BE-ja pret që Hoti të emërojë kryenegociatorin e Kosovës për dialog

0
43

Bashkimi Evropian dëshiron që sa më parë të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe që qëllimi i këtij rifillimi të jetë edhe përfundimi sa më i shpejtë i këtij dialogu përmes një marrëveshje gjithpërfshirëse.

Këtë e ka thënë të enjten një zyrtar i lartë i BE-së duke thënë se BE-ja poashtu pret që Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Avdullah Hoti të emërojë një kryenegociator për dialog dhe një ekip të Kosovës për këtë.

Në BE pohojnë se u takon kosovarëve të vendosin se kush do t’i përfaqësojë e poashtu edhe BE-ja vendos se kush do ta përfaqësojë atë.

Kjo u tha duke pasur parasysh pohimet e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se ai nuk do të marrë pjesë në dialogun që e ndërmjetëson i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak.

Ky i fundit thuhet të ketë biseduar me shumë zyrtarë të Kosovës, por jo edhe me presidentin Thaçi i cili ka dërguar porosi se “nuk ka kohë sepse është i zënë duke u përballur me pandeminë”.

Në BE konsiderojnë se tash kanë një person, duke aluduar në të dërguarin e posaçëm i cili do të merret me dialog 24 orë në ditë dhe kjo dëshmon se BE-ja e ka kuptuar se kësaj teme, si dhe tërë rajonit, duhet kushtuar më shumë kujdes.

Po ashtu, në qasjen e re të dialogut, BE-ja dëshiron të jetë më konkrete e jo duke pasur një qasje të dyptimësisë së qëllimshme siç ka pasur më herët.

Ndryshimi i kufijve, thonë tashmë shumë burime në BE, nuk do të jetë në tryezë sepse është kuptuar se një ide e tillë ka ndikim negativ, është kundër vlerave evropiane dhe zakonisht pasohet me lëvizje edhe të njerëzve në baza etnike.

Pikërisht për shkak të ndikimit që mund të ketë në rajon, si dhe në të ardhmen evropiane të rajonit, BE-ja nuk do tua lë Beogradit dhe Prishtinës krejtësisht në dorë se çfarë mund të jetë marrëveshja.

Prandaj insistojnë që marrëveshja e cila do të duhej të arrihej mes palëve të jetë e pranueshme edhe për BE-në, të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të ketë ndikim pozitiv dhe stabolizues në rajon. Një marrëveshje e cila do të nënkuptonte ndryshimin e kufive nuk besohet se do të ishte e tillë.

Burimet e BE-së pohojnë se i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak planifikon që sa më parë të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, për të pasur kontakte përsonale me partnerët, në mënyrë që të rifillojë dialogu. Ky dialog pritet të zhvillohet në Bruksel.

BE e mirëpret rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog. Në BE pohojnë se SHBA-të kanë pasur rol në dialog edhe në të kaluarën si dhe një rol të pazëvendësueshëm edhe në rajon, krahas BE-së.

Por, në BE presin që të ketë më shumë transparencë edhe nga ajo që çfarë po bën administrata amerikane me ndihmën palëve që të arrin normalizimin e raporteve.

(evropaelire.org, 04/06/2020)

SHARE