Ban: Dhuna e opozitës ka shtyrë zbatimin e marrëveshjeve mes Beogradit dhe Prishtinës

Në raportin e fundit për Kosovën, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban ki-Mun, është shprehur i shqetësuar për dhunën opozitare në Kosovë, duke deklaruar se këto zhvillime po i kontribuojnë shtyrjes së zbatimit të marrëveshjeve në mes Prishtinës dhe Beogradit, e posaçërisht asaj për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

0
371

Ban ka thënë se vonesat vlejnë edhe për marrëveshjet e prillit të vitit 2013 e po ashtu edhe të fushat të vitit 2015, duke thënë se marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe nuk është përmbushur brenda afatit të caktuar kohor.

Raporti i përgatitur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, përfshinë periudhën nga 16 tetori i vitit të kaluar, deri më 15 janar të këtij viti, dhe në fund të këtij muaji do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në raport thuhet se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë, ka mbetur e qëndrueshme gjatë kësaj periudhe.

Raporti vë në dukje se kjo periudhë është shënuar me ndërprerje të vazhdueshme të funksionimit të parlamentit të Kosovës nga ana e deputetëve të opozitës.

“Përdorimi i vazhdueshëm i dhunës dhe retorikës nxitëse të opozitës, është shkak për shqetësim serioz. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe kanë vetëm ndikim negativ në Kosovë”, ka thënë Ban.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre në interes të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. E vlerësoj angazhimin e Prishtinës dhe Beogradit që t’i vazhdojnë takimet në nivelin e lartë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian”, është shprehur sekretari i OKB-së, shkruan Tanjug, transmeton Klan Kosova.

(Klan Kosova, 03/02/2016)

SHARE