Zgjidhja për Kosovën nuk guxon t’i harrojë njerëzit

Çfarëdo që të përfshihet në planin gjithpërfshirës për Kosovën dhe cilado që të jetë zgjidhja përfundimtare, ajo nuk guxon t'i harrojë njerëzit. Serbët e Kosovës janë, në letër, edhe qytetarë të Serbisë edhe qytetarë të Kosovës, por gjithashtu janë qytetarë të rendit të dytë si në njërin ashtu edhe në sistemin tjetër.

0
176

(Fjalimi i i redaktores së portalit Crno beli svet (Bota bardh e zi) në kuadër të dialogut të brendshëm të cilin e ka organizuar Grupi Punues për kapitullin 35 në kuadër të Konventës kombëtare për Bashkimin Evropian. Në mbledhje mori pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić).


Kohëve të fundit janë të zëshme rrëfimet për ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve. Zgjidhje të tilla jo vetëm që nuk do të zgjidhin problemet ekzistuese porse mund të shkaktojnë edhe probleme të reja. 

Ju kujtoj se Serbia ka filluar integrimin e veriut në shoqërinë kosovare me plotësimin e obligimit të pranuar nga marrëveshja e Brukselit. Më saktësisht, me nxitjen e komunitetit serb që të dalë në zgjedhje të Kosovës. Kush ka guxim tani t’u thotë qytetarëve „kemi luajtur qe pesë vite me ju, eja tani ti heqim këto komuna dhe tju riintegrojmë sërish.

Pra, as ndarja e as shkëmbimi nuk janë zgjidhje të mira për askënd e në veçanti për serbët që jetojnë në jug të Ibrit. Çfarëdo që të përfshihet në planin gjithpërfshirës për Kosovën dhe cilado që të jetë zgjidhja përfundimtare, ajo nuk guxon t’i harrojë njerëzit. Serbët e Kosovës janë, në letër, edhe qytetarë të Serbisë edhe qytetarë të Kosovës, por gjithashtu janë qytetarë të rendit të dytë si në njërin ashtu edhe në sistemin tjetër.

Këtë më së miri e tregon problemi i dokumenteve sepse për shumëkë nuk është e lehtë që të marrin pasaporta të Kosovës kurse pasaportat që i lëshon Republika e Serbisë nuk janë të njëjta me ato të cilat i kanë qytetarët në Serbinë qendrore. Shumë serbë nga Kosova përpiqen që të ndërrojnë vendbanimin ashtru që me adresën e banimit në Serbi të marrin më lehtë pasaportën me të cilin nuk kanë nevojë për viza. Por edhe këtu lind problemi sepse ata janë nën një kontroll edhe më të madh në këtë proces. 

Është lehtë që, për shembull, të shpërnguleni nga Çaçaku në Beograd apo në cilindo qytet tjetër në Serbi, por nëse jeni nga Leposaviqi, Mitrovica Veriore, Osojani, Pasjani, Zubin Potoku apo cilido vend tjetër në Kosovë, procedura është shumë më e komplikuar. 

Serbia nuk do ta ruajë strukturën etnike ashtu që me forcë t’i mbajë serbët në Kosovë por ashtu që do të përpiqet që t’ua sigurojë atyre një jetë të denjë në rrethanat çfarë janë dhe brenda realitetit i cili ekziston. 

Kjo do të thotë që të jenë qytetarë të Serbisë me të drejta të plota por gjithashtu të kërkojnë të drejtat e tyre tek ata që e kanë pushtetin efektiv në Kosovë.

Dy mësime pas vrasjes së Oliver Ivanović-it

Siguria është një nga problemet më të mëdha në veri të Kosovës. Nuk dua që të zvogëlojë rëndësinë e sfidave të tjera të sigurisë por një nga treguesit më të mëdhenj të mjedisit jo të sigurt është edhe vrasja e Oliver Ivanović-it – njeriut që sigurinë e theksonte si problemin më të madh në Mitrovicën Veriore. 

Para kësaj u krijua atmosfera e linçit për të. Edhe një herë do ta kujtoj që madje është realizuar dhe emetuar një spot, në televizionin me frekuencë kombëtare, me të cilin iu vizatua caku. Kushdo që e ka vrarë mund të ketë qenë i bindur që e ka bërë gjënë e duhur sepse ishte krijuar një atmosferë e tillë.

Nëse paralajmërimet e tij për çështjen e sigurisë nuk kanë qenë të mjaftueshme për ne, a janë mjaft të qarta tani kur ai nuk është më?

Do të duhej të mësonim diçka pas vrasjes së Oliver Ivanović-it e këto janë dy gjëra. Siguria është një nga problemet më të mëdha të veriut të Kosovës. 

