Grenelli kërkon nga Serbia t’i japë fund fushatës për tërheqjen e njohjes së Kosovës

0
74

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në takimet e sotme me krerët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, përveçse nga Kosova ka kërkuar të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, Serbisë i tha se duhet t’i japë fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në fillim të javës mori mandatin për formimin e qeverisë së Kosovës, e më pas me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, raporton Koha.net.

“E përçova të njëjtin mesazh që ne në Amerikë nuk jemi të interesuar në përfshirje në atë sesi do të formohet qeveria, dhe ajo se çfarë jemi të interesuar është zhvillimi ekonomik. E ndava vizionin tim për arritjen e shpejt të qëllimit, ku do e heqim taksën dhe Serbia, të ndal fushatën e saj për mosnjohjen e Kosovës. Mendoj se këto të dyja janë hapat e ardhshëm. I shkëmbyem disa ide ekonomike sesi të ecim përpara dhe të krijojmë më shumë energji dhe entuziazëm për vende të punës. Ne biseduam më specifikash për projektet që po vijnë, mendoj se do i kemi disa njoftime në të ardhmen e afërt për më shumë progres kur flitet për vende të punës”, u shpreh Grenelli pas takimit me Mustafën, mesazhe të njëjta që drejtoi edhe nga takimi me Kurtin.

Kujtojmë se Grenelli nesër pritet të shkojë në Serbi për t’u takuar me presidentin, Aleksandar Vuçiq.

(Koha.net 23/01/2020)

SHARE