Zgjedhjet e reja – festa e vjetër e primitivitetit

Zgjedhjet nuk do të ofrojnë kurrfarë zgjidhjesh në vend. Mund të ndërrojnë njerëzit, por nuk do të ndërrojnë idetë, dhe nuk do të sfidohen në asnjë formë vlerat dhe konvencionet shoqërore. Të paktën deri tash, askush nuk shihet ta ketë një guxim të tillë.

0
55

Para dy muajsh, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Republikës së Kosovës me pretekstin se kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale dhe nuk donte që t’i fëlliqte institucionet e vendit duke u paraqitur para prokurorëve ndërkombëtarë në atë cilësi.

“Ramush Haradinaj është Kosova” – thuhej në një fushatë të para dy vitesh, e të cilën vetë Ramush Haradinaj kurrë s’e kishte kundërshtuar. “Unë jam Kosova” – bërtiste heshtja e tij.

E prej atëherë, në vazhdimësi ligjërimi i këtyre njerëzve ka kaluar pa kurrfarë sfide në debatin publik. Askush nuk ka kurajën të thotë një gjë tepër të thjeshtë e të qartë: secili prej tyre është përgjegjës individualisht për bëmat e veta. Jo. Veç kësaj, ata e kanë rrasë drejt hipokrizisë krejt kombin, duke e paraqitur ftesën nga Specialja si një tragjedi kombëtare për vendin dhe si dëshmi patriotizmi për veten. Pa pikën e marres, ata vazhdojnë të thonë që “po shkojnë në Hagë për të mbrojtur UÇK-në e Kosovën”, sikur UÇK-ja e Kosova të ishin të lidhura drejtpërdrejt me çdo veprim që mund të kenë bërë gjatë kohës së luftës. Sikur 2 milionë njerëz të ishin robër të rrebeve e primitivitetit të tyre që jo rrallë iu derdhet edhe në hapësirën publike.

Veç kësaj, Qeveria Thaçi i ka mundësuar secilit që “do ta ketë nderin të mbrojë UÇK-në dhe Kosovën duke u akuzuar nga Haga” që ta bëj një gjë të tillë përmes parave të shtetit të Kosovës. Kosova do të paguajë për avokatët dhe shpenzimet e tjera të tyre, me një shifër që pritet ta dëmtojë tepër keq shtetin më të varfër në Evropë.

Pse atëherë u dorëhoq Haradinaj? Sepse mbajtja e taksës 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia e rriti për 2 deri në 3% në sondazhe, partinë e tij. Natyrisht, i njëjti është sërish kandidat për kryeministër dhe, nëse arrin të zgjedhet, po në cilësinë e kryeministrit do të udhëtojë drejt Hagës, jo vetëm si i dyshuar por edhe si i akuzuar.

Ndërkohë, në këtë periudhë para-fushate, asnjë parti politike nuk e ka tematizuar këtë çështje tepër problematike. Madje, edhe partitë opozitare e marrin si të mirëqenë idenë se “Ramush Haradinaj është Kosova”, “Kadri Veseli është Kosova” e “Hashim Thaçi është Kosova” në përballjen e tyre në Hagë.

Kjo e delegjitimon krejtësisht kërkesën tonë kolektive për drejtësi. Kukamën tonë kundër krimeve të bëra nga forcat serbe në Kosovë. Pavarësisht a janë apo s’janë fajtorë.

Askush nuk sfidon bindjet e konvencionet shoqërore por në mënyrë tepër të turpshme bëhen konformistë dhe mundohen t’i zbukurojnë më shumë vlerat e njëjta në të cilat besojnë.

Ta zëmë, asnjëri prej tyre nuk ka premtuar absolutisht asgjë për të ndryshuar kushtet e mjerueshme në të cilat jetojnë komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas në vendin tonë. Asnjë program social i vetëm për të integruar më shumë e për ta hequr qafe padrejtësinë e tmerrshme që në këtë rast është ashiqare klasore e etnike.

Zgjedhjet nuk do të ofrojnë kurrfarë zgjidhjesh në vend. Mund të ndërrojnë njerëzit, por nuk do të ndërrojnë idetë dhe nuk do të sfidohen në asnjë formë vlerat dhe konvencionet shoqërore.

Të paktën deri tash, askush nuk shihet ta ketë një guxim të tillë.

SHARE