Jam e sigurt që ka pasur politikanë që janë ndierë parehatshëm pas asaj vrasjeje. Kështu mësimi i dytë është  lufta politike nuk arsyeton përdorimin e mjeteve që përjashtojnë argumentet dhe diskutimin e sjellshëm e që fyejnë dinjitetin. 

Mbani mend një gjë – ata që sot e kritikojnë pushtetin e shtetit që e konsiderojnë të vetin me lehtësi do të luftojnë për të drejtat e veta në Prishtinë, ruani njerëzit e tillë, në vend se t’i diskreditoni pa argumente.

Si t’i mbajmë të rinjtë në Kosovë?

Arsimi është po ashtu një çështje tejet e rëndësishme sepse universiteti është një vend kyç i grumbullimit të të rinjve në Kosovë. Në prezantimin e tij që e pati gjatë tryezës së rrumbullakët në Llapllasellë, zoti  Selaković tha që ka takuar shumë shqiptarë të rinj që janë shkolluar nëpër universitete cilësore jashtë vendit dhe që flasin nga 5, 6 apo 7 gjuhë botërore.

Ai, me atë rast, e pyeti veten, cila është përgjigjja e gjeneratës sonë për këtë? Pajtohem plotësisht me këtë prezantim. Edhe unë e pyeta veten cilat janë përgjigjet tona dhe kam ardhur deri tek dy përgjigjje. 

Përgjigjja e parë është ajo që është në përputhje me diskursin publik i cili mund të dëgjohet në Serbi. Serbë të tillë, tek të cilët së bashku me arsimin vjen edhe mendimi kritik, paguhen nga të huajt dhe janë tradhtarë të vendit. 

E dyta është propozimi për gjetjen e asaj përgjigjjeje të gjeneratës. Inkurajoni studentët e Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë të Veriut që të shfrytëzojnë mundësitë që i kanë në Kosovë. Ekzistojnë shumë programe për studime për master dhe doktoraturë, për specializim profesional jashtë vendit por edhe në Kosovë. Në këto programe serbët ose nuk marrin pjesë fare ose marrin pjesë në një numër të vogël. 

Pse nuk po i inkurajoni që të marrin dokumentet e Kosovës dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ekzistojnë. Si është e mundër që përfaqësuesit politik të serbëve mund të përdorin dokumentet e Kosovës, të marrin pjesë në proceset për të cilat iu duhen ato dokumente, madje të jenë në Qeveri me Ramush Haradinajn, kurse të rinjtë nuk i shfrytëzojnë mundësitë me të cilat nuk ndikojnë në kurrfarë çështje statusore.

Zyrtarët qeveritarë e vizitojnë shpeshherë Universitetin. Pse nuk u thonë dekanëve, studentëve, profesorëve që të bashkëpunojnë me organizatat joqeveritare sepse edhe kjo është një mënyrë për të fituar dituri dhe shkathtësi të reja.

Për shembull, gjykata tani punon sipas ligjeve të Kosovës dhe ju lavdëroheshit me fitoret gjatë negociatave sepse do të kishte gjyqtarë serbë. E kush do të punojë një ditë në atë gjykatë nëse studentët nuk e njohin kornizën ligjore sipas së cilës funksionon gjykata. 

I njëjti rast është edhe me vetëqeverisjet lokale dhe institucionet tjera. E vetmja mënyrë është që të bashkëpunojnë me shoqërinë civile ku punojnë njerëz që kanë dhënë një kontribut domethënës në procesin e Brukselit. Angazhimi për pjesëmarrje në këto procese duhet të jetë publik përmes paraqitjeve publike dhe deklaratave nëpër media. 

Një jetë si duhet apo shpërngulje e serbëve 

Këto ishin vetëm disa nga problemet e komunitetit serb në Kosovë e u përpoqa të vë në dukje edhe propozime për zgjidhjen e tyre. 

Në qoftë se nuk krijohen rrethanat në të cilat serbët e Kosovës do të mund të kenë një jetë si duhet dhe në qoftë se nuk do të inkurajohen që të luftojnë për të drejtat e tyre në përputhje me, siç thuhet sot, realitetin në terren, atëherë mbetet që Serbia të zgjidhë çështjen e Kosovës me shpërnguljen e serbëve që, do ta pranonit, nuk është zgjidhja më e mirë. 

Apo do të lënë që të shpërngulen vetë kur të lodhen prej të gjitha atyre që po i përjetojnë sot. E janë goxha të lodhur dhe nuk e di sa do të qëndrojnë.   

comments

SHARE