Vite krize 

Në vend që politikanët, si ata serbë ashtu edhe ata shqiptarë, t’ia dilnin të gjejnë bile një zgjidhje për të gjitha çështjet dhe situatat e krizave nëpër të cilat kemi kaluar, ata vetëm po na fusin në situata të reja. Në vend që deri tash të kishim marrë një përgjigjje dhe zgjidhje, ne vetëm se jemi futur edhe në një problematikë tjetër, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me jetët tona, por për të cilën nuk vendosim ne. Për fat të keq, nuk janë këto ditë dhe muaj me krizë, këto janë vite. 

0
122

Tashmë po bëhet një muaj prej kur njësitë speciale ROSU hynë në veri të Kosovës me qëllim të arrestimit të pjesëtarëve të policisë së Kosovës. Përse në këtë rast u desht pikërisht të intervenojnë njësitë speciale, e jo policia, është pyetje për një herë tjetër. Që nga ai 28 maj sikur po mbretëron një panik i përgjithshëm midis serbëve lokalë. Nga pyetjet se pse erdhi deri tek arrestimet e lartpërmendura, gjatë bisedave të përditshme mund të dëgjohej edhe pyetja: a do të çojë kjo prapë deri tek lufta? Sepse pas asaj dite, raportimeve të mediave dhe fjalimeve politike, si është e mundur të mos mendojë njeriu një gjë të tillë?

Megjithatë, në fund edhe historia rreth arrestimeve u qetësua disi, e me këtë edhe fjalët për një luftë të re. Mirëpo, këto arrestime sollën midis serbëve diçka, le të themi, plotësisht të re. Pyetjen, nëse pas tërë kësaj pason një krizë humanitare.

Në fakt, pas arrestimit të pjesëtarëve të caktuar të Policisë së Kosovës, gjithnjë e më shumë filloi të flitej për mungesën e ushqimit në veri të Kosovës. Vetëm disa ditë pas arrestimeve, mund të dëgjoheshin storie për mbylljen e shitoreve dhe objekteve hoteliere. Pastaj, shumë barnatore nuk punonin. Derisa zgjat e tërë kjo, të dyja qeveritë, si ajo e Serbisë ashtu edhe ajo e Kosovës, natyrisht, reagojnë. Derisa Serbia paralajmëron, përsëri sikur sipas shprehisë, se nuk do t’i lë qytetarët e saj të jenë të uritur, Kosova mban qëndrimin se mungesa e ushqimit është histori e trilluar nga ana e Serbisë.

Derisa popullata lokale konfirmon mungesa të rezervave, por edhe nuk beson se vërtetë do të vijë deri tek ndonjë krizë reale, mbetet pyetja, si u gjetëm përsëri në një situatë të pazgjidhur krize? Ajo që është edhe më interesante është se si këto çështje u ngritën pikërisht tani, tetë muaj pas vendosjes së taksës nga ana e Kosovës për mallrat serbe? Si ashtu që çështja e krizës po shtrohet tash kur kemi përpara raunde të reja të negociatave? Dhe në fund, si është e ndërlidhur kjo me arrestimet e para një muaji? Natyrisht, në të gjitha këto pyetje po i presim përgjigjjet me shpresë që, ndonjëherë, ndoshta edhe do t’i marrim ato përgjigjje. 

Ajo që mbetet si konkluzioni më i keq i tërë kësaj është si vijon: kjo krizë nuk është asgjë e re, vetëm ka marrë një formë tjetër. Popullata lokale në Kosovë ekskluzivisht bëhet objekt gjithfarë krizash dhe problemesh të krijuara, pa shenja se ato do të zgjidhen. Në vend që politikanët, si ata serbë ashtu edhe ata shqiptarë, t’ia dilnin të gjejnë bile një zgjidhje për të gjitha çështjet dhe situatat e krizave nëpër të cilat kemi kaluar, ata vetëm po na fusin në situata të reja. Në vend që deri tash të kishim marrë një përgjigjje dhe zgjidhje, ne vetëm se jemi futur edhe në një problematikë tjetër, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me jetët tona, por për të cilën nuk vendosim ne. Për fat të keq, nuk janë këto ditë dhe muaj me krizë, këto janë vite. E këto vite krize assesi të ndalen dhe të hyjnë në një rruge normale. Vetëm sa po thellohen me gjithnjë e më pak përgjigjje. 

Derisa presim ndonjë krizë të re të pasojë, shtrohet pyetja çka është në radhë pas ushqimit, gjërave ushqimore dhe barnave, dhe nëse do të paraqitet ndonjë krizë e re qysh nesër? Na mbetet të presim dhe të shpresojmë për të pamundurën: zgjidhjen e problemeve ekzistuese, pa shkaktuar probleme të reja. 

SHARE