A janë incidentet e kohëve të fundit me motive etnike?   

Nga monitorimet kemi parë se reagimi fillestar i policisë ndaj incidenteve ndëretnike është efikas, thotë EULEX-i, por shton se gjatë procedimit të mëtejmë në hallkat e sistemit gjyqësor të veprave të tilla kanë vërejtur se aty ka nevojë për një vlerësim më të mirë të motiveve të mundshme prapa incidenteve të tilla, në mënyrë që të identifikohet nëse një incident është i motivuar nga paragjykimi.

0
112

Një numër incidentesh si thyerje, vjedhje, zjarrvënje në prona të serbëve janë raportuar nga pjestarë të komunitetit serb të Kosovës, nga shkurti 2020 deri në fund të majit. Sipas disa njoftimeve, në Babimoc të Obiliqit, Slavo Petrovićit i kishin vjedhur makineri bujqësore, në fshatin Novak, te Prizreni, kishte shpërthyer zjarri në shtëpinë e familjes Stojanović dhe ishin thyer disa shtëpi të ndërtuara për të kthyerit, në fshatin Cërnicë të Gjilanit ishte djegur shtëpia e familjes Cvetković. Në fund të prillit, edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë shprehu shqetësimin për, siç i quajti, “incidente të përsëritura të sigurisë kundër komuniteteve joshumicë, në veçanti komunitetit serb”, dhe inkurajoi autoritetet relevante që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të nxjerrë autorët para drejtësisë.

“Asnjë nga kryesit e veprave penale kundër serbëve ose/dhe pronës së tyre nuk është identifikuar apo dënuar së fundmi, apo nëse kjo është bërë popullata joshumicë nuk janë në dijeni”, ankohet Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtić në përgjigjet e tij për New Perspektivën (NP). Kjo, thotë ai, ka luhatur besimin e komuniteteve joshumicë në policinë e Kosovës.

“Ka ndodhë një vjedhje në pronën e një banoreje të përkatësisë serbe në Babimoc. I kemi angazhu të gjitha njesitë, dhe pas gjashtë orë kohë gjësendet e vjedhura i janë kthyer pronares, e cila ka qenë shumë mirënjohëse”, tregon komandanti i stacionit policor në Obiliq, Sejdi Zeqiri, duke folur për NP, për njërin nga rastet e veprave penale vjedhje, të ndodhur gjatë masave kufizuese. Këtë e konfirmon edhe kolegu tij i nacionalitetit serb, Radiša Mihajlović, polic hetues, i cili merret kryesisht me vepra penale ndaj komuniteteve joshumicë. “Ministri Jevtić ka marrë përgjigjje me shkrim nga unë për këtë rast, përmes ministrit të punëve të brendshme”, thekson Zeqiri.

Sipas Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë së Kosovës (ZIMPP), numri i përgjithshëm i veprave penale vjedhje, vjedhje e rëndë dhe zjarrvënje, gjatë përiudhës shkurt – maj 2020, në nivel vendi është 80, prej të cilave 64 raste janë nën hetim dhe 16 raste në prokurori. Ndërsa, sa i përket nacionalitetit të personave të dyshuar, për veprat penale vjedhje, 2 janë shqiptarë, 5 serbë dhe 3 RAE; për vjedhje të rëndë: 1 shqiptar, 3 serbë, 1 RAE; për zjarrvënje: 6 shqiptarë, 2 serbë, 1 RAE.

Sipas ministrit Jevtić, i cili vjen nga subjekti politik, Lista Serbe, në takime me stafin e Ministrisë që ai drejton, të kthyerit e minoriteteve pas incidenteve ndaj serbëve kanë shprehur mosbesim për mundësinë e zbardhjes së rasteve. Jevtić i citon banorët serbë se i kanë thënë atij që “kryesit e akteve kriminale kundër serbëve dhe pronës së tyre në Kosovë, zakonisht kurrë nuk janë sjellë para drejtësisë”, apo “kur i raportojmë aktet kriminale ose frikësimet në polici, përgjigjjen që marrim nga zyrtarët policor është se nuk flasin serbisht”. Këta, thotë Jevtić, janë treguesë që minoritetet shpesh mendojnë se ata janë të pambrojtur, sepse veprat penale kundër tyre nuk zgjidhen, dhe se ata vihen në shënjestër për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Rolin e policisë e vlerëson si kritik në këto raste dhe më së shumti pret nga ajo.

“Krimineli nuk zgjedh etni, kriminelit nuk i intereson kush çka është, a serb, a shqiptar, a rom a… Atij i intereson përfitimi material i kundërligjshëm. Qysh mundet me u cilësu një vjedhje e ndonjë shtëpie vetëm se pronari është serb si vjedhje e incident ndëretnik” pyet komandanti i stacionit policor ne Obiliq, Sejdi Zeqiri.

