Zgjedhje simbolike

Prishtina me këto zgjedhje e kthen sovranitetin institucional dhe territorial të Kosovës, derisa Beogradi po i kthen njerëzit e tij në funksione në komunat ku serbët janë shumicë. Prishtina përgëzoi për zgjedhjet e implementuara me sukses, kurse Beogradi përgëzoi për unitetin e serbëve në mbështetje të Listës serbe. Të gjithë ia dolën t’i arrijnë qëllimet e veta. Shfaqja përfundoi.

0
132

Në veri të Kosovës përfunduan zgjedhjet të cilat më duket se nuk do të ndryshojnë asgjë të rëndësishme. Gati 58.000 persona kanë pasur të drejtë vote, dhe në secilën nga katër komunat qytetarët kanë mundur të zgjedhin midis tri subjekteve politike. E dhëna se në zgjedhje kanë dalur 42,4% (sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve) të votuesve është me të vërtetë inkurajuese, por mund të inkurajojë ekskluzivisht ata që sipërfaqësisht i njohin rrethanat gjeopolitike në Kosovë, veçanërisht në veri. Është interesante se si në vendet ku serbët janë banorë shumicë, ekzistojnë dy opsione shqiptare dhe vetëm një opsion serb, Lista Serbe. Më duket se partitë opozitare serbe, aq të lodhura nga lufta me mullinjtë e erës, kanë mbetur anash, nuk janë kandiduar për zgjedhje. Tek serbët e Kosovës po krijohet një stereotip që secili lloj i pluralizmit politik interpretohet si mungesë e unitetit, tradhti e interesave nacionale, kështu që vetëm Lista Serbe ka marrë pjesë në këto zgjedhje. Ekzistojnë një varg rrethanash që e kanë lëkundur komunitetin serb, kështu që edhe kjo mund të jetë arsyeja që subjektet opozitare serbe hoqën dorë nga këto zgjedhje. Partitë shqiptare kanë qenë pa kurrfarë shansi në këto zgjedhje, sepse në këto katër komuna ka më shumë se 90%  serbë. Mirëpo, është interesant fakti që komuniteti serb e ka vetëm një opsion. Epilogu i këtyre zgjedhjeve ka qenë paraprakisht i qartë, Lista Serbe nuk ka pasur kundër-kandidat që ka mundur ta rrezikojë. Shqiptarët e Kosovës, Vetëvendosja dhe PDK i paraqitën kandidatët e tyre për shkak të një simbolike të pastër – duan t’i tregojnë vetes dhe botës që edhe në veri ka shqiptarë të Kosovës.

Qëllimi i këtyre zgjedhjeve në veri të Kosovës do të mund të karakterizohej si një marrëveshje e heshtur dhe zgjidhje kompromisi e Listës Serbe dhe Prishtinës, në mënyrë që të krijohet normalizim. Prishtina dëshiron që prapë të vendosë kontrollin në veri të Kosovës kështu që kryetarëve të komunave që kishin dhënë dorëheqje ua dha prapë rastin që të jenë zyrtarë edhe për Beogradin edhe për Prishtinën. Taksat janë ende në fuqi, kurse kryetarët, që për shkak të këtyre taksave dhanë dorëheqje, në këto zgjedhje prapë i kthyen funksionet e tyre.   Çka ndryshoi kështu, a po blejnë ata kohë në këtë mënyrë? Çka fituan me dorëheqje, a na presin prapë dorëheqje pas një hapi të ardhshëm më radikal të Prishtinës? Mos ndoshta kryetarët kanë harruar që taksat vazhdojnë të jenë në fuqi? 

Për dallim nga fushata e zgjedhjeve të kaluara, fushata për këto zgjedhje ka qenë më e relaksuar, pa tensione, pa të panjohura. Përveç asaj që politika e lartë u bart mbi shpinën e atyre që jetojnë në nivelin lokal, këto zgjedhje kaluan  në mënyrë disi më komode, për dallim nga zgjedhjet e herave të kaluara. Meqenëse frustrimi prodhon agresivitet, ndoshta është mirë që Lista Serbe nuk pati kundërkandidatë. Kjo do të nënkuptonte hapjen e sërishme të kutisë së Pandorës tek komuniteti serb. Kompetencat e Serbisë në këto zgjedhje janë të pakontestueshme, kështu që rezultati i këtyre zgjedhjeve është gjithsesi i pritur.  

Prishtina me këto zgjedhje e kthen sovranitetin institucional dhe territorial të Kosovës, derisa Beogradi po i kthen njerëzit e tij në funksione në komunat ku serbët janë shumicë. Prishtina përgëzoi për zgjedhjet e implementuara me sukses, kurse Beogradi përgëzoi për unitetin e serbëve në mbështetje të Listës serbe. Të gjithë ia dolën t’i arrijnë qëllimet e veta. Shfaqja përfundoi.

Cikli i ri i mistifikimit të popullit është para nesh, na mbetet të shohim se sa njerëz do të shikojnë ashtu pa fjalë e sa prej tyre thjesht do t’i bëjnë valixhet gati dhe do të shkojnë. Sido që të jetë, është fakt se serbët e Kosovës iu dorëzuan presionit, si të Prishtinës ashtu edhe të Beogradit. Të gjithë janë të prirur që të manipulojnë me këta njerëz për shkak të gjithfarë dallimesh ideologjike. Këta njerëz as që po kundërvihen më si dikur; dalin në zgjedhje të Kosovës, i respektojnë ligjet e Kosovës, marrëveshja e Brukselit është gjithnjë e më prezente në veri. Dikur veriu i Kosovës ka qenë simbol i rezistencës, kurse tani populli është bërë apatik, dëshiron vetëm paqe. Mendoj se për këta njerëz vetëm se do të vijnë kohëra të vështira dhe vendime të vështira.  

SHARE