Ballkani në Lindjen e Mesme

Në vend që politikanët tanë të merren me procesin e ndërtimit të paqes tek ne, ata shërbyen si marioneta të sistemit të Trumpit dhe morën pjesë në fitimin e disa pikave shtesë parazgjedhore në favor të Trumpit. Ata u bënë pjesë e fushatës së gjithmbarshme të Trumpit për të "zgjidhur" konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës. Në vend që të merremi me konfliktin lokal, ne u bëmë pjesë e një konflikti tjetër dhe shumë më të gjatë. Brenda natës, Ballkani fitoi rolin e tij në Lindjen e Mesme.

0
124

Qysh nga konflikti i hapur në Kosovë më 1999 e deri më sot, të gjithë ne së bashku po përpiqemi, po presim dhe po shpresojmë për ndonjë zgjidhje e cila do të sjellë paqe të përhershme në Ballkan dhe në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Kosova, më shumë se dy dekada pas luftës, edhe më tutje gjendet në fazën e konfliktit të ngrirë apo të paqes negative, dhe ende në fazën e hershme të ndërtimit të paqes dhe procesit të pajtimit. Që nga marrëveshja e Kumanovës, takimet në Vjenë, shpallja e pavarësisë, barrikadat dhe marrëveshjet e Brukselit, vite me radhë, shpresojmë që njëri nga takimet e politikanëve më në fund do to sjellë diçka pozitive si në relacionin Kosovë – Serbi ashtu edhe në tërë regjionin. Gjatë tërë këtyre viteve, një moment i tillë ende nuk ka ndodhur.  

Muajt e fundit dëgjuam lajme për kyçjen më në fund të Amerikës në procesin e negociatave midis Kosovës e Serbisë. Më në fund, pas shumë shtyrjeve, politikanët serbë dhe shqiptarë u takuan në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Gjatë takimeve që u mbajtën më 3 dhe 4 shtator, shumë prej nesh nuk kanë ditur çfarë të presin sepse informatat që i merrnim nga të dyja palët, asaj serbe dhe asaj shqiptare, kanë qenë si zakonisht të ndryshme. Nga ana tjetër, e pritur apo jo, në takim u paraqit edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Tërë këto paralajmërime, pompa, prezenca e Trumpit, nënshkrimet, marrëveshjet… u pasqyruan në opinionin publik si diçka “historike”. Momenti historik ndodhi me të vërtetë, por pyetja është se për kë? 

Shumëkush do të pyeste përse kjo pyetje për kë kur arsyeja e takimit ishte raporti midis Kosovës dhe Serbisë, pra do të duhej të ishte për to dhe relacionin midis tyre. Mirëpo, shkathtësia e administratës së Trumpit që pothuajse çdo gjë ta kthejë në dobi të tij edhe një herë u tregua në dritën e saj më të mirë.  

Derisa në marrëveshje gjenden pika të cilat me të vërtetë kanë të bëjnë me Kosovën dhe Serbinë, para së gjithash ndërtimi i autostradës, vendosja e komunikacionit hekurudhor, pjesëmarrja në Mini-Shengen, shfrytëzimi i liqenit të Ujmanit, njohja e diplomave dhe gjetja e identifikimi i personave të pagjetur – ekzistojnë edhe disa pika që fokusin e këtij takimi e kanë zhvendosur nga Ballkani në Lindjen e Mesme.   

Në fakt, pika e fundit e marrëveshjes që e ka nënshkruar Kosova ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit. Nga ana tjetër, në marrëveshjen që e ka nënshkruar Serbia, Beogradi është dakorduar që të zhvendosë ambasadën e tij në Jerusalem. Kjo pikë e fundit e marrëveshjes, e cila është historike për Amerikën dhe Lindjen e Mesme, por jo edhe për Kosovën dhe Serbinë, e shndërroi këtë marrëveshje në diçka që është shumë më tepër se sa ajo për Ballkanin. Kjo pikë e dërgoi Ballkanin në Lindjen e Mesme dhe automatikisht në procesin tonë të paqes futi edhe konflikte të tjera siç është ai midis Izraelit dhe Palestinës.  

