Çfarë tha Palmer?

Përfaqësuesi i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer foli për situatën e re politike në Kosovë pas zgjedhjeve të tetorit. Ai tha se Kosovës i duhej një qeveri e cila përfaqëson popullin e saj me një zë koherent dhe objektiva realiste. Këto dy fjalë të fundit janë thelbësore sepse për arritjen e normalizimit duhen qëllime realiste e jo tema të reja ose një agjendë më e gjerë që mund të vonojë dhe të komplikojë një rezultat përfundimtar.

0
28

Matthew Palmer nga Departamenti amerikan i Shtetit shtroi disa pika të rëndësishme rreth vështirësive në procesin e normalizimit midis Kosovës e Serbisë në fjalimin e tij të fundit në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Unë dëshiroj të komentoj në lidhje me një ose dy prej tyre për shkak se nxorën në pah mendime të ndryshme.

Palmer theksoi se Kosova duhej të ishte pjesë e rajonit ku shtrihet dhe nuk mund të lihet e izoluar jashtë. E panevojshme të thuhet, por kjo shkaktoi një psherëtimë të gjatë tek unë sepse ne mund të argumentojmë aktualisht se e gjithë kjo çështje e izolimit të shteteve anëtare të mundshme në Ballkan është prej atyre që kanë rezultuar edhe nga vetë politikat e brendshme e BE-së. BE ka ngritur disa mure qelqi dhe nuk duket aq pro-aktive e mikpritëse për të përqafuar anëtarë të rinj. Politika e saj është jokonsistente. Sidoqoftë, ne duhet të përpiqemi dhe të mbajmë mend se kjo nuk duhet të jetë një arsye për shtetet aspiruese që të hezitojnë, në fakt, duhet të bëjnë të kundërtën.

Përfaqësuesi i Departamentit amerikan të Shtetit përsëriti objektivat themelore të negociatave të lehtësuara nga BE, të Dialogut. Ai tha se zgjidhja e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë përmes normalizimit të plotë do t’u mundësonte liderëve të këtyre dy vendeve t’i përkushtojnë plotësisht vëmendjen përmirësimit të jetës së qytetarëve të tyre, duke shtruar rrugën për një të ardhme paqësore dhe të begatshme. Ai po i thoshte përsëri ato që Baronesha Ashton i shprehu qartë si objektivat e saj në vitin 2011. Këtë të ardhme, ajo e pa në perspektivën euro-atlantike për të dyja vende.

Kjo është ajo që liderët e të dyja vendeve, veçanërisht autoritetet e reja në Kosovë, duhet të mbajnë mend. Normalizimi nuk ka të bëjë me fitimin e zgjedhjeve. Nuk ka të bëjë me fitimin e mbështetjes duke luajtur me kartë nacionalizmi. Nuk ka të bëjë me atë që njëra palë të ketë pronësinë mbi procesin. Dialogu nuk është çështje politike partiake. Ai ka të bëjë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, vendosjen e tyre në rrugën drejt Evropës, dhe rrjedhimisht paqe dhe stabilitet. Ka të bëjë me mospengimin e përparimit të secilës palë në rrugët e tyre drejt BE-së. Ka të bëjë me njohjen eventuale edhe pse kjo nuk u shkrua me bojë në marrëveshjen e vitit 2013.

Palmer foli për situatën e re politike në Kosovë pas zgjedhjeve të tetorit. Ai tha se Kosovës i duhej një qeveri e cila përfaqëson popullin e saj me një zë koherent dhe objektiva realiste. Këto dy fjalë të fundit janë thelbësore sepse për arritjen e normalizimit duhen qëllime realiste e jo tema të reja ose një agjendë më e gjerë që mund të vonojë dhe të komplikojë një rezultat përfundimtar.

Marrëveshja e parë përmbante objektiva realistë dhe përcaktoi një rrugë të qartë për bashkëpunim dhe konsocializim të ardhshëm. Gjashtë vjet më parë, dukej se krijonte një mjedis konstruktiv. Kjo u humb për shkak të përpjekjeve për të sjellë çështje të tjera në rend dite dhe mosimplementimit të marrëveshjes ashtu siç u pranua në vitin 2013. Palmer flet për politikën krejtësisht të papranueshme serbe të lobimit për çnjohjen e Kosovës, por nuk e përmend dështimin e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen për energji dhe as dështimin e të dyja palëve për krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë serbe.

Të dyja palët duket se bëjnë garë me njëra-tjetrën në përdorimin e gjuhës plotësisht të papranueshme dhe veprime quid pro quo. Duket se asnjëra nga palët nuk e kupton se për të ecur përpara dhe për të qenë më evropianë, duhet të mendojnë për narrativën dhe sjelljen e tyre. Kjo nuk ka të bëjë me zgjedhjet, as nacionalizmin, por me stabilitetin dhe demokracinë në një të ardhme evropiane. Kjo është ajo jeta e re që i duhet dhënë Dialogut, siç e përshkroi Palmer. Reciprociteti nuk është jetë e re.

Sigurisht, nuk ka asnjë kufizim për ato që mund të diskutohen në Dialog, nëse të dyja palët bien dakord për një çështje të re. Të dyja palët, megjithatë, duhet të mendojnë nëse çështje të tjera do të sjellin ndonjë gjë të veçantë në atë dialog që do të mundësonte mirëkuptim më të madh dhe përmirësim të marrëdhënieve apo nëse me mirëkuptim më të madh e marrëdhënie të përmirësuara, ato çështje, sado të vlefshme, p.sh. të pagjeturit, pensionet e qytetarëve të Kosovës, mund të zgjidhen në vende dhe forume të tjera.

Mbase ia vlen të kujtohet se, pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania nuk i pagoi reparacione asnjërit nga vendet që nazistët pushtuan. Kërkesa për reparacione pas Luftës së Parë Botërore ishte parë si nxitje për Luftën e Dytë Botërore dhe ai gabim nuk duhej bërë përsëri. Traktati final i paqes për Luftën e Dytë Botërore nuk u nënshkrua deri në vitin 1990, kur u mbyll procesi. Kompensim i’u pagua viktimave të Holokaustit dhe punëtorëve skllevër. Plani Marshall ishte krijuar për të ringjallur ekonomitë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare bëri donacione jashtëzakonisht të mëdha për Kosovën për të ndihmuar në rindërtimin e vendit. Financimi i BE-së për Kosovën ka qenë më i lartë se sa që i është ofruar çdo vendi tjetër evropian.

M’u duk disi e pakuptueshme se si Palmer, në fjalimin e tij, foli për Dialogun dhe normalizimin në një boshllëk. Në asnjë fazë nuk i atribuoi asnjë prej arritjeve që ai përmendi si pjesë të procesit të lehtësuar nga BE, asnjëherë nuk tha që BE e kishte lehtësuar atë. Ai foli vetëm për SHBA-në,  por ne e dimë se gjithmonë ishte dakorduar që BE dhe SHBA do të punonin së bashku, por se BE do të printe. Kjo duket se është zhdukur plotësisht në narrativën e tij. Ai foli sikur BE-ja të mos ishte e pranishme. Ai nuk përmendi asnjëherë Përfaqësuesin e ri të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili tani do të marrë stafetën me përpjekjet për të rifilluar Dialogun dhe të punojë për mirëkuptimin kosovaro-serb. Është BE ajo që mban kartën e fundit.

(Nëntor, 2019)