Vjeshtë e nxehtë  

Zgjedhjet lokale kaluan; disa do të shkojnë në raundin e dytë e disa tashmë e dinë se kush do t'i udhëheqë në mandatin e ardhshëm, por këto zgjedhje ishin një tregues i qartë dhe në një farë mënyre sondazhi më i mirë i mundshëm i gjendjes së mjedisit politik të Kosovës, kështu që, para së gjithash, do të ishte mirë që rezultatet e zgjedhjeve të shihen edhe si një lloj mesazhi dhe paralajmërimi e jo ekskluzivisht si një formë e luftës politike.

0
65

Vjeshta është zakonisht kohë kur ditët e zymta me shi dhe moti i ftohtë e sjellin njeriun në një gjendje që më së miri mund të përshkruhet me fjalën monotoni. Mirëpo, këtë vjeshtë kemi pasur gjithçka tjetër, por jo kohë monotone, kishim çka të dëgjonim dhe akoma më shumë për çka të shqetësohemi, dhe për këtë u përkujdes garnitura aktuale politike nga Prishtina si dhe ajo nga Beogradi. Ligji i aksionit dhe reaksionit kudo në botë ka rëndësi vetëm në fizikë, kurse tek ne ky është një ligj dhe rregull i përgjithshëm në marrëdhëniet në relacionin Prishtinë – Beograd. Të parët e fillojnë aksionin, të dytët i përgjigjen me reaksion dhe kështu, përmes njoftimeve të njërit e tjetrit, ne qytetarët kuptojmë se ku jemi dhe në cilin drejtim po shkojmë. Është e qartë për të gjithë se as kjo ku ndodhemi dhe as drejtimi ku po shkojmë nuk po na çon drejt të mirës, por pas më shumë se 20 vitesh politike identike njeriu edhe disi mësohet, i bëhet njësoj.   

Megjithatë, ngjarjet kur vjen deri tek përdorimi i armëve dhe plagosja e civilëve nuk janë aspak diçka që do t’i linin njerëzit indiferent – kjo është në radhë të parë për çdo gjykim dhe dënim – por jemi mësuar edhe me mungesën e përgjegjësisë, ndaj nuk ka kuptim që edhe tani të presim që dikush të dënohet për këtë. Të qëllosh mbi civilë si një formë e luftës kundër kontrabandës është një mënyrë disi e çuditshme për të dëshmuar sovranitetin; mund të thuhet lirisht që është edhe keqpërdorim i organeve të rendit për qëllime politike. Kur e themi këtë, duhet të tërheqim vëmendjen se të gjitha këto kanë ndodhur para zgjedhjeve dhe siç e shohim pas zgjedhjeve dalëngadalë po kthehet qetësia, sepse destabilizimi më nuk ka kuptim. Përfundimi i vetëm logjik është se gjithçka është bërë me qëllim të ngritjes së rëndësisë politike të autoriteteve aktuale në Prishtinë, edhe pse rezultatet e zgjedhjeve treguan se e gjithë kjo ishte e panevojshme dhe e pakuptimtë. Për të qenë gjërat edhe më keq, i vetmi që ka pësuar dëme reale është populli, ai serb dhe shqiptar, pa përjashtim. Një njeri i zakonshëm nuk shqetësohet për politikën e lartë, ai është i shqetësuar për politikën në nivel lokal, ai shqetësohet për rrogën dhe pensionin, ai është i shqetësuar për atë nga e cila jeton. Niveli lokal është ai që në fakt është politika reale në terren dhe i vetmi që është tregues i vërtetë se kush ka dhe kush nuk ka mbështetje. Në dritën e gjithë kësaj, është e qartë se qeveria aktuale nuk e ka mbështetjen e popullit, sepse në nivel lokal, në asnjë komunë nuk ka fituar kandidati i partisë së kryeministrit aktual. Kushdo që bile pak e ka ndjekur punën e kryeministrit do ta kuptonte se e gjithë kjo ishte e pritshme, sepse nga të gjitha premtimet që bëri para se të bëhej kryeministër, ai nuk përmbushi pothuajse asgjë. Këmbëngulja për politikë të lartë më së shpeshti të thyhet për koke në nivel lokal, por nga gabimet mësohet.

Sido që të jetë, vjeshta po kalon ngadalë, shpresojmë më qetë sesa deri tani, por, siç tregon praktika që lufta vjen vetëm pas zgjedhjeve, çdo njeri normal është i shqetësuar edhe nga vetë mendimi se çfarë mund të ndodhë. Zgjedhjet lokale kaluan; disa do të shkojnë në raundin e dytë e disa tashmë e dinë se kush do t’i udhëheqë në mandatin e ardhshëm, por këto zgjedhje ishin një tregues i qartë dhe në një farë mënyre sondazhi më i mirë i mundshëm i gjendjes së mjedisit politik të Kosovës, kështu që, para së gjithash, do të ishte mirë që rezultatet e zgjedhjeve të shihen edhe si një lloj mesazhi dhe paralajmërimi e jo ekskluzivisht si një formë e luftës politike. Periudha nga këto zgjedhje deri në zgjedhjet e reja parlamentare duhet të shfrytëzohet për të ndryshuar disa gjëra, sepse është e qartë se kjo politikë e Qeverisë jo vetëm që nuk po jep rezultate por edhe më shumë po sjell dëme për të gjithë ne që edhe varemi nga ajo politikë. Por nëse vazhdon me të njëjtin ritëm si deri më tani, është e qartë se do të bëhen të njëjtat gabime, të gjitha në kurrizin e popullit, si figurativisht ashtu edhe realisht.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE