus’

Marrëveshja ku parashihet këmbimi i territoreve, Ahtisaari Minus, njohja e Kosovës nga Serbia, ulësja në OKB për Kosovën do të normalizonin raportet. Të gjitha këto së bashku për Kosovën do të garantonin edhe subjektivitet të brendshëm, edhe subjektivitet të jashtëm. Vetëm kështu mund të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

0
162

Kur Kosova ishte pavarësuar nga Serbia, Veriperëndimi* i vendit synonte të ndahej dhe të bashkohej me Serbinë. Rreziku për një lëvizje të tillë, edhe pse i menaxhuar, ka qenë real që nga paslufta. Për shkak të kësaj gjendjeje, emisari special i OKB-së për të ndërmjetësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Marti Ahtisaari, përveç propozimit për pavarësinë e Kosovës, në Planin e tij të Përgjithshëm kishte paraparë edhe një gamë të të drejtave dhe privilegjeve për komunitetet joshqiptare, në veçanti për serbët. Por Pakoja e Ahtisarit nuk është përpiluar aq shumë për serbët poshtë Ibrit, sa për serbët që jetojnë mbi Ibër. Nëse të drejtat për komunitete janë dizajnuar për të akomoduar të gjithë serbët dhe komunitetet tjera të Kosovës, privilegjet e parapara me kushtetutë për komunitetin serb janë dhënë për të mbajtur Veriperëndimin në Kosovë. Ahtisaari përmes akomodimit të serbëve brenda rendit kushtetues të Kosovës është munduar t’i kontrollojë dhe menaxhojë ambiciet secesioniste të serbëve në Veriperëndim.

Megjithatë, as këto nuk u kanë mjaftuar serbëve të Veriperëndimit. Më 2012 ata kishin organizuar referendum përmes të cilit shprehën mungesën e vullnetit për t’i pranuar institucionet, kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ky refuzim i vazhdueshëm për të respektuar sovranitetin e Kosovës ishte bërë temë e dialogut të Brukselit dhe më 2013 u arrit Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e cila parashihte themelimin e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe. Në gusht të 2015, për themelimin e këtij Asociacioni u arrit një marrëveshje tjetër edhe më e detajuar. Kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për shkak se nuk ishte “tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse”. Që nga ajo kohë pak është bërë për këtë Asociacion. Tani problemi është që serbët kërkojnë së paku kompetencat e parapara me marrëveshjen e vitit 2015, ndërkohë që shqiptarët nuk ofrojnë më tepër sesa kompetencat e parapara me vendimin e Kushtetueses. Këtu qëndron një arsye e fortë për bllokadën në dialog.

Është realiteti në Veriperëndim ai që gjeneron forcë negociuese për serbët në raport me Kosovën dhe i tillë do të mbetet në secilin variant të mbetjes së tij në Kosovë. Po të mbetet në Kosovë, Veriperëndimi do të pajiset me asocacion me kompetenca ekzekutive që do të prodhojë vështirësi në karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Po të mbetet pa asociacion që kënaq apetitet e serbëve për autonomi, Veriperëndimi do të kërkojë shkëputje nga Kosova dhe nuk do të pranojë autoritetin efektiv të Kosovës atje. Një skenar i tillë e bën konfliktin më të gjasshëm.

Propozimi për ndryshimin e kufijve ka dalur edhe si pasojë e ngërçit të krijuar rreth përmbajtjes së kompetencave të këtij asociacioni. Në këto pozicione diametralisht të kundërta, optimizmi për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme është i zbehtë, për të mos thënë inekzistent.

Është punuar gjatë nga ndërkombëtarët që Serbia ta pranojë Kosovën si shtet me këta kufij me Pakon e Ahtisaarit si kompromis, por të gjitha përpjekjet kanë rezultuar me dështim. Ndërkohë tani politika ndërkombëtare nuk duket se është entuziaste për të detyruar Serbinë që ta bëjë një gjë të tillë. Nuk duket se ka një koordinim dhe këmbëngulje të fuqishme për ta shtyrë Serbinë që ta pranojë shtetësinë e Kosovës. Për këtë shkak kanë marrë forcë zërat që kërkojnë ndërrim të paradigmës së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. 

Në këtë mënyrë, në këto rrethana strategjia e Kosovës duhet të jetë bashkëdyzim i dy qasjeve: i asaj se “çfarë duhet bërë” dhe asaj se “çfarë mund të bëhet”.