Edhe një arsye tjetër pse kjo marrëveshje nuk i solli asgjë historike as Serbisë as Kosovës por të tjerëve tregon edhe reagimi i presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj kësaj marrëveshjeje. Në të vërtetë, pas përfundimit të takimit, në twitter, si zakonisht, Trumpi u lavdërua me këtë moment historik për paqe në Lindjen e Mesme. “Edhe një ditë e shkëlqyeshme për paqen në Lindjen e Mesme – Kosova me shumicë myslimane dhe Izraeli u dakorduan që t’i normalizojnë dhe t’i vendosin marrëdhëniet diplomatike. Punë shumë e mirë! Pasojnë shtetet tjera myslimane dhe arabe!“, shkroi Trumpi në profilin e tij. Përveç kësaj, Trumpi e uroi presidentin e Serbisë për vendimin për zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem. Pra, momenti historik vërtet ndodhi, por jo për neve. 

Në vend që politikanët tanë të merren me procesin e ndërtimit të paqes tek ne, ata shërbyen si marioneta të sistemit të Trumpit dhe morën pjesë në fitimin e disa pikave shtesë parazgjedhore në favor të Trumpit. Ata u bënë pjesë e fushatës së gjithmbarshme të Trumpit për të “zgjidhur” konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës. Në vend që të merremi me konfliktin lokal, ne u bëmë pjesë e një konflikti tjetër dhe shumë më të gjatë. Brenda natës, Ballkani fitoi rolin e tij në Lindjen e Mesme.

Çështja tjetër që shumë shpejt do të vijë në rend dite është se si këto nënshkrime të përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë do të reflektohen në bashkëpunimin e ardhshëm me shtetet arabe. Zhvendosja e amabsadës në Jerusalem shkel në mënyrë direkte rezolutën e Kombeve të Bashkuara  478 dhe Kosova e Serbia do të jenë vendet e para që do të bëjnë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian tanimë kanë reaguar lidhur me këtë çështje dhe kanë shprehur një brengosje të thellë. Pra, jo vetëm që me këto nënshkrime po i sfidojmë shtetet arabe, në një mënyrë po e thellojmë konfliktin midis Palestinës dhe Izraelit, po e sfidojmë Bashkimin Evropian dhe haptas po e marrim pozicionin e Amerikës së udhëhequr nga Trumpi, porse politikanët tanë me këmbëngulje po përfshihen në probleme edhe më të mëdha, në vend që të zgjidhin problemet tona. 

Edhe pse kjo marrëveshje midis Kosovës e Serbisë nuk është ligjërisht e obligueshme dhe nuk duhet të respektohet plotësisht, duket që ajo ka sjellë më shumë probleme të reja se sa që ka zgjidhur problemet e vjetra. Kjo marrëveshje nuk shërbeu për asgjë tjetër pos si pjesë e fushatës së Trumpit, mbështeti politikën e tij në Lindjen e Mesme, e cila është gjithçka tjetër por jo paqësore dhe e dislokoi Kosovën dhe Serbinë nga Ballkani në lindje.  

Në vend që të ishte bërë diçka për të zgjidhur problemet e të gjithë njerëzve në Kosovë, ne, si serbët ashtu edhe shqiptarët, u përfshimë në një konflikt për të cilin me dekada të tëra nuk po shihet zgjidhja. Në vend që të merremi me problemet vendore dhe paqen vendore, pa vendimin tonë u bëmë shtetet e para evropiane që do të kenë ambasada në Jerusalem. Në vend që të merreni me vetveten, sepse edhe situata jonë ka kohë që është e ndërlikuar, ne u bëmë pjesë e një konflikti që është edhe më i gjatë. Në vend se të merremi me Ballkanin, ne me këtë marrëveshje përfunduam në Lindjen e Mesme.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE