Zot të situatës apo manovër e keqe 

Fituam një situatë të tensionuar e me frikë; zoti i kësaj situate gjithsesi nuk është nga Kosova, ndoshta madje as nuk ka qenë ndonjëherë atje, por pasojat po i pësojmë të gjithë ne. Dhe të mos shtiremi, tregtia nuk ka kufij por nuk ka as shpirt, nëse do të ketë shtrenjtime, shumë shpejt tregtarët nga patriotë do të bëhen vetëm tregtarë dhe shtrenjtimet do t’i ndiejnë të gjithë pa marrë parasysh a jetojnë në Mitrovicë, Leposaviq, apo Prishtinë, Prizren a Rahovec.

0
98

Që situata të caktuara vetvetiu nxjerrin në sipërfaqe njerëz të caktuar si strategë të llojit të vet apo iniciatorë të ideve, kjo është e qartë për të gjithë, dhe jemi ngopur duke e parë këtë gjatë viteve të fundit tek të dyja palët. Vetëm lista e këtyre njerëzve do të mjaftonte për një libër të tërë. Por, ashtu siç këta njerëz e marrin përsipër përgjegjësinë për situatën e sapokrijuar, po ashtu vetë situata dhe rrjedha e saj i japin vlerë këtyre njerëzve. Pak është e komplikuar por është e qartë që pasojat e situatave të caktuara afatshkurtëra në fakt i vendosin njerëzit në vendin që ata e kanë merituar. Por çka nëse ata njerëz nuk vijnë nga shtresat më të ulëta të shoqërisë dhe nga ajo pjesë që nuk është çdo ditë në media porse, përkundrazi, vijnë nga vetë maja. E atëherë situata bëhet më e komplikuar se sa që mund të merret me mend, pikërisht për arsyen se edhe përgjegjësia është më e madhe, e edhe pesha e veprimeve shumë më e madhe se sa që nganjëherë mund të merret me mend.   

Pa dëshirë që për situatën e sapokrijuar në Kosovë të shkruhet tepër e me këtë të zhvlerësohet ajo, prapëseprapë do të ishte dëm më i madh nëse do të heshtej dhe të shikohej qetësisht se si e tërë kjo po ndodh para syve tanë e që gjatë kësaj të mos e japim gjykimin tonë për këtë. Mund të bëjmë çfarëdo tjetër, vetëm askush nuk guxon që të heshtë, as serbët as shqiptarët. Fjala nuk kushton, megjithëse duke pasur parasysh ku jetojmë, nganjëherë ajo mund të ketë çmimin më të lartë.  Ndoshta për këtë arsye një numër shumë i vogël i njerëzve marrin guximin të shkruajnë hapur. Më lehtë është për ata që nuk jetojnë këtu apo jetojnë atje ku shkruhet lirisht, e para së gjithash atje ku mendohet në mënyrë të lirshme. E pikërisht një tekst të tillë e botoi edhe gazetari i Balkan Insight-it, z. Marcus Tanner, duke kritikuar hapur veprimet e kohëve të fundit të Qeverisë së Kosovës, e para së gjithash u ndal tek vetë kryeministri, z. Ramush Haradinaj. Duke mos e marrë anën e Serbisë për asnjë moment, gazetari i përmendur, në mënyrë mjaft kritike u ndal tek politika të cilën momentalisht po e udhëheqë Qeveria e Kosovës. 

Përmes një analize jo aq të detajuar, por para së gjithash me një qasje kritike, duke shtruar pyetje, gazetari i përmendur deri në kufij të skajshëm e zhveshi politikën e cila momentalisht është në skenën e Kosovës dhe e paraqiti atë si një manovër tejet të keqe, dhe si politikë të gabuar të aktrimit të djalit të rrezikshëm nga Kosova. Natyrisht, vetëdija se pa një mbështetje të fortë të dikujt, e të gjithë e dimë të kujt, pushteti në Prishtinë nuk do të guxonte as të mendonte për veprime të tilla, shtrohet pyetja se sa është e tërë kjo e kthyer drejt të ardhmes, marrëveshjes e dialogut me Serbinë nëse është dashur që të arrihet tek ai. 

Nga e tërë ajo që z. Tanner përmend në tekstin e tij, fitohet përshtypja që veprimet që kemi pasur rastin t’i shohim muajin e fundit janë në fakt përpjekje që zoti Haradinaj para opinionit të tij të paraqitet si patriot dhe ithtar i vendimeve të shpejta të cilat do të sillnin deri tek njohja nga ana e Serbisë. Mirëpo, siç po e shohim, as Serbia nuk e ka pranuar Kosovën brenda natës siç ndoshta është pritur, as gjërat në terren nuk po zhvillohen me rrjedhën e paraparë. Protestat në Mitrovicën e veriut janë ndoshta prova më e mirë. E porositë nga ato protesta janë edhe argumenti më i mirë i palës serbe, sepse derisa në Prishtinë po formohet Ushtria e Kosovës, nga ana tjetër në të njëjtën kohë në Mitrovicën e veriut botës po i dërgojnë porosi që serbët janë për zgjidhje paqësore të të gjitha problemeve, përmes marrëveshjes dhe dialogut. Por sikur askush në botë nuk po dëgjon, jo vetëm porositë nga Mitrovica por madje as nga Prishtina, apo ndoshta askush nuk guxon t’i dëgjojë. Si dikush për të cilin e kaluara është materie me të cilën merret, unë më tepër jam ithtar i asaj që pas një distance të caktuar kohore prapë t’i kthehemi kësaj teme dhe ta analizojmë atë me ndihmën e të gjitha provave dhe argumenteve të cilat do të krijoheshin në ndërkohë, por si njeri që jeton këtu, më duhet të pyes se ku çon e gjithë kjo.   

Fituam një situatë të tensionuar e me frikë; zoti i kësaj situate gjithsesi nuk është nga Kosova, ndoshta madje as nuk ka qenë ndonjëherë atje, por pasojat po i pësojmë të gjithë ne. Dhe të mos shtiremi, tregtia nuk ka kufij por nuk ka as shpirt, nëse do të ketë shtrenjtime, shumë shpejt tregtarët nga patriotë do të bëhen vetëm tregtarë dhe shtrenjtimet do t’i ndiejnë të gjithë pa marrë parasysh a jetojnë në Mitrovicë, Leposaviq, apo Prishtinë, Prizren a Rahovec. Kurse Ushtria e Kosovës, krenari për patriotët, e ankth për ekonominë – mes tjerash koha do ta tregojë këtë. 

Për fat të keq, është për t’u zhgënjyer që përmes historisë më të re gjithmonë ka ndodhur që situatën tek ne më mirë e shohin ata që nuk jetojnë këtu. Kështu që ose ndikojnë në të ose e analizojnë më mirë se ne vetë. Por, po të ishte ndryshe, ne nuk do të ishim kështu siç jemi. 

comments

SHARE