Qasja e parë preokupohet me parimet të cilat do të jenë themeli i përmbajtjes së marrëveshjes finale. Këto parime përfshijnë mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, heqjen e privilegjeve të serbëve, fqinjësi të mirë dhe afirmim ndërkombëtar për Kosovën. Marrëveshja duhet të garantojë se Kosova mbetet shtet ku respektohen të drejtat e komuniteteve joshumicë. Lëvizja e kufijve nuk duhet të rrezikojë heterogjenitetin etnik e kulturor të Kosovës. Të drejtat e parapara në Planin e Ahtisaarit duhet të ruhen. Por privilegjet që u takojnë serbëve me këtë Plan dhe që rrezikojnë funksionimin e institucioneve të Kosovës në përputhje me vullnetin e shumicës duhet të anulohen. Meqë Ahtisaari planin e tij e ka përpiluar për t’i mbajtur serbët e Veriperëndimit në Kosovë, me lëvizjen e kufijve një pjesë e madhe e këtij plani e humbet arsyen e ekzistencës. Kështu, votimi me shumicë të dyfishtë për ndryshimet kushtetuese dhe për ligjet me interes vital duhet të hiqet. Poashtu, për shkak që serbët e Veriperëndimit do t’i bashkoheshin Serbisë, gati gjysma e serbëve të Kosovës, një pjesë e mirë e 10 ulëseve të rezervuara për ta do të duhej të hiqej. Manastiret duhet të gëzojnë të drejtat që kanë pasur deri tash. Komunat e dala nga procesi i decentralizimit poshtë Ibrit duhet të mbeten. Të gjitha këto ndryshime mund të quhen si “Ahtisaari Minus”, e kundërta e “Ahtisaarit Plus”, që parasheh rritjen e privilegjeve për serbët. Liqeni i Ujmanit, Mitrovica e Veriut dhe pasuritë e Treçës duhet të mbesin në Kosovë. Poashtu, me Kosovën duhet të bashkohen hapësirat e Luginës në të cilat shqiptarët dominojnë ndjeshëm demografinë. Kjo do të jetë pjesa më e vështirë sepse nuk dihet qartë se si mund të bëhet një vijë ku mund të dihet qartë se ku ekziston dominimi etnik i shqiptarëve.

Marrëveshja duhet të garantojë njohje për Kosovën nga Serbia dhe ulëse në OKB.  Vetëm kështu Kosova pushon së qeni shtet i kontestuar dhe i stigmatizuar. Kjo është mënyra e vetme që Kosova të dalë nga margjinat e unilateralizmit dhe që t’i hapen dyert për një pranueshmëri të plotë dhe multilaterale. Vetëm në këtë mënyrë normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Por këtu vijnë limitet e qasjes së parë.

Qasja e dytë shqyrton aplikimin e parimeve brenda mundësive që lejojnë rrethanat ekzistuese. Kjo nënkupton që marrëveshja mund të jetë e realizueshme vetëm nëse përkrahet në Kosovë, në Serbi dhe nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit, në veçanti nga ShBA-ja dhe Rusia. Fitore të plotë nuk mund të ketë për asnjërën palë. Kosova nuk ka gjasë që të marrë njohje nga Serbia dhe ulëse në OKB, e në anën tjetër të mos ofrojë asociacion me kompetenca ekzekutive dhe t’i ruajë kufijt që ka tani. As Serbia nuk mund të shpresojë se do të vazhdojë integrimin në BE pa i normalizuar marrëdhëniet me Kosovë.  Kosova ka nevojë për njohje nga Serbia.  Në të kundërtën, Kosova mbetet pa ulëse në OKB, për shkak të Rusisë, dhe pa të ardhme në BE, për shkak të 5 vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Pa marrëveshje me Serbinë, Kosova mbetet shtet i izoluar, i kontestuar, i stigmatizuar dhe i pranuar vetëm pjesërisht në nivel ndërkombëtar. Me një Kosovë pa njohje dhe një Veriperëndim të paintegruar, Kosova rrezikon të izolohet dhe të vlojë së brendshmi, me mundësi edhe të konfliktit. Kësisoj, Kosova duhet të japë diçka në këmbim të njohjes dhe ulëses në OKB. Nuk ekziston asnjë skenar serioz në të cilin Kosova do të merrte njohje pa dhënë asgjë.

Pa njohje nga Serbia, konflikti mes Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhet. Konflikti vetëm do të ngrihej, kurse tensionet e brendshme në Kosovë dhe getoizimi i saj do ta shkrinin atë. Kosova do të mbetej një bombë e kurdisur që do të mund të shpërthente nga çasti në çast. Paqja e status quo-së deri tash ka qenë e mundur sepse në horizont ka pasur optimizëm për arritje të një marrëveshjeje të qëndrueshme. Dështimi i dialogut do të zhbënte këtë optimizëm.

Marrëveshja ku parashihet këmbimi i territoreve, Ahtisaari Minus, njohja e Kosovës nga Serbia, ulësja në OKB për Kosovën do të normalizonte raportet. Të gjitha këto së bashku për Kosovën do të garantonin edhe subjektivitet të brendshëm, edhe subjektivitet të jashtëm. Vetëm kështu mund të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

*Autori përdor termin Veriperëndim për atë që përgjithësisht i referohen si Veriu, me arsyetimin se, siç e tregon harta më sipër, popullata serbe në atë pjesë të Kosovës është e përqëndruar në veriperëndim të vendit, e jo në gjithë veriun.

comments

SHARE