Vetëvendosje dhe faktori ndërkombëtar në procesin e dialogut

Së fundmi, Presidenti Biden kontaktoi të dy shtetet përmes letrave zyrtare dhe përsëri vuri theksin në njohje të ndërsjellë. Pra, flasim për një lloj presioni të lehtë që është duke iu bërë të dyja shteteve e që eventualisht mund të shndërrohet në kushtëzim të një forme më praktike në mënyrë që të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, të bëjnë progres në temën e dialogut. Në këtë kontekst, Vetëvendosje duhet patur parasysh që të veprojë në përputhshmëri me pritjet e ndërkombëtarëve me synimin parësor që të ruhet edhe pozicioni i Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare.

0
115

Tani kur pritet të konstituohet legjislatura e re në Republikën e Kosovës dhe të formohet një qeveri e udhëhequr nga ana e Vetëvendosjes, duhet patur parasysh që ky subjekt trashëgon shumë prej përgjegjësive të qeverisë së kaluar. Pa dyshim, një nga më të komplikuarat është nevoja për t’u marrë me çështjen e dialogut në drejtim të arritjes të një zgjidhjeje. Ndonëse Vetëvendosje dhe Albin Kurti si udhëheqës i partisë shquhen për një lloj qasje kokëfortë kur kemi të bëjmë me interesat kombëtare, rrethanat mund të bëjnë që kompromisi të shndërrohet në nevojë për qeverinë e re. Një kompromis së pari është i nevojshëm për zgjidhjen e situatës, forcon legjitimitetin e VV-së brenda faktorit ndërkombëtar dhe, në rastin më të keq, Kosova (por edhe Serbia) mund të kushtëzohen që eventualisht të ndërmarrin një hap të tillë. 

Së pari, është mjaft e qartë që arritja e një marrëveshjeje mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë mund të konsiderohet si një proces tejet i ngadaltë dhe ndoshta edhe i vonuar. Arritja e marrëveshjes me Serbinë ka shërbyer si një lloj pike kyçe në agjendat e pothuajse të gjitha qeverive të fundit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, retorika e faktorit ndërkombëtar në raport me Kosovën është dominuar nga nevoja për konstruktivitet nga të dy shtetet në drejtim të arritjes së marrëveshjes dhe kërkesa të tilla mbeten aktuale. Vlen të theksohet se ndonëse procesi i dialogut ka patur si emërues të përbashkët arritjen e një marrëvesheje për normalizim raportesh, dialogu si proces gjatë rrugës ka qenë jokonsistent sa i përket shumë prej individëve që kanë marrë pjesë në të apo edhe agjendës së procesit. Sidoqoftë, një gjë ka mbetur konstante: mungesa e vullnetit nga të dyja shtetet për kompromise të rëndësishme në drejtim të arritjes së objektivit për normalizim. Në këtë mënyrë, Vetëvendosje, edhe pse e shquar si parti me tone nacionaliste, duhet të reflektojë mbi mënyrat që do çonin në një konkluzion të këtij procesi tashmë të tejzgjatur e kjo mund të arrihet vetëm përmes një kompromisi. Ky kompromis nuk do  të jetë aspak ideal por detyrimisht është i nevojshëm.

Vetëvendosje po ashtu duhet që ta perceptojë procesin e dialogut si mundësi për rritje të legjitimitetit të saj si parti brenda faktorit ndërkombëtar. Procesi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës mbetet brenda vëmendjes së BE-së dhe SHBA-së dhe qëndrimi  i tyre ndaj partive në Kosovë shpesh është parë si i ndërlidhur me procesin e dialogut. Së fundmi, deputetja liberale e Bundestagut, Renata Alt, theksoi që Vetëvendosje duhet të jetë e fokusuar drejt arritjes së kompromisit politik jo vetëm në nivelin shtetëror por edhe në raport me procesin e dialogut. Alt shton se një gjë e tillë “është e pazëvendësueshme edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për një marrëdhënie të besueshme me diplomatët europianë”. Në këtë drejtim, sjellja konstruktive në raport me dialogun do të duhej që të përdorej nga Vetëvendosje në drejtim të forcimit të pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare e kjo sidomos në një kohë kur politika serbe ka bërë hapa konkretë në forcimin e relacioneve me BE-në dhe së fundmi në veçanti me SHBA-në.

Arritja e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë edhe subjekt i kushtëzimeve nga ana e faktorit ndërkombëtar dhe ky do të mund të ishte skenari tjetër dhe më i keq në lidhje me dialogun mes shteteve. Siç edhe u theksua, arritja e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës mbetet në fokus të Bashkimit Evropian dhe po ashtu gradualisht e më shumë ka marrë edhe vëmendjen e politikës së jashtme amerikane. Marrëveshja e shtatorit 2020 shërben si një lloj hapi përpara drejt stabilizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve por që përsëri tema si njohja u shmangën nga agjenda. Së fundmi, Presidenti Biden kontaktoi të dy shtetet përmes letrave zyrtare dhe përsëri vuri theksin në njohje të ndërsjellë. Pra, flasim për një lloj presioni të lehtë që është duke iu bërë të dyja shteteve e që eventualisht mund të shndërrohet në kushtëzim të një forme më praktike në mënyrë që të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, të bëjnë progres në temën e dialogut. Në këtë kontekst, Vetëvendosje duhet patur parasysh që të veprojë në përputhshmëri me pritjet e ndërkombëtarëve me synimin parësor që të ruhet edhe pozicioni i Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare.

Me ardhjen e një qeverie të udhëhequr nga ana e Vetëvendosjes vijnë njëkohësisht edhe parashikime të reja të ndërlidhura me procesin e dialogut. Megjithatë, duhet patur parasysh që ekzistojnë pritje mbi atë se si partitë duhet të reagojnë ndaj një procesi të tillë. Duhet patur parasysh që ekzistojnë pritje mbi qasjen e VV-së ndaj këtij procesi. Më saktë, VV duhet që të ketë parasysh që vetëm kompromisi është qasja e duhur në drejtim të arritjes së rezultateve në proces të dialogut. Një kompromis i tillë jo vetëm që zgjidh procesin në fjalë, por shërben për të forcuar legjitimitetin e VV-së dhe rrjedhimisht të Kosovës në planin ndërkombëtar. Duke qenë kështu, është më se e qartë që e ardhmja kërkon fleksibilitet dhe kompromis në mënyrë që të vijë progresi i shumëpritur.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE