Vuçiq: Vazhdimi i dialogut, çështje ditësh

0
63

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë brenda një afati të shkurtër kohor, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke konfirmuar se Serbia do t’i përgjigjet ftesës së Bashkimit Evropian.

Sipas tij, vazhdimi i dialogut “është çështje ditësh e jo javësh”.

Deklarimi i Vuçiqit para mediave u bë të premten (4 qershor) një ditë pasi ai u takua me Zëvendësndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Vuçiq shtoi se gjatë bisedës me Palmer dhe Lajçak, ai e ka përsëritur qëndrimin se, Serbia nuk është në favor të një konflikti të ngrirë.

Qëndrimi i dy diplomatëve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd, gjatë kësaj jave, kishte për qëllim përgatitjet për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Më herët ishte paralajmëruar se takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet gjatë muajit qershor, por një datë nuk është dhënë.

Vuçiq tha se ai ka biseduar me Palmerin dhe Lajçakun për temat e dialogut.

“Serbia është e gatshme të zhvillojë dialog për çështjen e personave të zhdukur”, tha Vuçiq duke përmendur gërmimet që janë bërë ditë më parë në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë nga ana e komisioneve për të pagjeturit nga Serbia dhe Kosova me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe EULEX-it.

Vuçiq tha se Serbia ka informacione për vendet ku janë varrosur ushtarët dhe civilët serbë në Kosovë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë filloi në vitin 2011.

Përmes tij synohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
(evropaelire.org, 04/06/2021)

SHARE