Vučić konfirmon gjetjen e 11 trupave në një varr masiv

Aleksandër Vuçiç tha se 11 trupa të shqiptarëve të Kosovës, që besohet të jenë viktima lufte, janë zhvarrosur nga një varr masiv në Kizhevak afër qytetit jugor të Rashkës dhe mohoi që Serbia po përpiqej ta fshihte këtë gjë.

0
77

Presidenti Aleksandër Vuçiç tha në një konferencë për shtyp të Mërkurën se një total prej 21 lokacionesh të dyshuara për varre masive janë ekzaminuar deri më tani në Serbi dhe se “ne gjetëm trupa të dyshuar shqiptarësh të Kosovës në katër nga 21 vendet – nuk kemi fshehur asgjë”.

“Lokacioni i fundit është Kizhevaku dhe aty u gjetën mbetjet mortore të 11 trupave, dy trupa u kontrolluan, analiza e ADN-së zbuloi se ata ishin shqiptarë të Kosovës dhe ne informuam si shqiptarët e Kosovës ashtu edhe komunitetin ndërkombëtar në mënyrë që të mund të lajmëroheshin familjet e tyre”, tha Vuçiç.

Vuçiç përmendi nëntë lokacione në të cilat Beogradi u ka kërkuar autoriteteve të Prishtinës që të kërkojnë për trupat e serbëve të vrarë të Kosovës, por pretendoi se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

Ai e mbajti konferencën e tij për shtyp një ditë pasi u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në fillim të një raundi të ri të dialogut Kosovë-Serbi. Personat e zhdukur ishin një nga temat e takimit, i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

Varri masiv në minierën e hapur në Kizhevak u zbulua në nëntor pasi pamjet ajrore treguan se ku mund të ishin varrosur trupat. Vendi afër qytetit të Rashkës nuk është larg gurores së Rudnicës, ku në vitin 2013 u gjet një varr masiv që përmbante eshtrat e 52 shqiptarëve të Kosovës që u vranë në luftën 1998-1999.

Varri në Kizhevak është i pesti i tillë që është zbuluar në Serbi që nga përfundimi i luftës në Kosovë 22 vjet më parë.

Në vitin 2014, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë dënoi ish-zyrtarin e lartë të policisë serbe Vlastimir Djordjeviç me 18 vjet burg pjesërisht për rolin e tij në fshehjen e trupave të shqiptarëve etnikë që u vranë në Kosovë.

Mbi 900 trupa janë gjetur në varret masive në Serbi, por asnjë gjykatë serbe nuk ka dënuar ndonjë person për përfshirje në fshehjen e krimit.

(balkaninsight.com, 16/06/2021)

SHARE