Zmbrapset Thaçi, nuk diskuton për kufijtë të premten

0
38

Pavarësisht paralajmërimeve, “Korrigjimi i kufijve” dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të diskutohen në takimin e së premtes ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Zyra e presidentit Thaçi ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në takimin e pasnesërm do të diskutohet rreth modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, shkruan sot Gazeta ‘Zëri”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javë më parë kishte paralajmëruar se gjatë shtatorit do ta prezantojë në Bruksel idenë e korrigjimit të kufijve, i cili nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Megjithatë, në takimin e së premtes të Thaçit me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq nuk do të diskutohet për “korrigjimin e kufijve” dhe as për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të paktën kështu ka thënë zyra e presidentit Thaçit për gazetën “Zëri”: “Korrigjimi i kufijve dhe Asociacioni nuk do të  jenë në tavolinën e bisedimeve”.

Më tej Presidenca thotë se në takimin e 7 shtatorit do të diskutohet për modalitetet e arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

(zeri.info, 05/09/2018)

comments

SHARE