Vështirësitë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Retorika apo fjalori nga politikanët pjesëmarrës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të konsiderohet si konstruktive. P.sh. Presidenti serb Aleksandar Vucic ka deklaruar që “shqiptarët duhen zbutur” - tone të cilat kanë doza racizmi dhe etnocentrizmi duke përceptuar në një mënyrë palën tjetër sikur inferiore. Kjo lloj gjuhe duhet të ndryshohet duke zhvendosur fokusin në rrugëtimet e përbashkëta të dy shteteve dhe duke ju referuar edhe rasteve të suksesshme të pajtimit mes shteteve e ku shembulli më i mirë kulmon me kapërcimin e së kaluarës mes Francës dhe Gjermanisë.

0
41

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë perceptohet si objektivi primar për të dy shtetet respektive jo vetëm në raportet e tyre reciproke por edhe në progresin e shteteve në një kuptim më të gjerë. Normalizmi i marrëdhënieve është shndërruar në një kriter të qartë nga faktori ndërkombëtar për të dy shtetet për integrimet e tyre në strukturat më të rëndësishme botërore. Rezultatet e bisedimeve pra nuk prodhojnë efekte vetëm për raportin Kosovë-Serbi por ndikojnë edhe në mënyrën se si shtetet përparojnë në rrugëtimin e tyre ndërkombëtar – veçanërisht sa i përket Bashkimit Evropian. Megjithatë, duhet patur paraysh që ky proces është dëshmuar si shumë i mundimshëm për të dyja shtetet dhe është shoqëruar me shumë lëvizje që kanë çuar në një lloj stagnimi të procesit. Është deri diku evidente se shkalla e progresit të deritanishëm ka qenë mjaft e ngadaltë duke i bërë kritikët e ndryshëm dhe opinionin në përgjithësi pesimistë lidhur me përfundimin e këtyre bisedimeve. Megjithatë, ka nevojë që të shpjegohet më tej se pse ecuria  e deritanisme mund të ofrojë argumente për pesimizëm sa i përket zgjidhjes së bisedimeve. 

Njohësi i çështjeve të integrimit evropian dhe Bashkimit Evropian në përgjithësi, Augustin Palokaj, liston disa aspekte që meritojnë vëmendje dhe që i japin mbështetje argumentit për një pikëpamje pesimiste në bisedimet Kosovë-Serbi. Disa nga aspektet kyçe që arsyetojnë pesimizmin për një zgjidhje të kënaqshme të procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi janë: retorika e rënduar dhe përgjithësisht negative e krerëve të shteteve, komplikimet që rrjedhojnë nga ideja e ndryshimit të kufijve mes shteteve dhe mbi të gjitha fakti që arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një lloj koncepti gjithëpërfshirës që nënkupton plotësimin e shumë parakushteve që të mund të konsiderohej një epilog i suksesshëm.  

Fillimisht, retorika apo fjalori nga politikanët pjesëmarrës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të konsiderohet si konstruktive. P.sh. Presidenti serb Aleksandar Vučić ka deklaruar që “shqiptarët duhen zbutur” – tone të cilat kanë doza racizmi dhe etnocentrizmi duke përceptuar në një mënyrë palën tjetër sikur inferiore. Kjo lloj gjuhe duhet të ndryshohet duke zhvendosur fokusin në rrugëtimet e përbashkëta të dy shteteve dhe duke ju referuar edhe rasteve të suksesshme të pajtimit mes shteteve e ku shembulli më i mirë kulmon  me kapërcimin e së kaluarës mes Francës dhe Gjermanisë. Retorika negative krijon barriera të reja dhe largon mundësitë për gjetjen e pikave të përbashkëta duke larguar palët nga të vepruarit në mënyrën më racionale.

Aspekti tjetër i rëndësishëm që kontribuon në pesimizmin e perceptuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është edhe vetë ideja e ndryshimit të kufijve e cila supozohet që do t’i kontribuojë procesit të normalizmit të marrëdhënieve. Megjithatë, kjo ide në vete ka prodhuar dilema të reja dhe në masë të madhe ka bërë ndarje të opinionit dhe figurave të ndryshme relevante politike se a duhet të realizohet ky ripërcaktim i kufijve të shteteve dhe po ashtu edhe si do të kryhej ky proces. Ky polarizim i palëve në Kosovë, në Bashkimin Evropian dhe shtetet tjera që janë të ndërlidhura me Kosovën ka “vënë edhe më tepër mjegull” në procesin e arritjes së një zgjidhje për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë mënyrë, ndryshimi i kufijve si komponentë zgjidhëse ka shkaktuar më shumë probleme në arritjen e një zgjjidhjeje në dialogun mes dy shteteve.

Si lloj konkludimi për vështirësitë që prodhojnë pesimizmin e perceptuar në dialogun Kosovë-Serbi është që vetë arritja e një marrëveshjeje, siç edhe është theksuar nga Palokaj, duhet të plotësojë shumë kritere që tashmë duket se e kanë komplikuar së tepërmi një zgjidhje e cila do të supozohej të ishte e kënaqshsme për të gjithat palët – duke konsideruar se palë janë edhe shtetet dhe strukturat tjera përveç Kosovës dhe Serbisë të cilat po ashtu kanë kalkulimet e tyre.  Pra, si një përfundim, marrëveshja Kosovë-Serbi tanimë është komplikuar shumë dhe ka nevojë për një qasje të reformuar nëse do të donim të shpresojmë për zgjidhje.

SHARE