Lidhur me rastin e zjarrit në shtëpinë e pabanuar, pronë e familjes Cvetković, në fshatin Cërnicë, që ndodhi në prill, nga stacioni policor i Gjilanit thonë se “me urgjencë i janë përgjigjur rastit duke dalë në vendin e ngjarjes”, sapo janë njoftuar. Zëdhënësi i këtij stacioni policor, Ismet Hashani,  thotë se njësitët e hetimit  janë duke zhvilluar hetime intensive lidhur me rastin dhe deri tani “kanë intervistuar disa dëshmitarë edhe serb edhe shqiptarë, të cilët janë pa aty pari në kohën e ngjarjes dhe kanë lajmëru policinë dhe zjarrfikësit”.

“E përsërisë se policia e Kosovës me interesimin dhe me seriozitetin ma të madh është duke punuar intensivisht në mënyrë që të dihen saktë shkaktarët e zjarrit, dhe në qoftë se eventualisht është zjarrëvënje, ata të dalin para drejtësisë”, thotë zëdhënësi Hashani për NP.

Interesimit të NP-së rreth rasteve të veprave penale me motiv të bazuar në përkatësi etnike e që janë ende të pazgjidhura, si dhe për efikasitetin në zgjidhjen e këtyre rasteve, nga EULEX i përgjigjjen se, “Njësia për Monitorimin e Rasteve e EULEX-it, monitoron implementimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim në adresimin e krimeve të urrejtjes në Kosovë, e cila përbën një mekanizëm të rëndësishëm për të siguruar një qasje të koordinuar që të adresohen në mënyrër efektive krimet e urrejtjes. Disa hapa pozitivë janë ndërmarrë në këtë drejtim, siç është emërimi i Personelit Policor të Veçantë për Krimet e Urrejtjes (Police Focal Persons), të zgjedhur në të gjitha rajonet. Megjithatë, nga monitorimi ynë është vërejtur se mbledhja e të dhënave për krimet e urrejtjes është ende e pamjaftueshme. Prandaj është e nevojshme për institucionet përgjegjëse të krijojnë një sistem efikas për regjistrimin dhe mbledhjen e të dhënave për krimet e urrejtjes. Në përgjithësi nga monitorimet kemi pa se reagimi fillestar i policisë ndaj incidenteve ndëretnike është efikas. Megjithatë, gjatë procedimit të mëtejmë në hallkat e sistemit gjyqësor të veprave të tilla, EULEX ka vërejtur se aty ka nevojë për një vlerësim më të mirë të motiveve të mundshme prapa incidenteve të tilla, në mënyrë që të identifikohet nëse një incident është i motivuar nga paragjykimi.“

Misioni i OSBE-së në Kosovë, i ka bërë thirrje policisë që edhe në këto kohë të vështira pandemie të shtojnë patrullimin e pikave që janë më të rrezikuara nga vjedhjet, si psh vendbanimet e të të kthyerve. 

Për përiudhën e masave kufizuese të vendosura për shkak të pandemisë së Covid-19, sipas z. Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), është e pritshme që për shkak të reduktimit të punës për këtë kohë, të kemi ngritje të numrit të lëndëve të pazgjidhura, dhe rrjedhimisht edhe ngadalësim të trajtimit të rasteve në sistemin e drejtësisë. “Në sistemin prokurorial dhe gjyqësorë është reduktuar aktiviteti, por jo edhe në drejtim të rasteve të natyrave urgjente. Në rastin konkret, për këto vepra penale, ka pasur mundësi vazhdimisht të procedohet me ndjekje penale në kuptim të trajtimit të rasteve urgjente, dhe pas përfundimit të masave, do të vazhdonte aktiviteti i Prokurorit të Shtetit dhe i Gjykatave. Të paktën, kështu kuptohet nga vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK)  dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për reduktimin e aktivitetit në sistemin e drejtësisë,” shpjegon z. Shala nga IKD.

Ministri Jevtić thotë se ka munguar reagimi nga institucionet publike të Kosovës, për rastet e veprave penale ndaj pronave private të qytetarëve të minoritetit serb në rajone të ndryshme gjatë masave kufizuese kundër COVID-19. “Deri me tani, reagime ka pasur vetëm nga MKK, dhe në disa raste ka reaguar edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë, OSBE dhe Zyra e BE-së në Kosovë”, thotë ai, derisa lavdëron reagimin e publikut të gjërë ndaj vandalizmit të varrezave të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptasëve në Rahovec.

SHARE