Thaçi mirëpret hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd

0
70

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se e mirëpret hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, veprim që mundësohet pas nënshkrimit të Letrës së Qëllimit mes kompanisë ajrore “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Sipas Thaçit, kjo ngjarje “shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

“Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, ka shkruar ai në Facebook.

Kosova e cilëson hap drejt normalizimit rikthimin e linjës ajrore Prishtinë–Beograd

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, ka thënë se rikthimi i linjës ajrore Prishtinë-Beograd në një të ardhme të afërt, është hap përpara në angazhimin e Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.

Në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, përfaqësues të kompanisë ajrore Lufthansa, në prani të ambasadorit Richard Grenell, i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil në Kosovë letrën me të cilën i kanë njoftuar për synimin e linjës dhe kanë kërkuar që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera, raporton KP.

“Me këtë vihet kontakti në mes dy autoriteteve të aviacionit civil, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë”, u shpreh Berisha. “Por, ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth saj. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”.

Berisha u shpreh mirënjohës për Ambasadorin Grenell, për administratën amerikane, për NATO-n dhe për KFOR-in për mbështetjen e tyre në përpjekjet e Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore dhe të trafikut ajror në Kosovë. Prezent në konferencën për media në Berlin, ku u njoftua publiku për këtë çështje, ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien.

Gjuriq shpreson ta rikthejë linjën ajrore Beograd–Prishtinë, duke e shpërfillë Kosovën

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pret që sot në Berlin të nënshkruhet letra mbi qëllimet midis Ministrisë së Ekonomisë të Serbisë dhe të kompanisë Lufthanza.

Siç citohet të ketë deklaruar ai, kjo do të bëjë të mundur që pas 20 vjetësh sërish të vendoset linja ajrore ndërmjet Beogradit e Prishtinës, transmeton Koha.net.

Nënshkrimi i letrës mbi qëllimet do të përbënte hapin e parë simbolik në drejtim të përtëritjes se avio-linjës ndërmjet Beogradit e Prishtinës. “Me këtë, përveç 12 autobusëve që rregullisht lidhin Beogradin me Prishtinën, në të ardhmen do të mund të ishte edhe linja ajrore, që kryeqytetin e, siç është shprehur ai, krahinës sonë jugore do ta bënte më afër Beogradit”.

“Kjo linjë do të mund të jetësohej nga ai moment kur hiqen taksat dhe kur të vazhdojë dialogu”, ka thënë Gjuriq, transmeton koha.net.

(koha.net, 20/01/2020)

SHARE