Vuçiq: Serbia dëshiron zgjidhje kompromisi me Kosovën

0
25

Serbia është e gatshme për vazhdim të dialogut me Prishtinën dhe dëshiron të arrijë një zgjidhje kompromisi, ka thënë të premten presidenti serb Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas në Beograd.

“Serbia nuk po kërkon arsye për të mos arritur zgjidhje,” ka deklaruar Vuçiq.

Sipas tij, Beogradi nuk mendon se është mirë të kesh një konflikt të ngrirë sepse njëra palë gjithmonë mund ta shkrijë atë.

“Është veçanërisht e rëndësishme për ne që të zbatojmë marrëveshjet e dakorduara, kryesisht marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshjen mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ne jemi të gatshëm të diskutojmë gjithçka,” ka thënë mes tjerash ai.

Më 21 prill, Qeveria e Kosovës thotë se do të punojë në evitimin e kompromiseve që mund të paraqiten në procesin e dialogut me Serbinë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Një ditë më parë, Maas ka vizituar Kosovën, dhe ka zhvilluar takime me krerë të lartë shtetërorë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Maas ka thënë se Gjermania ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e pakusht për dialogun në mes të këtyre vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Maas ka thënë se njohja e shtetësisë së Kosovës do të jetë një nga elementet e marrëveshjes.

“Në dialogjet për normalizim të marrëdhënieve, është normale nga të dyja anët të ketë kompromise dhe unë nuk dua të tërheq linja të kuqe, mirëpo në anën tjetër e di që për shkak të linjave historike, kjo gjë është e vështirë. Unë dëshiroj që në fund të procesit të gjejmë zgjidhje dhe të ketë gatishmëri nga të dyja palët që të gjejnë rrugë për kompromise”, ka deklaruar Maas.

Lidhur me këtë çështje, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nevojë për rinisje dhe jo vazhdimësi.

“Republika e Kosovës ka ofruar dorën e bashkëpunimit dhe pse për fat të keq Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se autoritetet e Kosovës do të rrisin zërin që të arrihet drejtësi për secilën viktimë të luftës.

Sipas Osmanit, Kosova do të zhvillojë dialog me Serbinë me parime të qarta.

Maas ka thënë se ka dëgjuar parimet e palës së Kosovës në këtë proces dhe se ato do t’ia përcjellë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në dialog, Mirosllav Lajçak.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

(evropaelire.org, 23/04/2021)

SHARE