Vizitat që nuk duhet t’i gëzojnë, por t’i brengosin serbët

Presidenti serb, Aleksandar Vučić, s’do t’i dëgjoj kurrë këto pyetje, ashtu siç autori s’do të dëgjojë përgjigjet. Mirëpo, qytetarët serbë të Kosovës duhet t’i dëgjojnë këto fjalë, pasi vetëm duke qenë të vetëdijshëm për problemet që ua sjellin politikanët serbë do të krijojnë një të ardhme më të mirë për veten.

0
83

Zyrtarët e lartë të shtetit serb zgjedhin të vizitojnë shpesh Kosovën, sidomos kur kanë kohë zgjedhjesh. Njëjtë po ndodhë edhe kur po kanë ndonjë vështirësi në dialogun me Kosovën, ose ndonjë problem në politikën ndërkombëtare. Kosova po vazhdon të jetë “mehlemi” i tyre.

Vizitat për qëllimin e parë historikisht kanë sjellë probleme për komunitetin serb që jeton në Kosovë. Kujtojmë vizitën e parafundit të presidentit serb, Aleksandar Vučić, i cili erdhi në veri për të mbajtur miting zgjedhor.

Serbët nga mbarë Kosova ishin ftuar të merrnin pjesë në fjalimin e njeriu të parë të Serbisë, që donte të merrte edhe një mandat në krye të shtetit të tyre. Bashkëkombasit e Vučić-it në Kosovë i ishin përgjigjur ftesës së tij, mirëpo u kishin dalë njëqind probleme. Shqiptarët kishin dalë nëpër rrugë dhe kishin bllokuar ato.

Serbët ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre, por jo dhe aq qetë. Madje i qetë s’kishte qenë as ballafaqimi me bllokadat e shqiptarëve, dhe thirrja e Vučić-it ka mundur t’u sjellë probleme.

Jo edhe aq ndryshe ndodhi kohë më parë në hyrje të Skenderajt, që lidhet me qëllimin e dytë të vizitave të zyrtarëve serbë. Një vizitë e Vučić-it në fshatin Banjë që banohet nga serbët u parandalua nga disa shqiptarë të rajonit të Drenicës. Tensione kishte, pasi edhe KFOR-i doli në vend të ngjarjes. Frika mund të jetë shfaqur sërish në sytë e serbëve të atij fshati të vogël.

Por Vučić as që e çonte nëpër mend se po i nxirrte probleme popullit, që ai i quan si të vetët. Serbët u ndien të rrethakuar nga bllokadat e vendosura, tash përsëri pas një thirrjeje të Vučić-it, pasi që çdo rrugë që çonte në fshatin Banjë kontrollohej, jo nga Policia e as nga KFOR-i, por nga qytetarë të thjeshtë.

E kur i kemi parasysh këto pështjellime që vijnë pas çdo vizite të Vučić-it, këtij të fundit mund t’i drejtohen disa pyetje, ani pse kurrë s’do t’i lexojë: Zoti Vučić, a jeni i vetëdijshëm që po i rrezikoni serbët? A po e dini që po u sillni probleme çdo ditë? Kur do ta keni më të rëndësishme qetësinë e këtyre qytetarëve sesa zhurmën në fjalimet tuaja?

Vučić s’do t’i dëgjoj kurrë këto pyetje, ashtu siç autori s’do të dëgjojë përgjigjet. Mirëpo, qytetarët serbë të Kosovës duhet t’i dëgjojnë këto fjalë, pasi vetëm duke qenë të vetëdijshëm për problemet që ua sjellin politikanët serbë do të krijojnë një të ardhme më të mirë për veten.

Me këtë rast, fjalët do të duhet t’i lexojnë edhe politikanët shqiptarë, të cilët për çdo ditë lëshojnë deklarata të pamatura rreth marrëdhënieve shqiptaro-serbe, pasi mund t’u sjellin probleme edhe serbëve të Kosovës, por edhe shqiptarëve gjithashtu.

Nuk do të ishte e dëmshme që fjalët të dëgjoheshin edhe nga përfaqësuesit e vendeve të huaja, të cilët mund të ushtrojnë ndikimin e tyre për të krijuar një klimë më të qetë për serbët e Kosovës, dhe më të relaksuar për shqiptarët.

comments

SHARE